Shkup, 25 shtator- Për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve, sot në Gjykatë Penale nuk u mbajt seanca për lëndën e PSP “Tenderë”, në të cilën e akuzuara a parë është ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska. Lënda “Tenderë” i përket tenderit për kryerje të punëve ndërtimore në Muzeun e Luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi nga projekti “Shkupi 2014”.
Gjykatësi Osman Shabani i njoftoi të pandehurit se gjykata ka marrë parashtresa nga avokatët Elenko Millanov dhe Sasho Dukovski se që të dy janë parandaluar të marrin pjesë në gjykim sepse janë mbrojtësit e vetëm të disa të akuzuarve në rastin e njohur si “Ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e RM-së”, që është lëndë paraburguese. Shabani i paralajmëroi avokatët se nëse në të ardhmen kërkojnë anulim do të sanksionohen dhe i porositi që të autorizojnë zëvendës.
Sipas Kodit penal, nëse një lëndë që ka filluar me gjykim dhe nga një seancë në tjetrën kanë kaluar 90 ditë, duhet të fillohet nga fillimi, respektivisht me prezantim të dëshmive materiale. Seanca e fundit u mbajt më 20 qershor, ndërsa e ardhshmja që është caktuar për më 13 korrik u anulua për shkak të sëmundjes së gjykatësit Shabani. Më 20 shtator të këtij viti skadoi afati ligjor prej 90 ditëve. Më 4 tetor Shabani duhet të vendosë se si do të vazhdojë me lëndën.
Për sot janë ftuar dëshmitarët Sasha Bocev, Tomçe Bozhionvski dhe Dushka Sofronievska, për të cilën është parashtruar dokumentacion mjekësor për mungesë të pushimit të lindjes.
Sipas aktakuzës një pjesë e punëve ndërtimore në Mize janë kryer në dobi të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para se të publikohet shpallja për ndarje të marrëveshjes për furnizim publik dhe para se të zbatohet procedura, në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike, Kançeska-Milevska përmes bisedimeve me drejtorin e përgjithshëm të punëve ndërtimore të kompanisë ndërtimore “Beton” nga Shtipi ka urdhëruar që të vazhdohet me punën në Muze, kur janë kryer punë ndërtimore pas marrëveshjes së lidhur paraprakisht për furnizim publik.