Objekti, sipas informacioneve të autoriteteve lokale, duhet të ketë kapacitet për 200 fëmijë. Nga Komuna e Tetovës thonë se bëhet fjalë për një çerdhe me sipërfaqe prej 1644 metra katrorë
Urim HASIPI
Tetovë, 27 janar – Në periudhën që vijon pritet që të shpallet tenderi për ndërtimin e çerdhes për fëmijë në Tetovë. Tashmë dokumentacioni është përgatitur dhe është në fazën përfundimtare kurse në periudhën që pason pritet që të publikohet thirrja publike në ueb sajtin e Bashkimit Evropian për financimin e tenderëve. Kjo, për shkak se objekti i çerdhes për fëmijë në Tetovë do të ndërtohet me mjete të IPA fondeve. Realizimi i këtij projekti do të bëhet përmes Ministrisë së Financave, njoftojnë për gazetën Koha, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. “Ju informojmë se për ndërtimin e kopshtit për fëmijë në Komunën e Tetovës në lokacionin tek Shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, janë siguruar mjetet financiare përmes IPA fondeve (programi vjetore për arsim, punësim dhe politikë sociale). Organ i kontraktuar në këtë projekt është Ministria e Financave, Sektori për financim qendror dhe nënshkrime të marrëveshjeve. Dokumentacioni për tender dhe projekt që përgatitet sipas rregullave të Bashkimit Evropian është në fazën përfundimtare për shkak të adaptimit të rregullave strikte të definuara për furnizime publike për projektet që financohen nga Bashkimit Evropian. Për shkak të respektimit të këtyre rregullave, detaje për tenderin nuk lejohen derisa të zgjidhet një ofertues më i volitshëm. Në periudhën që vijon tenderi për këtë projekt IPA do të publikohet në faqen e Bashkimit Evropian për financimin e tenderëve”, njoftuan nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për gazetën Koha.
Objekti, sipas informacioneve të autoriteteve lokale, duhet të ketë kapacitet për 200 fëmijë. Nga Komuna e Tetovës thonë se bëhet fjalë për një çerdhe me sipërfaqe prej 1644 metra katrorë. “Bëhet fjalë për një çerdhe të madhe, krahasuar me ato çerdhe që u shpallën si projekte për investime në vitin 2019, që kanë të bëjnë me kapacitete më të vogla, në krahasim me atë të Tetovës, prandaj edhe procedurat kanë zgjatur më shumë” thonë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkohë, kërkesa për një objekt të ri të çerdhes për fëmijë ka ardhur si pasojë e nevojës pas stërngarkimit nëpër objektet e çerdheve ekzistuese. Sipas autoriteteve lokale, në këto kopshte për fëmijë ka numër më të madh të fëmijëve që frekuentojnë se sa kapaciteti i tyre, por shifrat janë për kushte normale dhe jo në kohë pandemie, kur në mënyrë drastike ka rënë numri i fëmijëve nëpër çerdhet e Tetovës. Kësisoj, çerdhja tek Shkolla ekonomike ka kapacitet për 120 fëmijë ndërsa në kushte normale regjistrohen 170 fëmijë. Në Çerdhen “Teteks” kapaciteti është për 160 fëmijë, kurse pranohen mbi 200 fëmijë. Çerdhja e Vjetër që ndodhet afër qendrës së Tetovës ka kapacitet për 90 fëmijë, kurse regjistrohen rreth 130 fëmijë. Ndërkohë, në çerdhen që ndodhet në lagjen Potok afër stadiumit të qytetit të Tetovës, kapaciteti është për 120 fëmijë, kurse pranohen mbi 40 fëmijë më shumë apo rreth 160 fëmijë. (koha.mk)