Në fakt, rritja e temperaturave botërore po i bën parazitët gjithnjë e më të uritur dhe të shumtë në numër, sa që përllogaritet një humbje në nivel botëror të të korrurave me 25% për çdo gradë më shumë të ngrohjes globale të sipërfaqes, mbi të gjitha në zonat me klimë të butë.
Ky parashikim është bërë nga studiuesit e Universitetit të Uashingtonit, të drejtuar nga Curtis Deutsch që në rrevistën “Science” ka publikuar një model të kultivimeve, ku janë marrë parasysh përgjigja biologjike ndaj klimës që kanë lloje të ndryshme insektesh, përfshirë edhe parazitët, duke marrë parasysh skenarë të ndryshëm të ngrohjes.
Në këtë mënyrë është përllogaritur se humbjet botërore të korrjeve për kulturat kryesore do të rriten me 10 deri në 25% për çdo gradë të ngrohjes globale të sipërfaqes, ku më shumë do të preken zonat bujqësore me prodhimin më të lartë në planet, si SHBA-ja, Franca dhe Kina.
Me një rritje prej vetëm dy gradësh të temperaturës së sipërfaqes së tokës vlerësohet një humbje mesatare, për shkak të insekteve, prej 31% për korrjet e misrit, 19% për orizin dhe 46% për grurin, e barasvlershme me 213 milionë tonelata.
“Kur temperaturat rriten, rritet edhe metabolizmi i insekteve, që duhet të hanë më shumë. Për më tepër, me përjashtim të tropikut, temperaturat e larta rrisin edhe nivelin e tyre të riprodhimit. Pra do të ketë më shumë insekte, që do të hanë më shumë”, shpjegon Deutsch.