Kur konflikti shuhet ende pa dalë në sipërfaqe, atëherë është e mundur tirania e njëmendësisë, që si oponencë ka, të ashtuquajturin, artikulimin e njëanshëm kritik të pakënaqësive gati laboratorike, paçka se laboratorët gjithmonë kanë shërbyer për të eksperimentuar dhe testuar diçka. Shoqëria shqiptare ende nuk e ka ngritur një laborator të vetin për të testuar gatishmërinë intelektuale të sfidimit
Nga Emin AZEMI
Turma, sikundër dihet, asnjëherë nuk ka një zë kritik që do t’i artikulonte interesat e veta, përderisa kjo nuk ngrihet në një shkallë më të lartë, atje ku ndodh edhe formimi i publikut. Frika nga publiku i formuar ka detyruar shumë faktorë me relevancë pushtetore të disperzojë pakënaqësinë nëpër kanale të shumta të “shkretëtirës” kolektive. Kjo është më e pranishme në arealin publik maqedonas, por ka jo pak shenja që ky model të bartet edhe në arealin shqiptar.
Mungesa e një mendimi publik ku e ka të strukturuar tematikisht pakënaqësinë, është parakushti elementar i mosndikimit të sferës publike në vendimmarrjen politike.
Ata që merren me analizën e opinionit publik, do ta kenë vështirë të detektojnë një disponim të qartë në mesin e shqiptarëve tani në prag të zgjedhjeve të 12 prillit. Jo se mungojnë ide e mendime, por ato nuk kanë një artikulim të kristalizuar dhe të formësuar. Askush nuk e mohon rolin e gjithkujt për të shprehur një mendim publik dhe askush nuk ka të drejtë të mohojë atë mendim kur ai është i arsyeshëm e i bazuar në fakte e argument. Mirëpo publiku shqiptar ende është larg të qenit i informuar mbi analiza të specializuara të institucioneve e individëve për tema të caktuara. Aktualisht i bie që vetëm subjektet politike kanë mendim të kristalizuar publik, ndërkohë që shoqëria shqiptare është në një fare apatie dhe defanzive të pakuptimtë.
Turma, sikundër dihet, asnjëherë nuk ka një zë kritik që do t’i artikulonte interesat e veta, përderisa kjo nuk ngrihet në një shkallë më të lartë, atje ku ndodh edhe formimi i publikut. Frika nga publiku i formuar ka detyruar shumë faktorë me relevancë pushtetore të disperzojë pakënaqësinë nëpër kanale të shumta të “shkretëtirës” kolektive. Kjo është më e pranishme në arealin publik maqedonas, por ka jo pak shenja që ky model të bartet edhe në arealin shqiptar.
Po të bazoheshim në një analizë klasike sociologjike të publikut, që thotë se qytetarinë e një vendi e bashkon ideali i të drejtave demokratike, politike e shoqërore, atëherë do ta kishim të lehtë t’u biem në gjurmë anomalive që përshkon disponimin kolektiv të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Mirëpo, përtej kësaj analize, në praktikë po ndodh krejt diçka tjetër. Në fakt po krijohet karakteri autoritar i turmave pa identitet të formuar qytetar e publik, që me papërgjegjshmërinë dhe jokompetencën e tyre ka shumë të ngjarë që ta lëkundin kohezionin ndëretnik e ndërfetar, por të “djegin” edhe alternativat e vërteta të mendimit ndryshe.
Gjithmonë interesat dhe iniciativat individuale lindin nga baza e padefinuar e vetëdijes së përbashkët dhe zhvillohen në një interaksion karakteristik reciprok në mes të përfaqësuesve të tij. Por, ajo çka e prish këtë interaksion është në fakt ajo dora e padukshme që imponon realitete virtuale, pa kurrfarë pikëtakimi me interesat e përgjithshme të qytetarëve. Ky është preludi i krijimit të një shumësie publike, ku kakofonia e diskursit kthehet në një spërkatës piklash të pakënaqësisë. Pamundësimi i “lumit të pakënaqësisë” nuk është zanat që mësohet nëpër bankat e shkollave. Ata që e praktikojnë këtë “terapi” çudibërëse, sigurisht që shkathtësinë e tyre e mbështesin mbi aftësinë për të neutralizuar oponentin politik nga çfarëdo aksioni vetëdijesues, qoftë ai edhe brendainstitucional.
Në shoqëritë e konsoliduara kulturalisht e ekonomikisht ka ndodhur që të identifikohen konflikte në mes të publikut kritik dhe atij manipulues, që si epilog ka patur triumfin e argumenteve mbi gjepurat, të ligjërimit të mirëfilltë publik mbi kozeritë e mejhaneve suburbane. Kur konflikti shuhet ende pa dalë në sipërfaqe, atëherë është e mundur tirania e njëmendësisë, që si oponencë ka, të ashtuquajturin, artikulimin e njëanshëm kritik të pakënaqësive gati laboratorike, paçka se laboratorët gjithmonë kanë shërbyer për të eksperimentuar dhe testuar diçka.
Shoqëria shqiptare ende nuk e ka ngritur një laborator të vetin për të testuar gatishmërinë intelektuale të sfidimit. (koha.mk)