Telekomi Turk (Türk Telekom International) ka përfunduar me sukses linjën SEA-ME-WE-5, një sistem komunikimi nëndetar kabllor me fibra optike, e cila rezulton një nga linjat ndërkombëtare nëndetare më të rëndësishme dhe me kapacitet të lartë në botë. Përmes kësaj vepre gjigande, ku përfshihet edhe stacioni i ndërtuar në Marmaris nga Telekomi Turk, që ishte firma turke e vetme pjesëmarrëse në projekt, 17 vende janë lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet një linje fibër optike me kapacitet të lartë rreth 20 mijë km të gjatë, nga Azia deri në Evropë. Ky sistem do të sigurojë komunikim “broadband” me një kapacitet projektimi prej 24 Tbit për sekondë mes Azisë Juglindore, nënkontinentit Indian, Lindjes së Mesme dhe Evropës. Kabllot fibër optike nënujore do të lidhin Singaporin, Malajzinë, Indonezinë, Tajlandën, Mianmarin, Bangladeshin, Indinë, Sri-Lankën, Pakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin, Katarin, Xhibutin, Jemenin, Arabinë Saudite, Egjiptin, Italinë, Turqinë dhe Francën me anë të 19 stacioneve tokësore.