Nga Emin AZEMI
Një retorikë e ashpër verbale e panevojshme po përdoret nga eksponentë të caktuar të subjekteve politike shqiptare. Kjo edhe njëherë tregon për ndodhjen në një binarë të gabueshëm të diskursit publik të politikës shqiptare në Maqedoni, e cila në vend se të merret me tema më thelbësore që prekin standardin dhe arsimin e njerëzve, ekonominë dhe varfërinë, paperspektivën dhe shpërnguljen, ajo merret me fjalë ashtore që të shpojnë trurin.
Joserioziteti për tu marr me vetveten, gjegjësisht me muhabete të kota që nuk prodhojnë kurrfarë debati, por veç hasmëri, është edhe një tregues real se një numër i madh përfaqësuesish politik shqiptarë më të qenësishme e konsiderojnë grindjen në mes veti se sa marrjen me punë serioze. Në fakt ata tregojnë se sa joserioz janë, por kjo është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe është se dikush ende vazhdon t’i votojë ata dhe kjo pastaj shndërrohet në përgjegjësi kolektive. Pra, nuk janë fajtor vetëm politikanët për sjelljet e ulëta të tyre, që do t’ua kenë zili edhe karrocierët e dehur, por edhe gjitha ata që votojnë .
Në mendësinë publike të përfaqësueseve shqiptarë të pushtetit tash më është ngulitur bindja se përveç atyre nuk ka më kush tjetër që do të merret me punët e mëdha të kombit. Ata projektojnë në fantazinë e tyre shekspiriane dimensionin 4G të asaj që duhet të ndodhë, ndonëse nuk parapëlqejnë të japin llogari për punët e pabëra gjatë mandateve qeverisëse. Ata, bie fjala, ende nuk na treguan se si është e mundur të ndodhin gjithë këto padrejtësi ndaj shqiptarëve si pasojë e një sistemi skandaloz të drejtësisë, por për rrjedhojë askush nga njerëzit përgjegjës të pushtetit nga radhët e shqiptarëve të mos japë dorëheqje, apo të paktën të distancohen publikisht (atëherë kur kanë ndodhur, tash është vonë) nga metoda të tilla antikushtetuese, ku në të shumtën e rasteve rezulton që shqiptarët padrejtësisht vuajnë me qindra vjet burg si pasojë e proceseve të montuara. Një shqiptar nga Opaja, një tjetër nga Xhepçishti, disa djemë nga Shkupi etj. po mbahen kot në burgje të përjetshme sepse gjykatat e njëanshme i akuzojnë ata përgjegjës për rastet e ndryshme të montuara.
Si ka mundësi që të gjitha këto raste të kalojnë heshturazi, pa u vërejtur, dhe pa u shqyrtuar nga përfaqësuesit shqiptarë të pushtetit? Pse ata herë-herë në paraqitjet e tyre publike, me ankesat që i bëjnë më tepër të kujtojnë ndonjë opozitarë që s’ka gjë në dorë, se sa përfaqësuesin e pushtetit, i cili është mandatuar të mos rrijë duar kryq.
Në anën tjetër, përfaqësues të caktuar të opozitës, frustrimin e tyre publik për qëndrimin gjatë kohë në opozitë, nuk po dinë ta artikulojnë drejt. Ata, zënkën fejzbukiane tash më e kanë shndërruar në telashe profesionale. Fundja, misioni i opozitës nuk është të bëjë punë që janë detyrë e pushtetit, po ama opozitës nuk ia ka ndaluar askush të propozojë projekte më të mira dhe më efikase, të ofrojë ide alternative për politika të caktuara në fushën ekonomike, arsimore, zhvillimore, agrare etj. Nëse opozita mendon se platforma e saj është vetëm kritika ndaj pushtetit, por pa ofruar një ide konkrete alternative, atëherë ajo e ka të garantuar statusin e të qenit opozitë edhe për disa vite. Dhe këtu nuk pëson vetëm anëtarësia opozitare, por komplet një masë e pakënaqur njerëzish, të cilët po kërkojnë rrugë alternative për të dalur nga situata në të cilën gjenden pensionistët, bujqit, arsimtarët, të papunët, të rinjtë që diplomojnë e që mendojnë të ikin jashtë etj.
Një shoqëri që i ka të gjitha këto probleme dhe ka politikanë që iu ikin t’i zgjidhin ato, por zgjedhin linçimin publik të njëri tjetrit, është një shoqëri e dështuar.