Shkup, 9 janar – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot fillon faza finale e ndryshimeve kushtetuese. Në seancë plenare, sipas Rregullores kuvendore deputetët fillimisht duhet t’i përcaktojnë, ndërsa më pas t’i sjellin dhe t’i shpallin amendamentet e Kushtetutës. Për shpalljen e amendamenteve nevojitet shumicë prej dy të tretash, gjegjësisht për to të votojnë të paktën 80 nga gjithsej 120 deputetë në Dhomën Ligjdhënëse. Pas shpalljes së amendamenteve deputetët duhet ta votojnë edhe ligjin kushtetues për zbatimin e tyre, njofton Koha.mk
Këto amendamente do të jenë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe do të hyjnë në fuqi në Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara, për shfuqizimin e Marrëveshjes së përkohshme prej vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik midis palëve dhe ratifikimin e Protokollit për qasje në NATO nga Ana e parë e Marrëveshjes finale.
Tekste të Propozim – amendamenteve të Kushtetutës
AMENDAMENTI XXXIII
1. Në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
AMENDAMENTI XXXIV
1. Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fshihen fjalët “të cilët jetojnë në kufijtë e saj”, “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “vendimet juridike të cilat janë theksuar në Manifestin e Seancës së Parë të KAÇKM-së për popullin maqedonas për seancën e mbajtur të KAÇKM-së”, pas fjalës “viti” shtohen fjalët “në të cilat u shpreh vullneti për krijimin e shtetit të pavarur sovran dhe Marrëveshja e Ohrit”, ndërsa fshihen fjalët “vendosën të”.
2. Me këtë amendament bëhen ndryshime në Preambulë – Amendamenti 4 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
AMENDAMENTI XXXV
1. Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe politikën e pavarësisë së shteteve fqinje.
2. Me këtë amendament plotësohet neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
AMENDAMENTI XXXVI
1. Republika i mbron, garanton dhe kultivon karakteristikat, trashëgiminë historike dhe kulturore të popullit maqedonas.
Republika i mbron të drejtat dhe interesat e qytetarëve të vet të cilët jetojnë apo qëndrojnë jashtë vendit.
Republika kujdeset për diasporën e popullit maqedonas dhe të bashkësive të tjera dhe i kultivon dhe zhvillon lidhjet me atdheun.
Republika më pas nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
2. Me këtë amendament zëvendësohet neni 49 dhe amendamenti 2 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
ELABORIM I TEKSTEVE TË PROPOZIM – AMENDAMENTEVE XXXIII, XXXIV, XXXV DHE XXXVI TË KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
Elaborimi i Amendamentit XXXIII
Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë me çka duhet të mundësohet inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Me atë rast, në pajtim me Marrëveshjen përfundimtare me Republikën e Greqisë, parashihet hyrja në fuqi e amendamenteve me ditën e ratifikimit të Marrëveshjes dhe Protokollit për inkuadrim në NATO nga ana e Parlamentit të Republikës së Greqisë. Si pasojë, në rast të moshyrjes në fuqi të këtyre dy dokumenteve, nuk do të hyjnë në fuqi as amendamentet e parapara.
Më tutje, në pajtim me marrëveshjen, me ligj kushtetues do të konstatohet zbatimi i dispozitës lidhur me validitetin e dokumenteve dhe materialeve tashmë ekzistuese të lëshuara nga organet e pushtetit të Republikës së Maqedonisë.
Elaborim i Amendamentit XXXIV
Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë me çka duhet të mundësohet inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Për shkak të harmonizimit të tekstit të Preambulës me Marrëveshjen përfundimtare me Greqinë, në Preambulë bëhen ndryshime përkatëse. Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fshihen kufizimet e popujve dhe pjesët e tyre që jetojnë jashtë shtetit të tyre amë. Gjatë theksimit të traditave shtetëroro-juridike, ndryshojnë vendimet juridike të KAÇKM-së, të cilat janë theksuar në Manifestin e Seancës së parë të KAÇKM-së për popullin maqedonas për seancën e mbajtur të KAÇKM-së. Gjithashtu në Preambulë përmendet edhe Marrëveshja e Ohrit, e cila është vendosur me ndryshimet kushtetuese që në vitin 2001.
Elaborimi i Amendamentit XXXV
Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë me çka duhet të mundësohet inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Me Marrëveshjen përfundimtare konfirmohet kufiri ekzistues i ndërsjellë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë si kufi i përhershëm dhe i pacenueshëm ndërkombëtar, me ç’rast ndërmerret obligimi që asnjëri prej dy shteteve të mos ketë, as të mbështesë ndonjë pretendim drejt cilës do pjesë të territorit të shtetit tjetër, as ndërkaq pretendime për ndryshim të kufirit të tyre të ndërsjellë ekzistues. Krahas kësaj, edhe Republika e Maqedonisë edhe Greqia u obliguan se nuk do të mbështesin çfarëdo lloj pretendimesh të cilat mund t’i paraqesin palë të treta.
Republika e Maqedonisë dhe Greqia u obliguan ta respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shtetit tjetër dhe të mos mbështesin çfarëdo lloj aktivitetesh të palëve të treta, kahëzuar kundër sovranitetit, integritetit territorial apo pavarësisë politike të shtetit tjetër.
Gjithashtu, dy shtetet ndërmorën obligimin, në pajtim me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës, përfshirë nga kërcënimet apo përdorimi i forcës me qëllim që të shkelet kufiri i tyre i ndërsjellë ekzistues.
Në nenin 3 të Kushtetutës është e rregulluar se territori i Republikës së Maqedonisë është i pandashëm dhe i patjetërsueshëm. Kufiri aktual i Republikës së Maqedonisë është i pacenueshëm. Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje. Kufiri i Republikës së Maqedonisë mund të ndryshohet vetëm në pajtueshmëri me Kushtetutën, ndërsa mbi parimin vullnetar dhe në pajtueshmëri me normat e pranuara ndërkombëtare.
Ky nen është ndryshuar në vitin 1992 me amendamentin I, kur është shtura parimi i vullnetarizmit gjatë ndërtimit të kufijve dhe harmonizimit me normat e pranuara të përgjithshme ndërkombëtare. Poashtu me këtë amendament është deklaruar se Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje.
Me amendamentin e ri kushtetues i cili propozohet, deklarohet respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike me shtetet fqinje.
Elaborim i Amendamentit XXXVI
Qëllimi i këtyre ndryshimeve të Kushtetutës është implementimi i marrëveshjes përfundimtare me Greqinë me çka duhet të mundësohet inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO.
Konform Marrëveshjes përfundimtare, Republika e Maqedonisë dhe Greqia obligohen që asnjë dispozitë e Kushtetutës, të mos mundet ose nuk duhet të interpretohet në mënyrë e cila do të paraqesë bazë për përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, në çfarëdo forme apo arsye, përfshirë edhe të drejtën e statusit dhe të drejtave të personave që nuk janë qytetarë të saj.
Në nenin 49 të Kushtetutës shkruan se Republika angazhohet për gjendjen dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit të Maqedonisë në vendet fqinje dhe të zhvendosurit nga Maqedonia, e ndihmon zhvillimin e tyre kulturor dhe i avancon lidhjet me ta. Republika angazhohet për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Republikës në diasporë. Republika pastaj nuk përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Edhe ky nen është ndryshuar me amendamentet II, në vitin 1992 e cila parasheh se Republika nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Me amendamentin kushtetues i cili propozohet, potencohet obligimi i Republikës së Maqedonisë për mbrojtje, garantim dhe ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të popullit maqedonas. Poashtu me amendamentin garantohet mbrojtja dhe interesat e shtetasve të cilët jetojnë apo qëndrojnë në diasporë. Në amendament shkruan se Republika angazhohet edhe për diasporën si të popullit maqedonas ashtu edhe te bashkësive tjera, pa nënkuptuar përzierje në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Procedura për ndryshimet kushtetuese me të cilin duhet të rrumbullakohet implementimi i Marrëveshjes së Prespës, ka filluar më 19 tetor vitin e kaluar kur Kuvendi me mbështetjen e 80 votave dhe 39 kundër ka vendosur të veprohet në drejtim të ndryshimit të Kushtetutës.