“Duke filluar nga fëmijët e moshave parashkollor, si dhe të moshave shkollore, kemi një rritje të dukshme të numrit të nxënësve të cilët mbajnë syze, gjë që tregon qarët se problemet me sytë tek fëmijët janë evidente”, thotë oftalmologu Ismail Mashkulli
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 shkurt – Fëmijët në Dibër viteve të fundit shpeshherë janë pacientë të oftalmologut. Të dhënat e institucioneve kompetente shëndetësore, por edhe arsimore, thonë se nga viti në vit është në rritje numri i fëmijëve të cilët kanë probleme me shikimin. Institucionet në fjalë si shkak kryesor për këtë problem shëndetësor të fëmijëve thonë se është përdorimi i tepërt i kompjuterëve, celularëve dhe qëndrimi gjatë kohë pranë ekraneve televizive. Kjo situatë vërehet edhe në të dhënat që kanë institucionet arsimore në Dibër, ku për çdo vit bëhen edhe vizitat sistematike. Mjekja Sebahate Alili, e cila disa vite me radhë ka realizuar kontrolle sistematike në shkolla, thotë për gazetën KOHA se viteve të fundit ka vërejtur shumë fëmijë që kanë patur probleme me shikimin. Ata fëmijë menjëherë janë udhëzuar të vizitohen tek oftamotologu që të marrin tretmanin e nevojshëm që mos u dëmtohet edhe më tej shikimi.
Edhe oftalmologu Ismail Mashkulli tregon se ka një rritje të dukshme të fëmijëve-pacientë, të cilët kanë probleme me shikimin. “Duke filluar nga fëmijët e moshave parashkollor, si dhe të moshave shkollore, kemi një rritje të dukshme të numrit të nxënësve të cilët mbajnë syze, gjë që tregon qarët se problemet me sytë tek fëmijët janë evidente”, thotë Mashkulli, ndërsa shton se nga kontrollet sistematike që realizojnë në shkolla, 80 për qind e tyre që u rekomandohen për vizitë tek ne, kanë probleme me dioptrinë, respektivisht me problemet e refrakcionit dhe mungesën e tharjes së lotit.
“Prandaj ne i rekomandojmë që të gjithë vizitat e fëmijëve duhet ti realizojnë që në moshën 3 vjeçare që të vërehen anomalit me kohë për të parandaluar problemet. E veçmas marrim masa për parandalimin e syrit dembel duke bërë nëpërmjet korrigjimit të dioptrisë. Shkaqet tani më janë të njohura meqë eksploatimi i tepër i celularëve nga që jetojmë në një kohë moderne, e cila të rriturve, por edhe fëmijëve ju mundëson komunikim nëpërmjet teknologjisë, por që në fakt kjo mënyrë e jetesës ndikon negativisht veçmas tek fëmijët”, thekson oftalmologu Mashkulli. Një situatë kur teprohet me përdorimin e celularëve, kompjuterit dhe qëndrimit të tepruar para ekranit televiziv, ndikohet edhe në shëndetin e përgjithshëm tek fëmijët, thonë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore në Dibër. Pediatri Ylber Kokale tregon se kur ndeshen me probleme shikimi te fëmijët, sugjerimet ndaj prindërve janë që fëmijët të qëndrojnë sa më larg ekraneve.
“Problemi kryesor qëndron tek prindërit, të cilët duhet të ndikojnë tek fëmijët që sa më pak të merren me celularët në dorë, ajpadet si dhe pranë kompjuterëve dhe ekraneve televizive. Në takimet që kemi me prindërit, në kontinuitet japim sugjerime për mbrojtjen e fëmijëve nga ndikimi që bën teknologjia moderne tek organi i syve”, thotë Kokale. Sugjerime u jepen edhe shkollave, por edhe çerdheve për fëmijë. Në shkollat fillore të Dibrës, nga viti në vit vërehet rritje e numrit të nxënësve që mbajnë syze, gjë që flet qartë se problemi me shikimin tek nxënësit është akut. Për problemin në fjalë, në orët e kujdestarisë nxënësve u sugjerohet që të mos rrinë me orë të tëra pranë kompjuterëve dhe maksimalisht t’ju shmangen lojërave në internet. Krahasuar me fëmijët në qytet, ato në fshatra dhe viset tjera rurale më pak kanë probleme me shikimin, pasi siç thonë mjekët, këta fëmijë më shumë luajnë në natyrë sesa me celularë dhe kompjuterë. (koha.mk)