Ai u kap përfundimisht në vitin 1978, falë disa dëshmitarëve që e kishin njohur me anë të fotografive. Gjyqi i tij ishte një shfaqje e vërtetë mediatike, i pari që u transmetua drejtpërdrejt në Shtetet e Bashkuara. I dënuar me vdekje, ai u ekzekutua me metodën e karriges elektrike në mëngjesin e 24 janarit të vitit 1989
Vrasës, përdhunues, nekrofil, por në të njëjtën kohë një njeri në dukje brilant dhe karizmatik. Ted Bundy ishte një nga vrasësit më të pamëshirshëm në historinë amerikane. Historia e tij ka frymëzuar filma, libra, dokumentarë dhe i fundit film është ai që pati premierën në 26 shtator, filmi “Ted Bundy – Bukuria e vrasësit serial”, me protagonistë Zac Efron dhe Lily Collins, që u transmetua në Rai 4.
I lindur në Burlington, Vermont, në 1946, Ted u rrit nga gjyshërit e tij. Nëna e tij, e cila mbeti shtatzënë kur ishte 16 vjeçe kaloi gjysmën e jetës se saj duke e bërë të besonte se ishte motra e tij. Ishte një tronditje për të kur, në moshën 20-vjeçare zbuloi të vërtetën. Bundy filloi të shfaqte prirjet për dhunë që në fëmijëri. Sipas disa biografive, Ted ishte një fëmijë i vetmuar dhe shënjestër e bullistëve, por që më pas e zbrazi gjithë zemërimin e tij në shtëpi, te vëllezërit e motrat më të vegjël. Vrasja e tij e parë e konfirmuar, daton në vitin 1974, gjatë viteve të universitetit në Seattle, megjithëse shumë besojnë se filloi të vriste që në vitet 1960. Po e para e vërtetuar është ajo e Lynda Ann Healy, e rrëmbyer, rrahur dhe përdhunuar. Kjo ishte vetëm e para nga një seri e gjatë vrasjesh, muaj pas muaji.
Brenda Carol Ball, Janice Ott dhe Denise Naslund janë vetëm disa nga viktimat e tij. Papritur doli një dëshmitare, Janice Graham, një 18-vjeçare nga zona, e cila i tha policisë se si ishte joshur nga një djalë i ri i quajtur Ted, i cili i kërkoi ndihmë një ditë në rrugë. Vendimi i saj për të mos e ndihmuar e për të mos hipur në makinën e tij, i shpëtoi jetën. Kështu edhe policia kishte përshkrimin e parë të vrasësit të dyshuar serial që kërkohej në zonë. Megjithatë Ted ishte larguar nga Seattle dhe ishte transferuar në Utah, ku filloi të kërkonte përsëri viktimat e radhës. Më 18 tetor 1974, 17-vjeçarja Melissa Smith u zhduk, e gjetur një javë më vonë pranë Salt Lake City, e përdhunuar. Më 31 tetor ishte radha e Laura Aime, trupi i së cilës u gjet në Ditën e Falenderimeve. Ajo ishte rrahur dhe mbytur.
Midis viteve 1974 dhe 1978, Ted Bundy vrau dhe përdhunoi 37 gra, shumë prej tyre i priste kokën. Shumicën e viktimave të tij i joshte në afërsi të kolegjeve ose rezidencave universitare, duke i kërkuar viktimës ndihmë për të transportuar objekte të ndryshme pune, në makinë. Ai u kap përfundimisht në vitin 1978, falë disa dëshmitarëve që e kishin njohur me anë të fotografive. Gjyqi i tij ishte një shfaqje e vërtetë mediatike, i pari që u transmetua drejtpërdrejt në Shtetet e Bashkuara. I dënuar me vdekje, ai u ekzekutua me metodën e karriges elektrike në mëngjesin e 24 janarit të vitit 1989.