Evis HALILI
Shkup, 18 nëntor – Financimi i punimeve për rikonstruktimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë vazhdojnë të figurojnë si projekte që duhet të realizohen edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, shkruan gazeta KOHA. Me të vetmin dallim se, për këto dy projekte, shumat që planifikohen të akordohen për vitin 2018 janë më të mëdha sesa ato të vitit të kaluar. Dallimi është drastik, sidomos për Teatrin e Shkupit, për të cilin Ministria e Kulturës planifikon t’i akordojë 250 milionë denarë, ose 150 milionë më shumë sesa viti i kaluar. Që do të thotë se punimet për përfundimin e këtij projekti janë në gjysmë të rrugës, po të kihet parasysh kostoja e përgjithshme e deklaruar disa vjet më parë, rreth 500 milionë denarë. Nga Teatri bëjnë me dije se kjo shumë nuk lidhet me likuidimin e faturave të prapambetura, borxheve eventuale, apo edhe punime ndërtimore, por me kompletimin e teatrit, arredimin me pajisje, orendi e të tjera. Pjesa më e madhe e kësaj shume do të përdoret për të blerë pajisjet, orenditë, montimin e skenës, e të tjera. Por përfundimi i punimeve që zgjat prej gati katër vitesh (filloi në vitin 2014) do të varet edhe nga realizimi i mjeteve financiare. Shumat me të cilat Ministria e Kulturës ka mbështetur çdo vit këtë projekt kanë qenë thuajse të njëjta, çdo vit 80 milionë denarë, me përjashtim të vitit të kaluar, kur iu akorduan 100 milionë denarë. Pavarësisht buxhetit që i është ndarë këtij projekti, ashtu si edhe atij për Teatrin në Tetovë, buxheti i akorduar është tërhequr sërish me rebalancimin e bërë në muajin qershor. Nëse Ministria e Kulturës është arsyetuar me disakordanca mes buxhetit të planifikuar dhe punimeve të realizuara, teatrot janë justifikuar me pengesa teknike dhe komplikime të paplanifikuara. Qerthulli i justifikimeve ka vazhduar pa u mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për afatet e përfundimit të projekteve që janë shkelur duke tejkaluar çdo tolerancë të arsyeshme kohore. Teatri dhe Biblioteka e Tetovës këtë vit do të marrë po ashtu 250 milionë denarë – shumë kjo që është 70 milionë denarë më e madhe se një vit më parë (180 milionë denarë vitin e kaluar). Të hollat do të përdoren për të vijuar me punimet për ngritjen e godinës, ndërtimi i së cilës është në fazat fillestare. Nuk dihet nëse paratë e dedikuara do të shfrytëzohen deri në fund, ose në mesin e vitit të ardhshëm do të kthehen mbrapsht në arkën e shtetit. Sa i takon financimit të aktiviteteve në dy institucione të tjera që lidhen me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare – nuk ka ndonjë ndryshim të madh në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Qendra Konservatore e Gostivarit, shkruan KOHA, do të ketë në dispozicion 3.900.000 denarë, ndërsa Muzeu i Alfabetit në Manastir 2.600.000 denarë. Buxheti për Muzeun është reduktuar, vitin e kaluar ishte gati tre milionë denarë. Por nëse për rikonstruktimin e këtij objekti Ministria e Kulturës nuk do të ndajë të holla, pas grantit të miratuar nga fondet IPA për këtë qëllim, në buxhet mesa duket nuk është bërë asnjë planifikim për shpenzimet shtesë, pagimin e qerasë për katin e parë, ose blerjen e tyre. (koha.mk)