Kooproduksion i Teatrit Shqiptar të Shkupit – “Gjigandët e maleve” (I giganti della montagna) kryevepra e shkrimtarit italian Luixhi Pirandelo, me regji nga Paolo Magelli, e luajtur në pesë gjuhë -italisht, sllovenisht, shqip, hungarisht dhe gjermanisht, do të shfaqet për dy net rresht, të enjten dhe të premten në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë
Evis HALILI
Shkup, 25 prill – Një koproduksion i pazakontë i Teatrit Shqiptar të Shkupit do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, “Gjigandët e maleve” (I giganti della montagna) kryevepra e shkrimtarit italian Luixhi Pirandelo, të cilën nuk arriti ta përfundonte. Me regji të Paolo Magelli, e luajtur në pesë gjuhë -italisht, sllovenisht, shqip, hungarisht dhe gjermanisht, do të shfaqet për dy netë rresht, të enjten dhe të premten (26 dhe 27 prill), shkruan gazeta KOHA.
Shfaqja është koproduksion i pesë teatrove evropiane, pjesë e projektit “Rizbulimi i Evropës”, e financuar nga Bashkimi Evropian, premiera e së cilës u shfaq më 2 shkurt në teatrin kroat “Ivan Zajc”. Meritën për realizimin e këtij projekti dhe përfshirjen e dy aktorëve shqiptarë Xhevdet Jashari dhe Fisnik Zeqiri në të drejtori i Teatrit Shqiptar Adem Karaga ia atribuon regjisorit Magelli. Kjo shfaqje, u shpreh Karaga, do të ishte e pamundur të realizohet nëse nuk krye të kësaj pune nuk do të qëndronte një njeri kolosal, siç është Paolo Magelli dhe ideja e tij brilante që të vërë në lëvizje mekanizmin artistik teatror të të gjithë trevave, shumica prej tyre janë pjesë e BE-së.
“Do të thosha se për ne ishte një privilegj. Sado që ne përpiqemi të jemi pjesë e BE-së, këtë mundësi na e dha kultura që të jetë përpara shtetit”, tha ndër të tjera drejtori Karaga. Idenë për të realizuar këtë projekt regjisori e përkufizoi si një përgjigje për pyetjen se çfarë mund të bëhet për më të pafuqishmit.
“Janë dy fjalë të cilat nuk i duroj dot. ‘Toleranca’ – një fjalë kjo fashiste që do të thotë se të urrej, nuk të honeps dot, kështu që të toleroj. Do ta kisha zëvendësuar me fjalën – ‘Të dua’. Fjala e dytë është ‘integrim’, që do të thotë se nuk e dua të ndryshmen tënde. Këtë fjalë do ta zëvendësoja me ‘respekt’, më saktë me respekt të thellë intelektual kulturologjik… Pikërisht ky prohejt është një udhëtim për dashurinë dhe respektin. Me të ne realizuam një ëndërr të madhe”, ka thënë regjisori i shfaqjes. Ky korpoduksion përfshin përvec Teatrit Shqiptar edhe Teatrin Kombëtar të Kroacisë “Ivan pl. Zajc”, Teatrin e Sllovenisë në Itali, Teatri Gjerman në Rumani dhe Teatrin “Kostozlanja Deszo” në Serbi. Në të luajnë aktorët Valentina Banci, Mirko Soldano, Eniko Blenessy, Giuseppe Nicodemo, Daniel Dan Malalan, Mauro Malinverno, Boris Kuçov, Doroteja Nadrah, Riçard Hladik dhe Silvia Torok. Muzika nga Ivanka Mazurkijeviq dhe Damir Martinoviq Mërle, skenografia nga Aleksandra Ana Bukoviq dhe Lorenzo Banci, ndërsa kostumografia nga Manuela Paladin Shabanović.
“Mos u merrni me politikë këto tre ditë dhe punë të tjera. Merruni me shfaqjen dhe do ta kuptoni edhe politikën, edhe gjithçka tjetër që ekziston në shtetin tonë”, ka thënë aktori Xhevdet Jashari.
“Gjigandët e maleve” u shkrua nga Pirandeli pak kohë përpara se të ndahej nga jeta dhe është vepra e fundit e tij, e pambaruar. Cilësohet si një përrallë bashkëkohore, e cila shkatërron të gjitha barrierat mes artistit dhe spektatorit, realitetit dhe imagjinatës. Pesë gjuhët e ndryshme me të cilat flasin aktorët në skenë janë vetëm në dukje të ndryshme, pasi kuptohen nga të gjithë. Ato flasin me gjuhën e përbashkët, gjuhën universale atë të artit teatror, që e flasin dhe e kuptojnë të gjithë. (koha.mk)