Evis HALILI
Shkup, 27 mars – Projekti për rikonstruktimin e Teatrit Shqiptar është në fazën e fundit të realizimit. Edhe pse punimet brenda godinës janë në kulmin e tyre, skelat e ngritura në pjesën më të madhe të objektit, drejtori i këtij institucioni Adem Karaga, ka deklaruar se gjenden pranë përfundimit të këtij projekti, shkruan gazeta KOHA.
Deklarata e tij është bërë gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit Hazbi Lika dhe sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri për të mbikëqyrur ecurinë e punimeve. Karaga ka përmendur se punimet gjatë këtyre katër viteve janë zhvilluar duke kaluar përmes një sërë peripecish, financiare, teknike, mungesë të projektit bazë, e një sërë pengesash të tjera që kanë dalë gjatë punimeve në terren, ka theksuar drejtori.
Sipas tij, projekti gjendet në fazën e fundit ku pritet kompletimi me aparatura dhe teknologjinë skenike të nevojshme, si edhe montimi i tyre.
“Është një lajm i mirë për njerëzit që merren me teatrin dhe për publikun që të kenë një hapësirë të re konform standardeve evropiane, e kompletuar me pajisjet më të reja teknologjike teatrore që do të ofrojnë punë më cilësore dhe publikut kënaqësi maksimale të të vizituarit të teatrit. Brenda këtyre katër viteve që po sillemi si nomadë dhe duke u përpjekur maksimalisht që të realizojmë programin vjetor për të cilin kemi hasur vazhdimisht në vështirësi, mezi presim të kthehemi në shtëpi, për të qenë më komodë në punën që ne bëjmë dhe të flakim tutje të gjitha ato vështirësi që kanë qenë pengesë. Pengesat financiare dhe ato teknike kuptohet që kanë lënë shenjat e veta duke zvarritur përfundimin e projektit, por
Zëvendëskryeministri Hazbi Lika gjatë vizitës në teatër, me rastin e Ditës Botërore të Teatrit ka premtuar përfundimin e shpejtë të punimeve dhe mbështetje maksimale për teatrin dhe projektet e tjera në kulturë.
“Qëllimi i vizitës në këtë projekt gjigand është që të solidarizohemi me Ditën botërore të teatrit dhe të japim impulse të mëtejshme të këtij projekti që t’iu kthehet pronarëve dhe sa më shpejt në të të zhvillohen evente kulturore. Rikonstruktimi po bëhet duke iu përshtatur të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe ne si Qeveri kemi dhënë mbështetjen tonë maksimale dhe kemi bërë çmos që punimet rikonstruktuese të vazhdojnë, pasi sa më shpejt të përfundojë aq më mirë është për të gjithë ne. Mbështetja jonë për kulturën shqiptare do të vazhdojë edhe me projekte të tjera, për të avancuar edhe më shumë kulturën shqiptare”, ka thënë Lika.
Punimet po ecin me hapa të përshpejtuara dhe sipas parashikimeve pritet të përfundojnë në muajt e parë të vjeshtës, atëherë kur do të vihet në skenë edhe shfaqja e parë.
Projekti hasi në një sërë pengesash që në vitin e parë, pas falimentimit të kompanisë italiane që duhej të merrej me rikonstruktimin. Në mungesë të planit fillestar, projektantët hasën në probleme teknike në terren, ndërsa kufizimet financiare dhe buxheti që i akordohej çdo vit shkaktuan zvarritjen e punimeve. (koha.mk)