Teatri më i vjetër në botë kthehet virtualisht

23

Pa të ardhura nga shitja e biletave, San Carlo tani po përballet me humbje prej mbi shtatë milionë euro dhe për të qëndruar në këmbë – mbështetet kryesisht nga financimi i rajonit të Campania-s dhe Ministrisë së Kulturës

Shfaqjet virtuale ishin alternativa e vetme që “Teatro di San Carlo” të rikthehet pranë publikut. Teatri “San Carlo” në Itali është teatri më i vjetër në botë, i cili ka arritur t’i mbijetojë luftërave, zjarreve dhe Revolucionit Napolitan. Më 4 dhjetor, salla e operës dha shfaqjen e saj të parë në internet me bileta – rezultat i një partneriteti me Facebook. Sipas Spedaliere, platforma e mediave sociale arriti pas një performance të orkestrës dhe ofroi partneritet me ta në një seri ngjarjesh të paguara.

“Ky teatër duhej të mendonte për diçka të re, të dilte nga një krizë e thellë dhe në të njëjtën kohë të ishte pranë audiencës”, thotë menaxherja ekskluzive e “San Carlos”, Emmanuella Spedaliere, gjatë një interviste për një video material nga CNN. Pa të ardhura nga shitja e biletave, San Carlo tani po përballet me humbje prej mbi shtatë milionë euro dhe për të qëndruar në këmbë – mbështetet kryesisht nga financimi i rajonit të Campania-s dhe Ministrisë së Kulturës. “Ekipi i San Carlo-s vendosi të aplikojë një qasje ‘demokratike’ në shitjen e biletave. Politika që morëm ishte të ofronim një biletë që kushton 99 centë për të gjithë, sepse një nga reflektimet më të rëndësishme, për sa i përket COVID-it, ishte se na bëri të gjithëve të ndjehemi të barabartë”, tha Spedaliere.

Drejtori artistik i teatrit, Stéphane Lissner, thotë se po punon me Ministrinë e Kulturës dhe atë të rajonit të Campanias për të hapur dyert për “fazën e dytë” të San Carlo-s. “Platforma do të presë koncerte, dokumentarë, projekte arsimore dhe biseda me udhëheqës të shfaqjeve artistike. Në këtë mënyrë, unë do të doja të arrija të gjithë ata që zakonisht nuk i afrohen teatrit për arsye gjeografike ose ekonomike”, thotë Lissner. Me mbylljen e teatrove në të gjithë Italinë, artistët kanë vuajtur për shkak të mungesës së punës, duke bërë që shumë prej tyre të largohen plotësisht nga sektori i arteve. “Unë njoh shumë artistë që janë vërtet të dëshpëruar, dhe shumë prej tyre janë të gatshëm të ndryshojnë profesione, sepse thjesht nuk mund të mbajnë familjet e tyre më gjatë”, shprehet këngëtarja e operës Elina Garanca, e cila interpretoi në operën e parë të transmetuar drejtpërdrejtë në San Carlo.

Shumë nga artistët me të cilët Garanca punon, nuk kanë performuar që nga muaji mars. “Unë mund ta llogaris veten me fat, duke qenë se isha pjesë e projektit virtual”, tha ajo. I ndërtuar në qytetin jugor të Napolit nën sundimin e mbretit Charles të Bourbon në 1737, teatri i operës mban ende madhështinë e kohës. Në skenën e tij kanë shkelur figurat më ikonike të artit skenik si këngëtarët e operës Luciano Pavarotti e Maria Callas, dirigjenti me famë botërore Igor Starvinsky e valltarja Carla Fracci, e cila drejtoi edhe akademinë më të vjetër të vallëzimit të teatrit.