Evis HALILI
Shkup, 10 dhjetor – Xhirollogaria e Teatrit të Tetovës vazhdon të jetë e bllokuar. Jo vetëm shfaqjet e tjera që nuk janë realizuar sipas Programit të paraparë nga ky institucion, por edhe Edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar Teatror është anuluar për shkak të borxheve, shkruan gazeta KOHA. Janë rreth tre milionë denarë borxhe të akumuluara që prej vitit 2013, por që rezultuan me pezullimin e aktiviteteve, në mënyrë që shuma të mos rritej. Kështu thotë Blerta Mamuti, ushtruese detyre e drejtorit në Teatrin e Tetovës. Pjesa më e madhe e faturave që duhen likuiduar janë për Agjencinë për të drejtat autoriale, kryesisht honorarë.
“Që me ndryshimin e drejtorit, xhirollogarinë e patëm të bllokuar dhe ashtu vazhdon të jetë. Ministria e Kulturës nuk lejoi që të kryhen aktivitete. Duhet të bëhen këto pagesa deri në fund të vitit, në mënyrë që mos të grumbullohen edhe borxhe të tjera”, thotë për KOHA Mamuti. Sipas drejtoreshës, obligimet financiare ndaj firmave të ndryshme nuk kanë arritur të bëhen në kohë, pasi edhe pagesat nga Ministria e Kulturës nuk janë bërë kur duhet. Si pasojë, Teatri i Tetovës ka realizuar gjithsej vetëm dy shfaqje nga programi i këtij viti, një nga ansambli shqiptar dhe një nga ai i Dramës Maqedonase. Për programin e këtij viti ka konkurruar me dhjetë projekte, realizimi i të cilave do të varet nga likuidimi i borxheve. “Ministria ka premtuar se kjo shumë do të shlyhet deri në fund të këtij viti. Kushtet janë ashtu si edhe vitet e tjera në këtë periudhë dimri, pa ngrohje qendrore, vazhdojmë të funksionojmë në një situatë tashmë të ngjashme, si qiraxhinj”, thotë Mamuti. Ajo për të cilën ky institucion nuk ka mungesa janë aktorët, stafi i të cilëve është i kompletuar. Me ndryshimin që në të ardhmen të punësohen më shumë aktore, potencon drejtoresha. Sa i takon regjisorëve, dramaturgëve, e të tjerë ky institucion nacional funksionon me mungesa, në një situatë të ngjashme me Teatrin Shqiptar të Shkupit. Teatri i Tetovës këtë vit mbushi dhjetë vjet që nga themelimi si institucion nacional, por si pasojë e kushteve ku funksionon, në Qendrën e Kulturës, në të jepen shfaqje varësisht kushteve atmosferike. Mungesa e ngrohjes së sallës ka sjellë që për disa vite rresht sezonet të mbyllen në fund të vjeshtës dhe të hapen në pranverë. Por sipas të gjitha gjasave këto kushte do të vazhdojnë të qëndrojnë si të tilla edhe për disa vjet, deri në përfundimin e punimeve dhe kompletimin e teatrit të ri, në kuadër të kompleksit Teatri dhe Biblioteka, projekt ky që edhe pse kapital është zvarritur prej disa vitesh dhe për të cilin po ashtu nuk ka një afat për përfundimin e punimeve. Në buxhetin e këtij viti Ministria e Kulturës ka shtuar fondet për këtë projekt, ecuria e të cilit do të varet edhe nga mënyra sesi do të realizohen punimet në terren. Prej gati katër vitesh me rebalancin e buxhetit në mes të vitit janë tërhequr fondet e akorduara kanë përfunduar sërish në arkën e shtetit, për shkak të mospërputhjes së llogarive mes planifikimit dhe realizimit. (koha.mk)