Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli deklaroi mbrëmjen e sotme se është hapur zyrtarisht gara, ku ftohen të gjithë arkitektët që të paraqesin projektet e tyre për Teatrin e ri Kombëtar.
Në një intervistë për Report Tv, ai tha se afati përfundimtar është deri në 19 shtator dhe më pas përzgjedhja do të bëhet nga një komision i përbërë nga 7 anëtarë dhe më pas do të kalojë në disa hallka, nga parlamenti deri në një përballje publike.
“U arrit një marrëveshje me Veliajn dhe një pjese të komunitetit që ishin në lëvizje, me sindikatën ku u bë një marrëveshje me Altin Bashën, Arben Derhemin që nuk do preket, madje u bë një ligj i veçantë. Është ngritur një Komision, i cili negocion me firmat që do të futen në konkurrim. Ai nuk është projekti definitiv, është një nga konkurruesit. Komisioni e vendos, i përbërë nga 7 veta. Ka dalë thirrja publike për projektin e Teatrit Kombëtar, që mbyllen pas 2 muajsh, më 19 shtator. Ka vetëm 10 ditë që ka dalë që është bërë thirrja. Pasi mbarojmë ne punë, këtu është lufta më e madhe, kalon në parlament, te kryeministri dhe do ketë edhe një përballje publike. Dhe aty do ketë zëra nga komuniteti që mund ta kontestojnë apo ta përmirësojnë projektin deri sa të arrijmë te plani final”, theksoi ai.
Çuli shtoi se Teatri Kombëtar ka një hapësirë prej 5500m katrorë dhe nga kjo hapësirë nuk do të lëvizë asnjë centimetër. “5500 m2 është hapësira e teatrit, nga kjo nuk do të lëvizet asnjë metër”, deklaroi Çuli duke shtuar se “nëse politika “ha” nga territori i teatrit, do protestojë para qeverisë së sotme”.
Drejtori i Teatrit nënvizon se ndërtimi i një teatri të ri është një nevojë urgjente, pasi aty nuk ka hapësira të mjaftueshme dhe mbi të gjitha aspak dinjitoze për artistët. Duke vënë në dukje kushtet, ai tha se kostumografia apo materialet e tjera të nevojshme për ndërtimin e një atmosfere të një shfaqjeje, janë drejt shkatërrimit.
“Aty ekziston rreziku për shumë gjëra, vlera e materiale ka të bërë me gardërobën rekuizitë, shpatat, tavolinat, karriget, atmosfera e një skene artistike sepse janë element që janë përdorur 40-50 vite më parë dhe dihet kujt i përkasin. Kostumografia ndër vite, janë pjesë e inventarit dhe të arkivës së artë, një nga arsyet e tjera se pse gjendja në teatër duhet të ndryshojë. Po na kalben kostumet dhe historia brenda atyre mureve. S’ka hapësira të mjaftueshme”, tha Çuli.
Gjatë intervistës, drejtori i Teatrit Kombëtar, tha se ka bërë kallëzim në polici, pasi ky institucion nuk po drejtohet më teknikisht nga ai dhe as nga Ministria e Kulturës, por nga një grupim njerëzish.
“Përfundimisht Teatri nuk drejtohet më as nga unë, as nga Ministria e Kulturës, por nga ky grupim (Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit). Detyra ime ka qenë të vë në dijeni organet kompetente, kam bërë një denoncim institucional pranë këtyre organeve që institucioni nuk është më në kontroll të administratës dhe të punonjësve të Teatrit Kombëtar, kështu që jeni ju që duhet të merrni masat. Denoncimi ka rreth 3-4 ditë brenda 24 orëshit të momentit që ndodhi ngjarja”, sqaroi Çuli duke shtuar se “nuk kam asgjë me aktorët që duan teatrin, por në këtë rast është detyrim institucional në radhë të parë sepse nesër, pasnesër mund të ketë objekte të dëmtuara, të vjedhura dhe përgjegjësia është mbi punonjësit. Janë vlera monetare dhe historike të jashtëzakonshme”.
I pyetur lidhur me marrëveshjen e PD me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit të cilët janë kundër prishjes së teatrit, Çuli e cilësoi si “kontrata para-elektorale”, për të cilat është i bindur se nuk zbatohen.
Ai vuri theksin se kjo luftë politike duhet të shfryëzohet për të mirën e Teatrit. “Nuk besoj te politika në përgjithësi, që kontrata para elektorale i mban në këtë rast. Punë e Bashës dhe Aleancës. Dua t’i drejtohem të gjithë komunitetit artistik dhe aktorëve që janë heronj, ata janë në pritje dhe në momentin që ne do të çedojmë diçka te projekti, ata nuk të falin dhe janë mbështetja në çdo kohë. Nëse unë që jam përfaqësuesi i tyre, nëse toleroj diçka, nuk mund të falin. Duhet të fitojmë nga ky konflikt politik, të marrim më të mirën e mundshme për atë që do të ndodhë më pas“, tha Çuli.
“Duam, s’duam duhet të pranojmë 30 vjet, për çdo qeveri vëmendja e tyre për Teatrin ka qenë “0”. 30 vjet nuk kam parë aktiv asnjë nga intelektualët që të shkruajnë fjalë për teatrin. Nëse këta do ishin aktiv, do kishin dhënë mendime të pjekura do kishin të drejtë morale, por sot po futen futen thjesht për të kundërshtuar Ramën. Nuk shoh vullnet politik që të ndërtojnë një teatër të ri”, tha ai.