Ministria e Kulturës i ka refuzuar ankesën Teatrit Shqiptar për akordimin e një fondi shtesë me qëllim realizimin e programit vjetor. Si zgjidhje alternative mbetet improvizimi, zëvendësimi i projekteve me të tjera, që kushtojnë më pak. Radhën e ka projekti i Kreshnik Bekteshit, i cili do të duhet që “Zjarrvënësin” e Frishit ta zëvendësojë me një pjesë tjetër që kushton më pak. Edhe me ndryshimet e ministrave kaosi i krijuar këto muaj me Programin vjetor nacional të kulturës vazhdon
Evis HALILI
Shkup, 12 korrik – Në vend të miratimit të fondeve shtesë për realizimin e Programit vjetor të Teatrit Shqiptar, Ministria e Kulturës do të duhet të miratojë ndryshimin e projekteve, nga ato ekzistues në projekte me kosto më të ulët. Përveç zvarritjeve disa vjeçare për rikonstruktimin e objektit, improvizimet me institucionin më të rëndësishëm nacional të kulturës dhe artit shqiptar, vazhdojnë edhe në projektet që realizohen brenda tij, shkruan gazeta KOHA.
Një prej tyre është shfaqja “Zjarrvënësit” shkruar nga Maks Frish me regji të Kushtrim Bekteshit, për të cilën Teatri kërkoi që të financohej me 2.5 milionë denarë, por në realitet iu akorduan vetëm 1 milionë denarë.
Në teatër pohojnë se që pas shpalljes së rezultateve të konkursit për Programin vjetor, gjatë kësaj periudhe janë drejtuar me disa ankesa, për të cilat nuk kanë marrë aprovim për akordimin e një fondit shtesë për të siguruar kushte optimale për realizimin jo vetëm të kësaj shfaqje, por edhe të programit vjetor të institucionit.
Në këtë situatë, mundësia e vetme për realizimin e projektit të Bekteshit është ndryshimi i pjesës teatrale që do të duhet të vihet në skenë, në mënyrë që t’i përshtatet nevojave të ministrisë dhe jo të teatrit. Regjisori Bekteshi thotë për KOHA se nëse aprovohet ndryshimi i tekstit nga Ministria, projekti i tij do të realizohet në muajt e fundit të vitit.
“Tani për tani asgjë s’është konkretizuar për punën time në Teatrin Shqiptar, pasi me buxhetin e ndarë, ajo shfaqje që e kam propozuar, nuk mund të realizohet. Si opsion mbetet të shqyrtohet mundësia që të propozojë një tekst tjetër që mund të realizohet në limitet e buxhetit prej 1 milion denarësh”, thotë Bekteshi.
Për realizimin e Programit vjetor, Teatrit Shqiptar iu ndanë 2.750.000 denarë në vend të shumës së kërkuar prej 4.388.300 denarë. Pas ankesave publike nga ky institucion, nga Ministria e Kulturës deklaruan se do të korrigjojnë fondet e akorduara për teatrin, por edhe për një sërë projektesh nga veprimtari të tjera, si muzika, botimi…, por edhe disa muaj pas shpalljes së rezultateve – ankesat nuk u miratuan, një pjesë tjetër madje as që janë shqyrtuar. Edhe me ndryshimet e ministrave kaosi i krijuar këto muaj me Programin vjetor nacional të kulturës vazhdon.
Disa ditë më parë, ministri i Kulturës, Asaf Ademi, gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruktimin e teatrit, i pyetur nëse do të merren parasysh pakënaqësitë për fondin e akorduar, nuk dha përgjigje konkrete, thjesht u shpreh se nëse ka ankesa do të shqyrtohen.
Drejtori i Teatrit Shqiptar, Adem Karaga, thotë se ankesat i janë refuzuar dhe në këtë situatë ku gjenden, i mbetet vetëm të vijojnë me realizimin e programit të planifikuar.
“Është një situatë e ngjashme që na përsëritet, ankesat nuk na u miratuan, kështu që na duhet të realizojmë projektet me vështirësi të mëdha. Ne prej disa vitesh punojmë në kushte specifike, na duhet të endemi për të siguruar skenën për të siguruar kushte në skena dhe teatro të ndryshme, kështu që buxheti duhet të jetë pak më i madh, pasi edhe shpenzimet që ne bëjmë në shumë raste janë të paparashikuara”, thotë për KOHA, Karaga.
Teatri Shqiptar për këtë vit kërkoi një buxhet më të madh, në mënyrë që të siguroheshin kushte për rimëkëmbjen e dinjitetit të institucionit, duke filluar nga produksioni i pasur me autorë të verifikuar për vlera të larta artistike, por edhe duke e shoqëruar edhe me një fushatë agresive mediatike për rikthimin e publikut në Teatër. Kështu pati deklaruar drejtori Karaga në muajin shkurt, menjëherë pas shpalljes së rezultateve të konkursit. Me buxhetin e vitit 2018 krijohen shumë pikëpyetje edhe për pjesëmarrjen në festivalet jashtë vendit të Teatrit Shqiptar, pasi fondi i akorduar është shumë i vogël. (koha.mk)