Tetovë, 25 dhjetor – Banorët e fshatit Tearcë, të cilët janë në listën e fletëvotimit në vendvotimin numër 2011, kanë dalur për të dhënë votën e tyre mes dy partive maqedonase që garojnë në përsëritjen e votimit nga zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit. Në këtë vendvotim, shkruan gazeta KOHA, ku ka gjithsej 711 votues të regjistruar, kryesisht popullsi e përzier etnike, shqiptare, turke dhe maqedonase, dalja ka qenë pak më e madhe se më 11 dhjetor. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit komunal zgjedhor në Tearcë, Husein Huesini, i cili tha se në mëngjes vendvotimi është hapur, dhe ka vijuar procesi i votimit pa probleme, ndërsa i njëjti është ndërprerë rreth orës 9, kur ka patur problem me UV llambën. Më pas, sipas tij, procesi zgjedhor ka vazhduar pa problem. Në ndërkohë, qytetarët shqiptarë kanë theksuar se votojnë për një të ardhme më të mirë. “Kemi dalë për të votuar sepse mendojmë se do të bëhet më mirë. Kemi shumë premtime dhe nëse nuk i realizojnë premtimet, atëherë pas katër vitesh do t’i dënojmë”, tha një votues pasi shfrytëzoi të drejtën e tij të votimit. I pyetur për informacionet që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale se ka patur blerje të votave, ai ka mohuar një gjë të tillë, ndonëse theksoi se ka patur tentime të tilla dhe është përfolur shumë në këtë fshat. Në ndërkohë, që nga orët e para të mëngjesit, në territorin e Komunës së Tearcës është vërejtur prani e shtuar e forcave policore, si atyre të rregullta – poashtu edhe të njësive speciale. Ata ishin stacionuar përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë, ndërsa poashtu është raportuar se të shtunën mbrëma ka patur edhe arrestime të dy aktivistëve për tentim për të blerë vota. Por policia e Tetovës theksoi se nuk ka patur dëshmi. “Mbrëmë rreth orës 18:00, një person nga Tearca denoncoi në Stacionin Policor të Tetovës një rast për manipulim zgjedhor. Menjëherë pas denoncimit, Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës doli në terren, duke marrë masat adekuate. Pas marrjes në pyetje edhe të personit që bëri denoncimin, Policia doli në konkluzionin se nuk ka elemente për një vepër të tillë penale. Pra nuk kemi persona të arrestuar e as të ftuar në biseda informative deri në këtë moment”, tha Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. (U.H)