Hapja e rrugës së re është inicuar nga Komuna e Tearcës, Komuna e Zhelinës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, ndërkohë që projekti është hati që në nëntor të vitit 2016
Urim HASIPI
Tetovë, 8 janar – Edhe pse në Tetovë qarkullojnë mbi 60 mijë automjete, Tetova vazhdon të jetë e stërngarkuar dhe kanë kaluar vite të tëra që nuk hapen rrugë të reja. Një problem shtesë është se Tetova, është duke u përdorur si një aks tranzit për udhëtarët që shkojnë nëpër komunat e tjera të Pollogut, por edhe në Republikën e Kosovës. Nevoja për një qarkore në Tetovë, e cila do të ishte lidhur nga autostrada për në rrugën Tetovë-Jazhincë, është e domosdoshme dhe do të kishte lehtësuar komunikacionin, sepse automjetet e sidomos automjetet e rënda transportuese që vazhdojnë rrugën për në Kosovë detyrohen të kalojnë nëpër një pjesë të qytetit, e cila në masë të madhe e ngarkon komunikacionin. Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, deklaroi se viti 2020 do të jetë viti i fillimit i një projekti të mirëfilltë për këtë rrugë, duke cilësuar se kjo do të ndodhë në bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror .
“Në vitin 2015, Komuna e Tearcës përgatiti dokumentacionin bazë, projekt themelor për rrugë alternative nga fshati Neproshten deri në autostradën Tetovë-Shkup. Vitin që e lamë pas, ka qenë një vit i realizimit të projektit ideor, ku edhe pushteti qendror ka marrë përsipër, por edhe ne si pushtet lokal kemi bërë trysni që viti 2020 të jetë vit i fillimit të punëve të rrugës alternative Neproshten-Trebosh Tetovë. Kjo rrugë do të lehtësojë komunikacionin në rrugën Tetovë-Jazhincë, e cila deri para pak kohësh e ka mbajtur epitetin rruga e vdekjes”, tha Asani.
Ndër të tjerash, ai deklaron se Komuna e Tetovës së bashku me Komunën e Tearcës, Jegunocit por edhe atë të Zhelinës, kohë më parë kanë kërkuar që të bëhet rikategorizimi i rrugës aktuale me qëllim që të lehtësohet komunikacioni brenda në qytet. Një kohë të gjatë në rrugën Tetovë-Jazhincë, është dyfishuar frekuentimi i automjeteve. Si pasojë e kësaj, janë rritur edhe aksidentet. Sipas policisë së Tetovës, arsyet më të shpeshta për numrin më të madh të aksidenteve në këtë rrugë është mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, gjegjësisht vozitja e shpejtë, mos respektimi i sinjalistikës rrugore, stërngarkimi i rrugës për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë, sidomos në muajt e verës dhe gjatë festave të fundvitit kur mërgimtarët kthehen në vendlindje.
Hapja e rrugës së re e cila është inicuar nga Komuna e Tearcës, Komuna e Zhelinës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nga fshati Neproshten për në rrugën regjionale Tetovë-Trebosh, e cila nuk do të ketë karakter të rrugës lokale, por pritet të jetë një rrugë regjionale. Projekti për hapjen e kësaj rrugë është inicuar në nëntor të vitit 2016, por e njëjta nuk filloi të ndërtohet as në tre vitet e ardhshme. Më pas u ndryshua karakteri i kësaj rruge, respektivisht në vitin 2018 dhe sërish nuk filloi të ndërtohet. Tanimë kompetencat për ndërtimin e kësaj rruge i ka marrë pushteti qendror, por edhe në këtë drejtim – përveç premtimeve edhe të ish kryeministrit Zoran Zaev dhe funksionarëve shqiptarë, nuk është bërë asgjë konkrete. (koha.mk)