Në Maqedoni, duket se po vonohen punët për të ndërtuar konsensusin e brendshëm politik me të gjitha faktorët politik, ndër ta edhe opozita maqedonase, thonë analistë politik dhe ekspertë të çështjeve evropiane
Fatos RUSHITI
Shkup, 9 maj – Më 17 maj në Sofje të Bullgarisë në margjina të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, është planifikuar të takohen kryeministri Zoran Zaev me kryeministrin grek Aleksis Cipras. Siç njoftojnë mediat greke, në takimin midis dy kryeministrave pritet të kërkohet modaliteti për zgjidhjen përfundimtare të kontestit disa vjeçar të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, shkruan gazeta KOHA. Sipas burimeve diplomatike, është arritur përparim i dukshëm në shumë tema e që janë pjesë e bisedimeve, edhe përkundër asaj se ka mbetur dallimi kryesor rreth përdorimit të emrit “erga omnes”, ndërkaq Zaevi dhe Cipras kanë “komunikim të vazhdueshëm telefonik edhe pse bisedimet mes tyre dhe kontaktet nuk bëhen publike”.
Por nga ana tjetër, në vend ende duket se po vonohen punët për të ndërtuar konsensusin e brendshëm politik me të gjitha faktorët politik, ndër ta edhe opozita maqedonase, kjo sipas asaj që thonë analistë politik dhe ekspertë të çështjeve evropiane.
OPINIONI I PAPËRGATITUR
“Për momentin, është e qartë se qeveria nuk e ka përgatitur opinionin për pranimit e një emri të ri edhe për përdorim të brendshëm, gjë që padyshim e bën zgjidhjen e çështjes se emrit edhe më të komplikuar”, mendon analisti politik Ibrahim Mehmeti. Mbetet të shihet, shton ai, nëse kjo çështje do të tentohet të zgjidhet ndoshta me referendum ose në ndonjë formë tjetër, por në çdo rast – thekson Mehmeti, është e domosdoshme që opinioni i brendshëm të përgatitet për një zgjidhje të këtillë.
“Nga ana tjetër, duket qartë se Greqia nuk është e gatshme për zgjidhje të problemit nëse kjo nuk është ‘erga omnes’, gjë që e vendos qeverinë dhe kryeministrin para një testi shumë të madh”, thotë për KOHA, Mehmeti. Ai vlerëson se opozita duhet kyçur sa më shpejtë të jetë e mundur në procesin për emrin, ngaqë sipas Mehmetit, ajo mund të krijojë probleme që do ta vështirësonin arritjen e rezultatit final.
“S’ka dyshim se për zgjidhje përfundimtare të këtij problemi do të jetë e domosdoshme të kyçet edhe opozita, sepse në qoftë se ajo e kundërshton dhe e politizon procesin e marrëveshjes, atëherë është vështirë të pritet rezultat i kënaqshëm. E nga ana tjetër, mund të ndodhe që opozita ta shfrytëzojë këtë për pika politike, gjë që do të ishte shumë e dëmshme edhe për shtetin, por edhe për opozitën, mirëpo megjithatë kjo nuk mund të përjashtohet”, thotë Mehmeti. Për ekspertin e çështjeve evropiane Muhamer Pajaziti, kryeministri Zoran Zaev me përkrahje të opozitë dhe të partive shqiptare do të ishte më komod në bisedat direkte me palën greke për çështjen e emrit.
“Po të kish ndërtuar deri më tani kryeministri Zoran Zaev një formule të përbashkët për bisedime direkte me të gjitha faktorët në vend, pra me opozitën maqedonase dhe me partitë shqiptare, do të ishte më komod në biseda direkte me kryeministrin Cipras për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me emrin. Si duket, Zaev duke e ditur se e presin ndryshimet kushtetuese dhe referendumi që vetë e ka paralajmëruar, po vonohet me qëllim që palës greke ti bëhet e ditur se edhe ajo duhet të lëshojë pe në përdorimin e emrit ‘erga omnes’, meqë ai vet nuk mund të marrë hapa radikal për një zgjidhje afatgjate”, thekson për KOHA, Pajaziti.
Sipas tij, nëse pala maqedonase nuk lëviz drejt rishikimit të historisë dhe identitetit të saj nacional dhe nga ana tjetër pala greke nuk e zbut qëndrimin për përdorimin e emrit ‘erga omnes’, nuk ka asnjë siguri se Maqedonia mund të merr ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e radhës në Strasburg, thotë Pajaziti.
“Ndryshimi i emrit kushtetues është sfidë e ardhshme e Maqedonisë, prej të cilës varet anëtarësimi i saj në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Para Samitit të ardhshëm të NATO-s, lidershipi dhe Akademia e Shkencave Maqedonase medoemos duhet t’i nënshtrohen rishikimit të historisë dhe identitetit të tyre. Në këtë drejtim, edhe pala greke duhet të zbusë qëndrimin për përdorimin e emrit ‘erga omnes’ gjatë procesit të negociatave, të cilat deri më tani janë zhvilluar në Uashington, Athinë dhe Shkup. Nëse nuk ka lëvizje në këtë drejtim, nuk do të ketë asnjë siguri se Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në Samitin e radhës në Strasburg”, thekson Pajaziti.
Ai është kritik ndaj diplomacisë maqedonase, e cila nuk ka inkuadruar asnjë përfaqësues shqiptar në procesin rreth emrit. Në rast të kundërt, Muhamer Pajaziti, mendon se përfshirja e shqiptarëve do të kontribuonte shumë në zgjidhjen e problemit.
SHBA, BRUKSELI DHE OKB TË JETË GARANCA E MARRËVESHJES
“Në këtë cikël negociatash, është për çudi dhe bie në sy një fakt, se si diplomacia maqedonase nuk përfshiu as edhe një përfaqësues të komunitetit etnik shqiptar në këtë proces. Palë, e cila do të kontribuonte shumë në zgjidhjen e problemit, sepse sipas fakteve historike – në mënyrë direkte apo indirekte shqiptarët janë të lidhur më ngushtë me emrin, sepse kanë jetuar në periudhën e shtetit të lashtë me emrin Maqedonia, përderisa maqedonasit as nuk kanë qenë prezentë në këto territore. Sidoqoftë kjo situatë dëshmon vazhdimësinë e anashkalimit të shqiptarëve në proceset vendimmarrëse. Shqiptarët në politikën e jashtme të Maqedonisë akoma shërbejnë vetëm si mekanizëm për të votuar marrëveshjet dhe deklaratat e “fqinjësisë së mirë” që hartojnë maqedonasit me vendet fqinje në prag të integrimeve euroatlantike”, thekson Pajaziti.
Ish ministri i Punëve të Jashtme, Nano Ruzhin, thekson se përveç ndryshimit të Kushtetutës, marrëveshja bilaterale mes dy vendeve me mbështetje të BE-së, OKB-së dhe SHBA-ve, do të ishte zgjidhja më e mirë afatgjate dhe siguri që Maqedonia të anëtarësohet në NATO. “Emri është gjetur, a bëhet fjalë për Maqedoni Veriore ose të Epërme, tashmë ekziston konsensus për këtë çështje. Problemi tani qëndron tek garancat që të dyja palët, e në veçanti pala greke i kërkon se vallë, Maqedonia do ta respektojë emrin e ri të vendit. Për këtë arsye, të dyja palët kërkojnë para qytetarëve garanci për ndryshime Kushtetuese. Por kjo për mendimit tim nuk është garanci e sigurt, garanca më e sigurt është marrëveshje bilaterale midis dy vendeve, e cila do të mbështetet normalisht nga Kombet e Bashkuara, SHBA-ve dhe Brukselit” , thotë për gazetën KOHA, ish-ambasador Ruzhin.
Ndryshe zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa resor, Dimitris Xanakopulos, në qëndrimin tij të fundit për çështjen e emrit vë në pah kushtin që Maqedonia të pranojë ndryshimin e Kushtetutës. “Është e nevojshme marrëveshje ku qartazi do ti përshkruante hapat e zgjidhjes. Ndryshim të emrit në marrëdhëniet ndërkombëtare, pastaj ndryshim të Kushtetutës të IRJM-së, dhe pastaj vjen mbështetja e Greqisë për integrim të fqinjit në gjitha organizatat ndërkombëtare. Kjo është pozita jonë që e paraqitëm në negociata”, ka thënë Xanakopulos. (koha.mk)