Ministri i Punëve të Brendshme të Bangladeshit, Han Kemal bëri thirrje për vazhdimin e presioneve diplomatike për kthimin në tokat e tyre të muslimanëve të Arakanit, të cilët janë strehuar në Bangladesh duke ikur nga persekutimet në Mianmar. Kemal në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) foli për gjendjen e muslimanëve të Arakanit në Bangladesh, si dhe për procesin e kthimit të tyre në Mianmar. “Nëse zvogëlohen presionet ndërkombëtare, Mianmari nuk do të bëjë asgjë për kthimin e muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre”, thotë Kemal. Ai tha se qeveria e Bangladeshit po përpiqet që të ofrojë kushte që muslimanët e Arakanit të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë të sigurtë. “Nëse muslimanët e Arakanit nuk kthehen (në tokat e tyre), atëherë do të kenë një të ardhme të errët”, thotë Kemal.
Kurse eksperti i sigurisë Sakhawat Hysejin, duke folur për sinqeritetin e zyrtarëve të Mianmarit lidhur me kthimin e muslimanëve të Arakanit në tokat e tyre, tha se “Mianmari ka zhvilluar takime bilaterale (për këtë çështje) me Bangladeshin vetëm për t’i dhënë materiale mediave ndërkombëtare”. Hysejin, i cili lavdëron rolin e Turqisë për njoftimin e opinionit publik lidhur me persekutimin e përjetuar nga muslimanët e Arakanit, thotë se edhe shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), duke filluar nga Arabia Saudite, duhet të jenë pjesë e presionit të aplikuar ndaj Mianmarit. Nga ana e tij, eksperti nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Dakka, Prof. Dr. Imtiyaz Ahmed thotë se “Nëse nuk e ngrisim zërin në nivelin ndërkombëtar, Mianmari do të vazhdojë të shtyjë procesin e kthimit të muslimanëve të Arakanit”.
Ai thotë se për aplikim të presionit ndaj Mianmarit qeveria e Bangladeshit duhet të dërgojë delegacione në Kinë, Indi dhe shtete tjera anëtare të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN). “Në këtë mënyrë fillon kthimi sa më i shpejtë i muslimanëve të Arakanit”, tha Ahmed. Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme së Bangladeshit, Mustafa Kemal Udd dhe Sekretari i Ministrisë së Brendshëm të Mianmarit, Tin Myint javën e kaluar ishin takuar në kryeqytetin e Mianmarit në Nepido. Në takim ishte bërë e ditur se mes dy shteteve është nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi dhe se është arritur marrëveshje për ndalimin e kalimeve të muslimanëve të Arakanit në Bangladesh.
“Kemi nevojë të zhvillojmë më shumë takime për të diskutuar për çështjen e muslimanëve të Arakanit të cilët po kalojnë në Bangladesh”, tha Tin Myint. Ministri i Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Mahmud Ali më 2 tetor në Daka është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Shtetit të Mianmarit, U Kyaw Tint Swe. Pas këtij takimi, qeveria e Mianmarit kishte deklaruar se do të lejojë kthimin e muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh si rezultat i sulmeve të ushtrisë dhe të budistëve fanatikë, në rast se ata kanë regjistrime zyrtare në Mianmar. Mirëpo, shumica e muslimanëve të Arakanit nuk janë të regjistruar në Mianmar, për shkak se ky vend nuk i pranon ata si shtetas të saj. Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra, kurse mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore. Ndërkaq, dhjetëra mijëra persona të tjerë janë në kërkim të rrugëve për të ikur në Bangladesh.
Gjatë viteve 1970-ta mendohet se në Arakan jetonin rreth 2 milionë muslimanë. Ky numër për shkak të ikjeve nga sulmet sistematike ka rënë në nën 200 mijë.