Ekspertët e energjetikës vlerësojnë se vendi ka nevojë që më seriozisht të investojë në kapacitete prodhuese të energjisë elektrike që shumë pak apo aspak nuk ndotin, duke investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, si uji, era, dielli…
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 nëntor – Maqedonia e Veriut edhe një kohë të gjatë do të jetë e varur nga energjia e prodhuar nga thëngjilli. Analizat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se prodhimi i termocentraleve me qymyr merr pjesë me 60 për qind, me 15 për qind marrin pjesë hidrocentralet e mëdha, hidrocentralet e vogla marrin pjesë me 5 për qind, impiantet kogjenerative që përdorin gaz me 15 për qind, Elektrana e erës në Bogdanci merr pjesë me 2.5 për qind e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, ekspertët e energjetikës vlerësojnë se vendi ka nevojë që më seriozisht të investojë në kapacitete prodhuese të energjisë elektrike që shumë pak apo aspak nuk ndotin duke investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, si uji, era, dielli etj.
Orientimi ndaj mënyrave të tjera të prodhimit të energjisë imponohet edhe nga fakti se shteti ka rezerva të linjitit për 20 deri 30vitet e ardhshme. Njëherësh është paralajmëruar se do të punohet në revitalizimin e termocentraleve në Manastir për prodhimin e energjisë elektrike me qymyr me kalori të lartë nga importi që pritet të ulë edhe ndotjen.
Nga Qendra për Efikasitet Energjetik thonë se si shtet kemi potencial që deri në vitin 2050 , totali i prodhimtarisë së energjisë elektrike të bazohet në burimet e rinovueshme të energjisë.” Që të realizohet një qëllim i tillë që nuk është i pa arritshëm nevojitet që shteti jo vetëm për çdo vit të investojë në këtë drejtim, por edhe të shfrytëzojë në maksimum trurin apo potencialin teknik dhe intelektual që e posedojmë në vend”, thotë eksperti Konstantin Dimitrov. Sipas tij, nuk duhet lënë anash as efikasitetit energjetik që nuk nënkupton vetëm kursimin e energjisë, por edhe realizimin e aktiviteteve të njëjta apo edhe më të mëdha, me harxhimin energjisë së njëjtë apo edhe më të vogël të energjisë si dhe me ndotje më të vogël të ambientit përmes emetimit më të vogël të karbon dioksidit në atmosferë.
Ekspertët e tjerë në kushte anonimitetit thonë se Maqedonisë së Veriut i nevojitet sa më parë ndërtimi i një kapaciteti me madhësi të mesme qoftë me gaz apo edhe qymyr që ndot më pak që do të vijë nga importi, që do të ndërtohet në afërsi të hekurudhës apo gazsjellësit me qëllim që të sigurojë pavarësinë e saj energjetike. Vlerësohet se për një megavat orë nevojiten një milion euro, andaj me ndërtimin e një kapaciteti ku do të investohen 600 milion euro për tetë deri dhjetë vite, apo për çdo vit nga 60 deri 80 milionë euro shteti do të sigurojë një stabilitet energjetik për një kohë më të gjatë.
Nga Qeveria thonë se do të investohet në zgjerimin e kapaciteteve të centralit me erë në Bogdanci , me çka do të fitohen 27 plus 14 megavat energji shtesë të prodhimit, ndërsa në përgatitje e sipër janë edhe investimet në lokalitetin Bogosllovec për ndërtimin e një parku të ri të erës me kapacitet prej 36 megavat.
Në hapësirë prej 20 hektarë, në kuadër të Termocentralit Osllomej në Kërçovë do të vendosen impiante me kapacitet prej 10 megavat për prodhimin e 30 deri 40 megavat rrymë. Po punohet intensivisht edhe në investime të tjera në prodhimin e energjisë nga dielli ku pritet që të arrihen kapacitet prej 200 megavat të prodhimin të energjisë nga centralet fotovoltaike.
Gjithashtu në përgatitje e sipër është edhe ndërtimi i hidrocentralit Çebren përmes partneritetit privat publik ku Elektranat e Maqedonisë do të jenë partneri publik, ndërsa ai privat do të kërkohet në tender ndërkombëtar. Vlerësohet se prodhimtaria e energjisë elektrike të Çebren do të lëvizë ndërmjet 870 deri më 1.140 gigavat orë. Studimet tregojnë se ndërtimi do të zgjasë 7-8 vite, ndërsa investimi do të kthehet për 25 deri 30 vite. Mirëpo edhe ndërtimi i parashikuar i hidrocentraleve Çebren dhe Galishte sërish siguron vetëm pesë për qind të nevojave vendore për energji elektrike. (koha.mk)