Qefser ABDYLI
Shkup, 25 dhjetor – Festat e fundvitit si duket nuk do të jenë të njëjta sikurse vitin e kaluar, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve, por edhe çmimet më të larta në treg. Nga ana tjetër, shitësit ndjehen të revoltuar, pasi sipas tyre, këtë vit është shumë më keq se vitet e kaluara ose në krahasim me vitin e kaluar, ata thonë se këtë vit dukshëm ka rënë interesimi i qytetarëve për blerjen e mallrave të tyre. Se pse ndodhë kjo, ata shprehen se gjendja ekonomike e qytetarëve është vështirësuar deri në atë masë sa edhe Vitin e Ri mos ta presin sikurse vitin e kaluar. Arben Shabani, shitës në Bit Pazar të Shkupit, thotë që këtë vit është shumë dobët krahasuar me vitin e kaluar. “Nuk ka lëvizje fare, ose ka fare pak. Njerëzit nuk dalin për të blerë, s’kanë para, ata as nuk kanë interesim për të festuar Vitin e Ri, gjendja është e mjerueshme… Vitin e kaluar, në këtë kohë kemi pasur shumë shitje, çmimet jo se janë rritur shumë, madje disa janë të njëjta me ato të vitit të kaluar, mirëpo qytetarët nga gjendja e tyre e rëndë, përsëri nuk janë të kënaqur me çmimet”, shprehet Arbeni. Të tjerë shitës thonë që edhe kriza politike është shkaku që qytetarët nuk dalin apo nuk janë të interesuar që të blejnë. “Situata politike është shkaku që njerëzit nuk po dalin për të blerë, ata kanë frikë kur dalin dhe kjo e rëndon edhe më shumë gjendjen tonë në shitje. Njerëzit as që mendojnë ta festojnë Vitin e Ri shkaku që s’kanë para dhe të ardhmes nuk di dihet, ndërsa neve asgjë nuk na shitet – jo veç mua, por gjithëve që janë këtu. Ndonjë ditë, shitja është zero, nuk e mbaj mend kur ka qenë kështu”, thotë Agimi. Ka edhe nga që e kujtojnë kohën kur nga puna e tepërt dhe nga qytetarët e shumtë që blinin, nuk mundeshin këmbën ta luanin, por kishte dhe raste kur nga pamundësia për të lëvizur nga njerëzit e shumtë që vinin për të blerë, duhej që mallin në kokë ta hipnin për të kaluar. “Për momentin, në Bit Pazar asgjë nuk është duke u shitur, njerëzit as që kanë filluar të bëjnë përgatitjet e Vitit të Ri. Këtë vit mundë të them lirisht se për 70-80 për qind është më dobët tregtia, s’ka popullata jonë para. Ata të Dizhonit, Gazi Babës, Çairiit… pa punë dhe pa para kanë mbetur. Vitin e kaluar, 10 ditë para Vitit të Ri mallin duhej në kokë ta mbaje për të kaluar nga grumbulli i njerëzve që vinin për të blerë, tani është ndryshe. Nëpër familjet tona tani njëri punon për pesë anëtarë të tjerë, dhe rroga nuk iu mbërrin për ti plotësuar nevojat e domosdoshme e lërë më të bëjnë përgatitjet e Vitit të Ri. Është shumë vështirë”, tha Sulejman Kamberi, gjithashtu shitës në Bit Pazar. Nga ana tjetër, edhe qytetarët e anketuar nga gazeta KOHA ndajnë një mendim me shitësit. Ata thonë se nga papunësia, rrogat e ulëta dhe çmimet e larta në treg – këtë vit nuk po munden të bëjnë përgatitjet e Vitit të Ri si viteve kaluara. “Është për të ardhur keq nuk mundë të kemi një sofër pak më ndryshe për Vitin e Ri”, tha një qytetare. “Si mundë të festohet Viti i Ri pa para, me 20.000 denarë pagë mujorë dhe me pesë anëtarë në shtëpi asgjë nuk mundë të blesh. Mezi ia dalim me obligimet kryesore familjare. Nga t’ia mbajë përpara, a faturat t’i paguajë, nevojat shkollore të fëmijëve, bukën… kështu që këtë vit nuk mendojë se do i festojmë festat”, tha Ibrahimi nga lagja e Gazi Babës. “Çfarë feste, nuk kemi bukë për të ngrënë jo më të festojmë. Çmimet janë të larta në treg, asgjë s’është si më parë, kur në këtë kohë vetëm se i bënim përgatitjet për festat e fund vitit, tani e shikoni çfarë na bëri politika”, tha një qytetarë i revoltuar. Në ndërkohë, edhe Qyteti i Shkupit ka hequr dorë nga pritja e Vitit të Ri që u desh të mbahet në sheshin Maqedonia. Mjetet që ishin planifikuar për organizimin e pritjes, diku rreth 2 milionë denarë – do të dhurohen për qëllime bamirëse. Vendimin se ku do të dhurohen këto mjete do ta merr Këshilli i Qytetit të Shkupit. Nga Qyteti i Shkupit thonë se 10 vitet e fundit shpenzojnë mjete minimale për pritjen e Vitit të Ri.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.