Megjithatë përsëri nuk është vonë. Kriza e shkaktuar nga Covid-19 përveçse vështirësoi edhe më shumë gjendjen e vështirë të familjeve të varfra, vuri në dukje edhe vulnderabilitetin e shumë individëve të cilët ndoshta nuk konsideroheshin si të varfër paraprakisht. Prandaj edhe gjatë kësaj periudhe varfëria është rritur dukshëm duke treguar nevojën urgjente për krijim të një strategjie nacionale anti-varfëri
Nga Omer AJDINI
Në vitin 1960 vendet si Nikaragua e Haiti gjendeshin në statusin e vendeve të varfëra dhe kishin të ardhura respektive për kokë banori prej 2,491 dhe 1,512 dollarë. Pas 50 viteve, pra në vitin 2010, të ardhurat për kok banori të këtyre shteteve ishin pothuajse të pandryshueshme, pra 2,298 dhe 1,411 dollarë. Ky stagnim i shteteve në ngritjen e të ardhurave të qytetarëve shpjegohet si fenomen i “kurthit të varfërisë” e cila është një set i mekanizmave përmes së cilave shtetet po edhe familjet/individët fillojnë të varfër dhe mbeten të varfër për periudha të gjata kohore duke qenë kështu të pamundur ta tejkalojnë varfërinë dhe ta rrisin standardin e jetës së tyre.
Rastet e shteteve të cilat kanë ngecur në kurthin e varfërisë nuk janë shumë të shpeshta meqë globalisht ekziston një trend rënës i varfërisë, mirëpo familjet që përjetojnë ngecje në kurthe të varfërisë nuk janë edhe të rralla. Në Maqedoninë e Veriut, edhe përkundër progresit relativ të shënuar në zbutjen e varfërisë, sipas institutit Finance Think, jetojnë diku 450,000 njerëz nën pragun e varfërisë relative (diku tek 20% e popullatës), prej të cilëve mbi 100,000 persona jetojnë në varfëri absolute (më më pak se 1.9 dollar në ditë) të cilët në baza ditore përballen me probleme të sigurimit të ushqimit, veshmbathjes, vendbanimit, ngrohjes, etj., dhe janë edhe më të pamundur për ta kaluar ngecjen në atë kurth të cilin ua shkakton varfëria. E keqja nuk është vetëm që ekzistojnë kaq shumë njerëz nën pragun e varfërisë, por edhe më shqetësues është fakti që shumica e këtyre individëve kanë ngecur me vite e dekada të tëra në varfëri. Pra këta njerëz të varfër janë të kapur nga kurthi i varfërisë dhe tregu i lirë vështirë ua mundëson kapërcimin e kësaj situate.
Tejzgjatja e të qenurit në varfëri dhe pamundësia e shumë nga familjet e varfra për ta ngritur standardin e jetesës tregon qartë që kurthet e varfërisë janë reale po aq sa janë edhe ndryshme, megjithatë çuditërisht dhe fatkeqësisht në RMV ekziston një mungesë e paparë e hulumtimeve mbi varfërinë/kurthet e varfërisë në njërën anë, dhe mungesës shqetësuese e politikave të targetuara ndaj kategorive të ndryshme të të varfërve. Literatura tregon që është e domosdoshme që varfëria si fenomen të studiohet dhe politikat publike të dizajnohet në atë mënyrë që të adresojnë specifikat e kategorive të ndryshme të të varfërve meqë kurthet e varfërisë variojnë dhe politikat e përgjithësuara nuk japin efektin optimal. Për shembull, diku kurth i varfërisë mund të jetë pamundësia për të akumuluar mjaftueshëm kapital për të bërë investime apo mungesa e aseteve të mjaftueshme që do ta mundësonin marrjen e kredive nga bankat, e diku tjetër kurth mund të jetë niveli i ulët i edukimit dhe asimetria e informacionit. Pra të gjitha këto paraqiten si mekanizma të cilat vazhdojnë me dekada agoninë e familjeve të varfra, ndërsa ndihma sociale e përgjithësuar jo domosdoshmërisht mundëson tejkalimin e këtyre kurtheve.
Varfëria është aq e komplikuar si fenomen saqë edhe ata që punojnë nuk janë imun ndaj saj. Varfëria në Punë në RMV për një kohë të gjatë ka qenë dhe vazhdon të jetë një problematikë jashtëzakonisht e madhe. Sipas European Social Policy Network, edhe pse punojnë, të varfër janë 25.5% e personave të punësuar me shkollim më të ulët se shkolla e mesme, 30.8% e single – prindërve të punësuar të cilët kanë fëmijë të varur nga to, si dhe 24.7% e punëtorëve part-time. Në RMV këto kategori të njerëzve në përgjithësi trajtohen nga shteti njësoj si trajtohen kategoritë e tjera të njerëzve të cilët nuk janë të varfër, duke neglizhuar kështu specifikat e gjendjes në të cilën ata gjinden. Prandaj edhe prolongohet gjendja e vështirë financiare e tyre për vite e dekada të tëra, ndërsa politikanët krekosen me “hapjen e vendeve të reja të punës”. Siç duket, qeveritarët që kemi pasur përgjatë 20 viteve të fundit kanë qenë totalisht të shkëputur nga realiteti i trishtë i qindra mijëra bashkëqytetarëve tanë të cilët kanë ngecur në kurthet e varfërisë me dekada të tëra. Përndryshe, nuk mund të shpjegohet apatia të cilën shteti ka treguar në raport me këta njerëz duke mos pasur interes që ta studioj fenomenin e varfërisë dhe të zhvilloj një strategji gjithëpërfshirëse për zbutje të varfërisë përmes politikave publike të targetuara.
Megjithatë përsëri nuk është vonë. Kriza e shkaktuar nga Covid-19 përveçse vështirësoi edhe më shumë gjendjen e vështirë të familjeve të varfra, vuri në dukje edhe vulnderabilitetin e shumë individëve të cilët ndoshta nuk konsideroheshin si të varfër paraprakisht. Prandaj edhe gjatë kësaj periudhe varfëria është rritur dukshëm (ku për shembull sipas UNICEF, varfëria e fëmijëve është rritur nga 29.35 në 33.3%), duke treguar nevojën urgjente për krijim të një strategjie nacionale anti-varfëri. Urgjentisht duhet të marrë fund apatia e shtetit ndaj kategorive të cilat meqë janë të varfër mbeten të varfër me vite, dekada e gjenerata të tëra. Sa më shpejt duhet të fillohet me studim të mirëfilltë të specifikave të varfërisë dhe të zhvillohet një strategji e mirëfilltë e aleviimit të varfërisë duke dizajnuar politika të targetuara ndaj shkaqeve, të cilat mbajnë qytetarët në varfëri, përndryshe shpërndarja e benefiteve nga shteti në mënyrë të patargetuar dhe marrja e kontributeve nga qytetarët ndaj shtetit në mënyrë jodiskriminuese (në aspektin pozitiv) do të vazhdojë të mbajë në kurthet e varfërisë ata të cilët kanë më së shumti nevojë që ta ndjejnë për të mirë ekzistencën e shtetit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)