Organizatat joqeveritare dhe një pjesë e sindikatave në vend kërkojnë që shteti të gjejë zgjidhje për kamatat e larta dhe jo të arsyeshme, harxhimet e ndryshme shtesë të përmbarimit si dhe pagesave të dhunshme. llogaritë bankare mund të bllokohen vetëm me urdhër të DAP-it dhe assesi të përmbaruesve, thonë në Konfederatën e Lidhjes së Sindikatave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 gusht – Organizatat joqeveritare dhe një pjesë e sindikatave në vend kërkojnë që shteti të intervenojë me qëllim të uljes së harxhimeve të mëdha që ju shkaktohen qytetarëve gjatë pagesës së borxheve nga ana e përmbaruesve. “Kërkojmë të gjendet zgjidhje për kamatat e larta dhe jo të arsyeshme, harxhimet e ndryshme shtesë të përmbarimit si dhe pagesat e dhunshme”, thonë Marjan Ristevski nga Konfederata e Lidhjeve të Sindikatave, shkruan gazeta KOHA.
Sipas tij, edhe përkundër asaj se me ndryshimet ligjore është shkurtuar tarifa e pagesave për përmbarim, megjithatë qytetarët dhe bizneset për borxhet që ju paguhen në mënyrë të dhunshme po paguajnë kamata edhe për disa herë më të larta në raport me borxhin themelor. Gjithashtu kërkohet të nxirret edhe kamata ndëshkuese, ndërsa përmbaruesit të ndërpresin me praktikën që të paguajnë shuma të mëdha të borxheve, për të cilat veçmë është paguar shuma themelore.
Organizatat joqeveritare më tej kërkojnë edhe që borxhet të paguhen me kamatat minimale prej afër 2 për qind si dhe kontrollet e lëndëve veçmë të paguara të përmbaruesve. Kërkohet edhe “vjelja” e qytetarëve të jetë më së shumti 20 për qind, dhe jo si tani një e treta e pagës mujore lidhur me borxhet.
Nga ekzekutivi kanë paralajmëruar se do të shqyrtohen propozimet e organizatave joqeveritare lidhur me ndryshimet eventuale të Ligjit që rregullon këtë çështje. “Lidhur me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë do të dorëzojë propozime ku pritet që një pjesë e tyre të shqyrtohen së bashku me propozimet e komisionit vlerësues për ndryshimet eventuale të Ligjit për përmbarim”, thonë nga Qeveria. Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë paguar më shumë se gjysma apo 55.7 për qind e lëndëve për të cilat nga borxhlinjtë janë arkëtuar afër 127 milionë euro. Njëherazi, të dhënat zyrtare tregojnë se në 13 vitet e kaluara janë paguar mbi 1 miliardë e 200 milionë euro borxh me realizim të 35 për qind të totalit të lëndëve.
Në të kaluarën, më shumë shoqata kanë protestuar kundër punës së përmbaruesve duke kërkuar edhe ndalesën e pagesës së dhunshme, si dhe revidim të punës së përmbaruesve, noterëve, ndërsa është kërkuar përcaktimi i borxhit real të borxhlinjve të ndryshëm.
Se sa të holla qarkullohet në këtë aktivitet, tregojnë edhe faktet se vetëm në vitin 2017, përmbaruesit kanë paguar 166 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2018, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës Popullore, në shtet kanë qenë të bllokuara 82.029 xhirollogari të qytetarëve dhe 29.027 të bizneseve. “Bllokimi i llogarive transaksionale i cili 11 vitet e fundit po bëhet nga ana e përmbaruesve, është i jashtëligjshëm. Sipas Ligjit për qarkullim pagesor, vetëm një institucion shtetëror mund të miratojë vendime për bllokim për qarkullim pagesor – Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP). Kjo do të thotë se përveç DAP-it, askush tjetër nuk ka autorizim ligjor të bëjë veprime për pagesë me dhunë të borxheve. Ligji për përmbarim saktëson se përmbaruesi ka të drejtë të dorëzojë kërkesë për pagesë me dhunë deri të bartësi për qarkullim pagesor, por jo edhe të merr vendim dhe të kërkoj nga bankat që të bllokojë llogarinë transaksionale të qytetarëve, dhe këtë kërkesë – duhet ta bëjë deri te DAP-i e jo te bankat”, thonë nga organizata “Njeriu mbi profitin”.
Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se thonë se në shumicën e lëndëve, harxhimet e përmbaruesve marrin pjesë me një të tretën apo një të katërtën e shumës, që qytetarët në fund e paguajnë si total për shlyerjen e borxheve të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër e harxhimeve ka të bëjë me kamatat e ndryshme, si dhe me harxhimet e noterëve, avokatëve etj.
Lidhur me ankesat për harxhimet e mëdha që i paguajnë qytetarët për borxhet e ndryshme, në Odën e Përmbaruesve arsyetohen se në strukturën e borxhit të fundit, nuk hyjnë vetëm harxhimet e përmbaruesve, por edhe të më shumë institucioneve të tjera.
FITIMET e PËRMBARUESVE NGA PAGESAT E DHUNSHME
2006: 20.2 milionë euro
2007: 49.2 milionë euro
2008: 60 milionë euro
2009: 78 milionë euro
2010: 94.7 milionë euro
2011: 80.1 milionë euro
2012: 104.3 milionë euro
2013: 127.7 milionë euro
2014: 107.8 milionë euro
2015: 107.6 milionë euro
2016: 118.9 milionë euro
2017: 166 milionë euro
2018: 127 milionë euro
(koha.mk)