Shkup, 14 dhjetor – Numri tre ishte fatsjellës për të tre kandidatet që morën mandatet, Shpresa Hadri e Mirsade Emini-Asani nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Teuta Bilalli nga Rilindja Demokratike Shqiptare, që do të jenë tre përfaqësueset femra deputetet e vetme nga blloku politik shqiptar që do të ulen në Parlament, shkruan gazeta KOHA. Reduktimi drastik i numrit të deputetëve femra që ndodhi paradoksalisht në të njëjtën kohë kur edhe u rrit në 40 kuota e përfaqësimit të tyre në Parlament nuk ishte e papritur për këto zgjedhje elektorale. Por, mund të ishte edhe më i vogël. Pasi në listat e kandidatëve për deputetë numri i femrave ishte më formal se asnjëherë më parë, dhe asnjë subjekt politik nuk vendosi dhe promovoi ndonjë kandidate në krye të listës. Për aktivistët e të drejtave të grave këto rezultate nuk shkuan larg pritshmërive dhe parashikimeve për regresin e madh për barazinë gjinore dhe të drejtën për mundësi të barabarta. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe kur femrat ende nuk kanë guxim të kërkojnë atë që u takon, por rrinë në pritje të vendit që do t’i caktojë kryetari i partisë, thotë për gazetën KOHA, Xhane Kreshova nga Forumi i Gruas në Tetovë. Duke iu referuar edhe fushatës parazgjedhore dhe formës së prezantimit të kandidaturave për pjesën femërore, ajo thotë se ato pak kandidate të radhitura nga numri tre e poshtë po ashtu radhiteshin edhe nëpër tubime. “Këtë vit, ndryshe nga më parë, nuk ka pasur organizime që bëheshin kryesisht nga organizatat e huaja, por edhe takime që do të shkonin në favor promovimit të gruas-kandidate. Pritej të kishte pak deputete, nga mënyra sesi partitë i hartuan listat dhe në çfarë pozicionesh i vendosën femrat. Ajo që nuk pritej, ishte se me ndryshimin e kuotave në 40 gratë të bëheshin kaq pasive dhe të mos kenë guxim që të kërkojnë vendin dhe numrin që i takon. Asnjë s’e bëri, të gjitha iu bindën liderëve. Është fatkeqësi, që edhe ato që kanë qenë deri tani në Parlament kanë ngritur gishtat dhe nuk kanë guxuar të jenë ndryshe nga vija e partisë”, thotë Kreshova. Shpresa Hadri ka qenë deputete edhe në mandatin e kaluar, ashtu si edhe Mirsade Emini-Asani, (gjinekologe), e cila nga RDK kaloi në BDI mandatin e kaluar. Vetëm deputetja e opozitës Bilalli (arkitekte) ulet për herë të herë në Parlament. Të gjitha deputetet fituan në njësinë zgjedhore numër gjashtë, ndërsa nga njësitë e tjera nuk doli asnjë femër. Te pjesa shqiptare handikapi i përfaqësimit bëhet edhe më i dukshëm me numrin e vogël të mandateve të fituara në përgjithësi, si nga BDI e PDSH, por situata nuk ka shumë ndryshim edhe për bllokun politik maqedonas, ku mes deputeteve do të jetë edhe ajo shqiptare Gjylymsere Kasapi nga Lidhja Social Demokrate (LSDM). Për Safka Todorovën nga Unioni i Gruas këto zgjedhje janë një kthim mbrapsht, jo një, por shumë hapa larg. Dhe ndodh me gra që i mungon skajshmërish ndjeshmëria për çështjet gjinore. “Kjo situatë tregon se brenda partive tona politike nuk ka demokraci, ndërsa grave iu mungon besimi tek vetvetja dhe aftësitë e tyre, iu mungon guximi për të luftuar që të marrin vendin që i takon në parti. Mesa duket miratimi i Kodit zgjedhor dhe ndryshimi i kuotave iu solli siguri dhe gratë ranë në gjumë, pasi do të jenë në lista. Në vend që të zgjidhnin që të luftonin, pasi ato janë aktive akoma më shumë se edhe vetë burrat, ato preferuan të rrinë nën hijen e burrit. Janë të ngarkuara jashtëzakonisht me stereotipe, të tipit që dikush duhet t’i propozojë, t’i zgjedhë. Dhe ky është shkaku që në këto zgjedhje ne jemi kthyer shumë hapa mbrapsht”, thotë për KOHA, Todorova. Dhe më e madhe sesa numri, është shqetësimi për atë që mund të presim vitet e ardhshme. Duar që do të ngrihen verbërisht për të votuar ligje që nuk janë në favor të barazisë gjinore dhe zëra që do ta kenë të vështirë të dëgjohen.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.