Delvina KËRLUKU
Seladin Xhezairi thotë se duhet të ketë lindur diku në dimrin e vitit 1959 në Bozovcë, por për shkak të dimrit të vështirë, prindërit kanë pritur shkrirjen e bores dhe e kanë regjistruar më 04. 03. 1960, në Shipkovicë që në atë kohë ka qenë si qendër administrative në Malësinë e Sharrit. Ka punuar në Radio-Jugosllavi, Radiotelevizionin e Prishtinës, në gazetën Rilindja ( si korrespondent nga Beogradi, pastaj si korrerpondent i JUTEL-it nga Kosova dhe më pas diku nëntë vjet, korrespondent i BBC në gjuhën Shqipe nga Maqedonia dhe po aq vite në Zyrën qendrore në Londër, deri në mbylljen e sesionit shqiptar në vitin 2011. Pas kësaj dy vjet ka qenë anëtar i Këshillit të Radiodifuzionit, kurse nga fillimi i vitit të kaluar është në postin Drejtor informacioni në TV ART, ku drejton edhe emisionin Zigzag. Jeton në Reçicë të Madhe të Tetovës.
KOHA: Çështë për ju liria, liria e fjalës?
XHEZAIRI: Është e shenjtë dhe duhet t’ju përkasë të gjithëve në kuptim të mbarë. Në emër të Lirisë nuk duhet bërë prapështi as ligësi. Atëherë Liria e humb kuptimin.
KOHA: Sa gjuhë njihni?
XHEZAIRI: Nja katra-pesë, dy – tri pa problem, nja dy të tjera nuk më lënë të humbas! Me fjalë të tjera, them që nuk kam problem me maqedonishten dhe gjuhët e tjera që fliten në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Me anglishten shërbehem pak më mirë se me frëngjishten, por jo, ta zëmë, sa të përkthej apo të bëj intervistë Live. Më ka rastisur të gjendem mirë edhe në Bullgari…
KOHA: Më i privilegjuar gazetar apo redaktor?
XHEZAIRI: Pa diskutim – gazetar. Një shkrim që ta kthen redaktori, mund ta përtypësh e ripërtypësh disa here në mënyrë që të dalë sa më i arrirë. Te redaktori ndryshon puna, sidomos tani në këto kohëra kur Lirinë dhe sidomos Lirinë e Fjalës, secili e kupton, e merr dhe e përçon me të veten!
KOHA: Cili është roli i gazetarit?
XHEZAIRI: Të jetë regjistrues dhe përçues besnik i ngjarjeve, të ketë vullnet e guxim për t’ia ofruar lexuesit, dëgjuesit e teleshikuesit, me vërtetësi, atë që ndodh.
KOHA: Cili quhet gazetar i ndershëm?
XHEZAIRI: I ndershëm është ai i cili është objektiv, mundësisht sa më i paanshëm, sa më pak subjektiv. Ai i cili është i zhveshur nga emocionet dhe paragjykimet.
KOHA: A ka ndryshuar metodologjia e gazetarisë që nga koha kur ju punonit në Radio- Jugosllavi, në JUTEL?
XHEZAIRI: Apo edhe në Televizionin e Prishtinës, në Rilindje, në BBC? Pa shaka: përvoja të ndryshme nga të cilat jam munduar të nxjerrë mësime. Në median e parë, krahas asaj që quhej propagandim sipas kuteve të kohës, kam mësuar edhe gjuhët, në të dytin, ka pasur një përafrim me standardet e gazetarisë modern. Them me modesti se kam mësuar. Në fakt, gjykoj se atëbotë ka mbizotëruar deviza se për të çarë në këtë profesion, duhet punë, vullnet e durim dhe, natyrisht, edhe të të jepet mundësia. Kur i kujtoj këto 36 vite në gazetari, sesi më kujtohet fillimi kur një shkrim duhej ta rishikoje dy-tri herë, se si duhej të dëshmoheshe në një sektor, pastaj në tjetrin… pastaj se si duhej të ndërtoje kronikën asisoj që ose të shkonte pa u shkurtuar ose më mirë të mos jepej fare! Puna në RILINDJE, pse jo edhe në JUTEL, e sidomos në BBC, më ka mësuar se standardet, nga drejtshkrimi, përmbajtja apo edhe publikimi (leximi) i kronikës, janë e vetmja mënyrë që të sigurosh kafshatën me nder, pa hile, dhe pa i hyrë tjetrit në hak.
KOHA: A vërehet te ne jugo-nostalgjia?
XHEZAIRI: Varet nga grup-moshat dhe përvojat. Në këtë sens kujtoj se nuk e teproj nëse them se po! Ata që e kanë jetuar atë kohë, kur përballen me pasojat e tranzicionit tonë të stërzgjatur, here-herë “rrëshqasin” në të shkuarën. Për hir të së vërtetës, asaj kohe shqiptarët në Maqedoni, Luginë të Preshevës apo edhe në Mal të Zi, nuk është se ia kanë parë hajrin kushedi sa.
KOHA: Më mirë koha e kaluar apo e sotmja?
XHEZAIRI: Kush shikon prapa, prapa do të shkojë – thotë një fjalë e urtë. Unë jam i prirë të besoj se secila kohë i ka të mirat dhe të këqijat e veta. Dhe po t’i këqyrim hollë e hollë, nuk është se nuk kemi bërë hapa. Më kujtohet se si nxënës i klasës së pestë apo të gjashtë në fillore pata bërë shkrimin e parë, një biçim hartimi, për një fshat me disa xhami e shkollë të stërvjetër: sot në këtë vendbanim kemi një pamje krejtësisht tjetër: kemi dy universitete, i treti po hapet. Dhe, sfidat për punë e jo llafe i kemi mes nesh e para nesh!
KOHA: Lexoni shtypin e shkruar apo në internet?
XHEZAIRI: Edhe njërin, edhe tjetrin, kuptohet sipas kushteve të mia!
KOHA: A duhet mjaft guxim për të thënë të vërtetën në Maqedoni?
XHEZAIRI: Të thuash të vërtetën nuk është guxim, nuk është trimëri!
KOHA: Mund të na thoni kur keni kapërcyer subjektivizmin në gazetari?
XHEZAIRI: Kam raportuar, në gazetë, radio e televizion, nga ngjarje e zhvillime për të cilat kam pasur qëndrim, por jam munduar që në masë të madhe, ndonëse jo deri në fund, të kapërcej, sikurse thoni ju, këtë subjektivizëm.
KOHA: Keni frikë ta thoni cili “politikan”nuk është politikan?
XHEZAIRI: Katundi që duket, thotë një fjalë e jona, kallauz nuk do!
KOHA: Votoni hapur apo fshehtas?
XHEZAIRI: Respektoj rregullat e përcaktuara!
KOHA: Duhet burrë apo burrneshë, për ta udhëhequr një shtet multietnik?
XHEZAIRI: Duhet mbi të gjitha të jetë Njeri!
KOHA: Jeni konservator dhe besoni në parimet e qeverisjes?
XHEZAIRI: Parapëlqej mirëqeverisjen mbi baza të meritokracisë, të vlerave.
KOHA: A ka njëanshmëri politike të mediave në Maqedoni?
XHEZAIRI: Sa të duash, ku më shumë e ku më pak!
KOHA: Por, a nuk themi ne shpesh se mediat duhet të jenë të paanshme dhe të pavarura?
XHEZAIRI: Midis normatives dhe reales ekziston një hendek i thellë. Një është të thuash, e tjetër të bësh. Dhe, fajin për këtë nuk duhet kërkuar vetëm tek “ata”, por edhe mes nesh!
KOHA: Kush e thotë të vërtetën: opinionisti apo gazetari?
XHEZAIRI: Do të duhej i dyti, por..
KOHA: Jeni betuar ndonjëherë që nuk do të nxirrni sekretet shtetërore?
XHEZAIRI: Fatmirësisht nuk kam ushtruar ndonjë post të tillë!
KOHA: Ndërkombëtarët, mund të na i zgjedhin problemet tona?
XHEZAIRI: N’cëk: ata vetëm mund të na ndihmojnë, por gjithçka varet prej nesh!
KOHA: I keni numëruar ndonjëherë sa probleme ka Maqedonia?
XHEZAIRI: Një vend i vogël me shumë problem ku pakkush këqyr punën e vet e më shumë të tjetrit, ku hileja vlerësohet më shumë se e drejta.
KOHA: Flini në krahun e djathtë apo të majtë?
XHEZAIRI: Nisi në krah të djathtë …
KOHA: Në dorë preferoni të mbani lapsin apo mikrofonin?
XHEZAIRI: Varësisht nga puna. Më vështirë e kam me kamerën!
KOHA: Nga çka u mbron kaçketa në kokë?
XHEZAIRI: Nga të ftohtit dhe vapa!
KOHA: Mjekra të bën burrë?
XHEZAIRI: As që e kam menduar ndonjëherë!
KOHA: Para ligjit të gjithë janë të barabartë, por në familjen shqiptare burri dhe gruaja janë të barabartë?
XHEZAIRI: Kur asgjë s’është e përkryer, lipset konsensus!
KOHA: Origjina juaj?
XHEZAIRI: Kam lindur në Bozovcë, ndërsa nga klasa e pare e fillores jetoj në Reçicë të Madhe. Nja njëzetë e kusur vjet kam bredhur andej – këtej… Kur kohë më parë isha në vendlindje për të ndjekur ‘Karnavalet ilire’, pata rastin të takoj disa moshatarë të mi me të cilët kishim bredhur bjeshkëve të Sharrit, duke ruajtur dhentë. Pastaj, në shkollën fillore në Reçicë kemi pasur fatin që mësues yni të jetë poeti Mustafa Laçi: Ai na mësonte se të vetmen gjë që mund të vidhnim në këtë botë ishte – libri. Me kusht që të lexohej!
KOHA: Përse nuk jetuat në Beograd, Sarajevë, Prishtinë apo në Londër?
XHEZAIRI: Hëm, vinte një ditë e të merrte malli! Beogradi e Sarajeva si mundësi për të jetuar ranë në ujë për shkak të zhvillimeve të njohura. Kur u hap seksioni shqiptar i BBC-së kam pasur mundësinë që të përcaktohem mes Prishtinës dhe Shkupit. Unë zgjodha Vendlindjen, sepse malli për të ishte më i forte. Po kjo vlen edhe për Mbretërinë e Bashkuar: jo që nuk kam mundur të mbetem edhe pas mbylljes së BBC-së, por megjithatë mendjen e kam pasur këtu.
KOHA: Guri i rëndë në vend të vet?
XHEZAIRI: Pikërisht!
KOHA: Ku i keni fëmijët?
XHEZAIRI: Kam një vajzë dhe dy djem të cilët kanë krijuar familjet e tyre. Djemtë (bineq) kryen shkollën e mesme në Londër, Fakultetin këtu dhe u kthyen në Londër. Vajza mbaroi studimet atje dhe tash me familje jeton e punon në Zvicër. Kam një mbeskë dhe një nip, nga vajza. Jam gjysh! Nuk ka prindër të cilët nuk do të dëshironin që më të dashurit e tyre t’i kenë afër, por ata kanë të drejtën e përzgjedhjes. Përgjithësisht janë të kënaqur me statusin, sepse shpesh më thonë: sa mirë është atje ku çmohen cilësitë në punë, e nuk duhen akraba për ta siguruar atë!
KOHA: Kush është krahu yt i djathtë?
XHEZAIRI: Familja dhe shokët e mi, me të cilët ndaj të mirat dhe të këqijat.
KOHA: Keni shokë shumë, apo pëlqeni vetminë?
XHEZAIRI: Kam shokë dhe shumë miq. Me disa na ndanë vetëm nata. Nga përvoja ime si gazetar më duhet të them se për të qenë në rrjedhë të ngjarjeve, nuk duhet të krijosh kundërshtarë edhe në mesin e politikanëve, pa çka se here-herë edhe merr “selame” nga më të ndryshmet. Rrethi i gjerë i miqve më ka ndihmuar shumë që sidomos gjatë raportimit-si korrespondent të mos dështoj. Përgjithësisht nuk e parapëlqej vetminë, ani që dikur në të kaluarën të dilte më mirë të rrije e vetminë ta “vrisje” duke lexuar!
KOHA: Profesioni juaj?
XHEZAIRI: Gazetar! Në fëmijëri kam ruajtur dhentë, në Ulqin gjatë verës deri në mbarim të shkollës së mesme kam punuar edhe si kamarier, kurse në Londër për disa vjet pata një kopsht.
KOHA: Shkrimi i parë?
XHEZAIRI: E përmenda: shkrim-hartimi për një fshat me disa xhami e shkollën duke u rrënuar. Të njëjtin ma ka botuar në gazetën lokale të Tetovës. Atëherë redaktor ishte (sot) miku im, Ismail Arsllani.
KOHA: Sa vjeçar keni qenë kur filluat të punoni si gazetar?
XHEZAIR: Njëzetvjeçar. Kam qenë më i riu në kolektiv!
KOHA: Ç‘keni punuar, para se t’i rrekeni gazetarisë?
XHEZAIRI: Gazetar që nga fillimi, kam bërë përçapje të merrem edhe me letërsi, por pa sukses!
KOHA: Cila pagë ishte më mirë ajo në BBC, në Radio-Jugosllavi, Radiotelevizionin e Prishtinës, apo sot?
XHEZAIRI: Pa dyshim në BBC, edhe si korrespondent nga Shkupi, edhe si pjesë e stafit në redaksinë qendrore në Londër.
KOHA: Ç‘ju pëlqen më shumë poezia, tregimi, apo romani?
XHEZAIRI: Të gjitha nga pak. Gjatë shkollimit fillore e të mesëm kam lexuar shumë. Më ka mbetur biblioteka shumë e pasur, sepse nga ajo kohë kam marrë honorarë nga shkrimet e puna në median lokale në Tetovë, Shkup e besa edhe në Prishtinë. Tash lexoj gjithnjë e më pak, për shkak se “ekrani” po e bën të veten.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.