Të indinjuar nga situata absurde e krijuar për arsimtarët dhe nxënësit për më shumë se dhjetë vjet Lidhja e Pedagogëve të muzikës shqiptare (LPMSHM) kërkon nga MASH-i të gjejë zgjidhje për të penguar jo vetëm shpërndarjen e tyre, por edhe të problemit duke mundësuar botimin e librave të reja, me autorë shqiptarë dhe jo të përkthyera dhe të përshtatura nga gjuha maqedonase
Evis HALILI
Shkup, 6 shtator – Librat e orës së muzikës për shkollat e ciklit fillor dhe të mesëm, tërësisht të pavlefshme, vazhdojnë të shpërndahen edhe këtë vit shkollor. Të indinjuar nga situata absurde e krijuar për arsimtarët dhe nxënësit për më shumë se 10 vjet, Lidhja e Pedagogëve të Muzikës Shqiptare (LPMSHM) kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të gjejë zgjidhje për të penguar jo vetëm shpërndarjen e tyre, por edhe të problemit duke mundësuar botimin e librave të reja, me autorë shqiptarë dhe jo të përkthyera dhe të përshtatura nga gjuha maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Adem Ymeri, kryetar i LPMSHM, thotë se kërkesa e tyre është kategorike dhe insiston në ndryshimin dhe plotësimin Ligjit aktual, sipas të cilit librat duhet të përkthehen nga maqedonishtja, si edhe të shpallet konkurs për tekstet e reja shkollore.
“Po shpërndahen librat e muzikës edhe këtë vit shkollor, të cilat janë krejtësisht të pavlefshme, kur dihet se në shkolla fillore dhe të mesme prej vitesh këto libra nuk përdoren. Ne si LPMSHM jemi të indinjuar, pasi nuk e dimë se me të drejtën e kujt sërish shpërndahen tekste që janë te pavlefshme dhe për të cilat në takimet që kemi pasur me përfaqësues të instancave të ndryshme në MASH na është premtuar se nuk do të shpërndahen dhe se ky problem do të zgjidhet me mundësimin e botimit të librave të rinj. Librat as nuk mund të korrigjohen, as të përmirësohen, duhet vetëm që të hartohen të reja nga autorë shqiptarë”, thotë Ymeri.
LPMSHM konsideron se këto libra janë dëshmi e diskriminimit kulturor drejt fëmijëve shqiptar, pasi që në to jo vetëm që nuk ka fare materiale nga muzika dhe kultura shqiptare, por janë të shoqëruara nga fillimi deri në fund me paradokse të ndryshme, me tekste këngësh të përkthyera tekstualisht dhe vijë melodike që nuk korrespondon. Nga MASH nuk kanë ndonjë afat konkret për çështjen e botimeve të reja në gjuhën shqipe apo edhe korrigjimin e përmbajtjeve edhe për libra të lëndëve të tjera, si Gjeografi, Histori, Edukatë, e të tjera.
Disa ditë më parë ky institucion bëri me dije se janë korrigjuar një sërë librash, ndërsa punohet për të vazhduar me libra të tjerë. “Ky është fillimi dhe MASH do të vazhdojë edhe me korrigjimin dhe botimin e librave të tjerë, për të cilët do të ketë kërkesa nga ana e shkollave, shoqatave, prindërve dhe të gjitha palëve te tanguara. Jemi të hapur të diskutojmë për te gjitha temat e hapura në arsim, pa përjashtuar edhe këtë çështje”, ka deklaruar ministri Ademi.
Për zgjidhjen e problemit me librat e muzikës LPMSHM i është drejtuar MASH disa vjet më parë dhe sipas një marrëveshje fillimisht janë formuar grupe pune me profesorë të muzikës për korrigjimin e teksteve, por dorëshkrimet e punuara nuk u vunë asnjëherë në përdorim. Pas zvarritjes së problemit, LPMSHM kërkoi që tekstet të shpallen pavlefshme për t’i hapur rrugë botimit të librave të rinj, por edhe përfshirjen e vetë Lidhjes në komisionet e MASH, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet dhe të krijohen probleme të njëjta. (koha.mk)