Të tejkalojmë “të ekzistuarit” dhe të nisim “të jetojmë”

Vendosja në funksion e të menduarit është hapi i parë nëpërmjet të cilit mund të nisim lartësimin nga niveli i poshtëm i të qenit, pra ai ekzistencial, në nivelin e sipërm të të qënit, të jetuarit me kuptim dhe qëllim. “Të jetosh është diçka shumë iracionale, por organizmi i gjallë është i organizuar në një mënyrë shumë racionale”, do të shprehej filozofi Edgar Morin

Romeo Ismahilaj

“Të jetuarit është një gjë shumë e rrallë. Shumica e njerëzve kënaqen vetëm duke ekzistuar”. Në këtë formë kaq të mprehtë, bindëse dhe dalluese shprehet shkrimtari i madh irlandez Oscar Wilde, duke na ofruar të thjeshtuar dhe të qartë një parim thelbësor njohës.

Advertisements

Ndodhja jonë në botë fillimisht kumton një fakt ekzistencial, praninë fizike, raportin me natyrën fizike të gjësendeve. Mirëpo vetëdija njerëzore, si pjesë e qenies sonë, tenton vazhdimisht të na tregojë me anë të skenave imagjinare, edhe përkatësinë ndaj një rendi gjërash post-ekzistencial. Prezenca e njeriut në rrafshin e ekzistencës materiale përmbushet derisa plotësohen nevojat fiziologjike. Në momentin kur njeriu plotësohet fizikisht dhe lind nevoja për praninë e një qenie shoqëruese, apo kur vetmia i shkakton atij mërzi, atëherë qenia njerëzore nis takimin me një rend gjërash që qëndrojnë më lart se materia. Kështu vetëdija përcakton kuptime rreth marrëdhënieve me qenien përtej saj, me tjetrin.

Pikërisht tek marrëdhënia me tjetrin gjendet filli i të kuptuarit se njeriu iu përket njëkohësisht dy të vërtetave, asaj fizike dhe asaj shpirtërore. ‘Tjetri’, në tërësinë e kuptimeve të këtij koncepti, përbën një shumësi subjektesh materiale dhe shpirtërore, ndaj të cilëve, secilës qenieje njerëzore i duhet të krijojë lidhje jo thjeshtë për nevoja ekzistenciale, por lidhje njohëse. ‘Tjetri’ është emërtimi i çdo marrëdhënie që njeriu ndërton me botën jashtë tij. Ka njerëz që ‘tjetrin’ e perceptojnë deri në fazën që kjo tërësi subjektesh plotëson kërkesat teknike falë të cilave organizmi i njeriut arrin të funksionojë. Kjo kategori njerëzish gjykon vetveten për t’i përkitur vetëm rendit të poshtëm të gjërave, pra atij rendi që i është dhënë njeriut në mënyrë të vetvetishme për ta kuptuar dhe pranuar, sepse të ekzistosh nuk kërkon kurrfarë përpjekje të mirëfilltë njerëzore. Madje kjo kategori e njerëzve që zgjedh t’i përkasë vetëm këtij rendi gjërash, përpjekjen e tyre ia dedikojnë përsosjes të të ekzistuarit. Në rastin më të mirë mund të krahasohen me një person i cili zotëron një automjet të cilit ia mundëson vazhdimisht shërbimet e nevojshme për ta optimizuar me sa mundet funksionimin e tij.

Edhe njeriu, nëse e pranojmë si qenie që vetëm ekziston, mundet të funksionojë shumë mirë biologjikisht. Por me këtë funksion nuk mund të arrijë përcaktimin e një drejtimi për të ecur, jo me këmbë por me vetëdije. Kur hasim dukurinë e njerëzve që mendojnë, të cilët ecin për diku edhe me anë të vetëdijes, atëherë kemi të bëjmë me atë grup të vogël njerëzish të cilët ekzistencën e perceptojnë si kusht pararendës të prezencës në botë, si një terren të dhënë mbi të cilin duhet ndërtuar vetëdija jo thjeshtë ekzistenciale por edhe shpirtërorja.

Filozofia e ka nisur përpjekjen për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi të vërtetat e jetës duke u bazuar mbi faktin e terrenit tokë mbi të cilin jetojmë dhe mjedisit të jashtëm me të cilin kemi të bëjmë. Më herët, filozofët e vjetër dallonin mes objekteve të natyrës se cili prej tyre është më i domosdoshëm për njeriun, për të kuptuar se me cilën pjesë materiale të botës lidhet më shumë thelbi i njeriut. Ndërsa tek mjedisi social dhe kultutor filozofia e lashtë greko-romake synonte të kuptonte të vërtetën e jetës, duke analizuar mjedisin në rrafshin e ideve që qarkullojnë në shoqëri, koncepteve morale si edhe autoriteteve të mendimit. Kështu Aristoteli arriti të konstatojë një domosdoshmëri për të ndarë midis dijeve fizike dhe atyre metafizike, apo dijeve natyrore dhe dijeve mbinatyrore. Në ditët e sotme, qasja ndaj dijeve e shkencave të ndryshme pa bërë dallimin midis atyre fizike dhe metafizike, pra pa u pozicionuar nga objekti i duhur prej të cilit e hulumtojmë shkencën, përbën një anashkalim të dëmshëm. Nevoja për të dalluar mes dijeve të cilat në thelb kanë rol udhëzues për njeriun, nënkupton se në natyrën e vet, njeriu ndjen boshllëk të patjetërsueshëm për ta kapërcyer ekzistencën dhe për të kaluar në gjendjen e të jetuarit, sepse jeta nënkupton përfshirjen në botë me prezencën edhe trupore edhe shpirtërore.

Një njeriu të ditëve të sotme, të cilin trysnia e propagandës moderne dhe mitet që lartësojnë në kufij absurdë rendjen pas mega-kënaqësive trupore, ndoshta i duket prapambetje studimi i dijeve antike dhe moralet që burojnë nga doktrina të moçme, madje thjeshtësia dhe qartësia e shumë e shumë urtësive apo imperativëve moralë të antikitetit, tek mendja e këtij njeriu mund të perceptohen si demode dhe prapambetje, duke e krahasuar me sofistikimet pseudo-kultutore dhe pseudo-artistike të aktualitetit. Por, ky rrëmbim i vrullshëm që shkakton forma e të menduarit dhe të jetesës së ditëve të sotme, e fortifikon pozicionin e njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi brenda ‘kafazit’ të ekzistencës materiale e biologjike.

Vendosja në funksion e të menduarit është hapi i parë nëpërmjet të cilit mund të nisim lartësimin nga niveli i poshtëm i të qenit, pra ai ekzistencial, në nivelin e sipërm të të qënit, të jetuarit me kuptim dhe qëllim. “Të jetosh është diçka shumë iracionale, por organizmi i gjallë është i organizuar në një mënyrë shumë racionale”, do të shprehej filozofi Edgar Morin. Ky reflektim së pari duhet t’i bëjë thirrje njeriut të sotëm materialist që beson se historia ecën drejt një kahjeje progresiste të pandalshme vetvetiu, dhe ka paragjykime të gabuara për paraardhësit e gjinisë së vet njerëzore rreth primitivitetit të tyre. Ky njeri, i cili sot është bërë shkak që bota të shndërrohet në një vend më të pasigurt, më të paqëndrueshëm dhe më të çrregullt se në të shumtat e periudhave të historisë, e ka të domosdoshme të ndalet tek vetja dhe të meditojë së pari në lidhje me këtë raport dis’harmonik mes përsosmërisë së jetës së gjallë dhe mungesës së arsyes të të jetuarit për shumicën e njerëzve. Ky konstatim i Edgar Morin shënjon ndërgjegjësimin fillestar që i duhet shoqërisë së sotme. Meditimi duhet të zërë vendin që i takon. Njeriu e ka të nevojshme sot më shumë se kurrë përballjen me idetë dhe doktrinat e mëdha të historisë.

Të vërtetat gjenden pranë nesh, tek tjetri afër nesh që mund të jetë një prind, një fëmijë, një mësues, një mik, një libër apo një institucion dijeje. Me rëndësi është t’iu qasemi me meditim, të njohim veten nëpërmjet tyre, të konstatojmë të përbashkëtat, të nxjerrim prej secilit urtësitë më të mëdha, ta bëjmë të jetuarin tonë shumë më të arsyeshëm se racionaliteti organik i botës së gjallë. Prandaj kemi shumë nevojë për këtë shkëputje fillestare, ndarje intelektuale midis të ekzistuarit dhe të jetuarit, apo jetesës me një mision apo qëllim madhor. Nëse e bëjmë këtë, atëherë do nisim të kuptojmë shkaqet e çrregullimeve shoqërore, edhe nëse vazhdojmë ta bëjmë këtë shkëputje jo vetëm intelektualisht por edhe praktikisht, atëherë do të mësojmë se si mund të rregullohen shumë pjesëza në këtë botë.

Asnjëherë nuk është vonë të dallojmë midis dy formave të përkatësisë njerëzore në botë, asaj biologjike, të cilës i nënshtrohemi në mënyrë të barabartë si të gjitha gjallesat e tjera, edhe përkatësisë intelektuale, derivate të të cilave janë aspektet morale, kulturore edhe ligjore në shoqëri. Dallim prej të cilit perceptimin ta pasojmë me rendje drejt pozitës që i takon një qenie njerëzore, ashtu sikurse jemi sjellë në këtë botë me qëndrimin drejt dhe kokën lart, njësoj na duhet të kërkojmë rrugët e lartësimit shpirtëror. Vetëdija e më pas perceptimi përbëjnë terrenin e parë në të cilin duhet shquar ky dallim. Nëse problemet shoqërore janë të shumta dhe të ndërlikuara, atëherë kemi të bëjmë me shoqëri të përbërë nga individë të cilët në vetëdijen dhe perceptimin e tyre nuk e kanë të qartësuar dhe kategorik dallimin ndaj këtyre dy formave të të qenit në botë.

Kur njeriu të arrijë në nivelin e të kuptuarit të anës shpirtërore, të nevojës për trajtim human të vetes dhe tjetrit, atëherë sapo ka hyrë në një rrugëtim të gjatë që mbart përgjegjësi, sapo ka nisur të ecë në një zone me “tabela paralajmëruese rreziku” të cilat referojnë alarm në ndërgjegjen e tij. Fill në këtë fazë të të kuptuarit njeriu nis të pasojë ‘të ekzistuarit” me “të jetuarit”. Në këtë ndryshim mes këtyre dy formave të qenies sonë në botë ndodhen ligjet e ndryshimit të shumëçkaje në botë. Vetëm duke jetuar i bindur se jeta është më e rëndësishme dhe më me vlerë se ezkistenca, kemi mundësi të ecim me shpresë drejt pozitave dinjitoze, vetëm kështu mund të pretendojmë se mund ta përmirësojmë atë pjesë të botës që i përkasim.

Të jetojmë, do të thotë të mendojmë se si ta trajtojmë veten me dinjitet, se si të jemi të drejtë e të mos dëmtojmë tjetrin, se si t’i vijmë në ndihmë të dobëtit, se si të luftojmë të keqen. Të jetuarit duhet të nënkuptojë për ne formën e pjesëmarrjes në botë duke qenë të dobishëm duke ruajtur kufijtë e marrëdhënieve me veten dhe me shoqërinë. Kësisoj jeta e vërtetë, ndryshe nga thjeshtë ekzistenca, kërkon përpjekje për ta bërë shoqërinë të vetëdijshme, të moralshme e të drejtë, jo vetëm teorikisht, por edhe në realitetin praktik. Sa më shumë të rritet masa e njerëzve që nisin të binden se nuk na përket vetëm aspekti fiziologjik i jetës, por edhe ai shpirtëror, se kemi nevojë të jetojmë me dinjitet, aq më shumë do përmirësohet shoqëria. Thelbi i ndryshimit qëndron tek vetëdijësimi përpara zbatimit të çdo mase normative dhe ligjore.

Kur prekemi dhe vuajmë nga pasojat e të keqes në shoqëri si vrasjet, vetëvrasjet, vjedhjet, korrupsioni, imoraliteti, braktisja e fëmijëve dhe e prindërve apo çdo formë tjetër e problemeve shoqërore, kemi të bëjmë me një qëndrim njerëzor, të drejtë. Por, më shumë duhet të na lëndojë gjendja e vetëdijes dhe vetëperceptimit shoqëror, prej aty duhet të shqetësohemi rreth asaj se si ta ndryshojmë këtë gjendje. Të gjitha devijancat janë produkt i këtyre vetëdijeve apo vetëperceptimeve që mbesin peng i të qenit vetëm si ekzistentë, si qenie që thjeshtë ‘shfaqemi’ në botë, dhe jo qenie që ‘bëjmë’ në botë, apo që e ‘bëjmë’ botën.

Të tejkalosh ekzistencën dhe të synosh të jetosh me qëllim dhe parime nuk është diçka e re, madje është e vjetër sa vetë njerëzimi. Por, kjo bindje, ashtu sikurse shumë besime e tradita të njerëzve, kanë nevojë për përkujtim që të mos zbehen, që të mos humbasim prej tyre vlerat dhe frytet. Shumë njerëz e kuptojnë këtë ndarje, por nuk e vazhdojnë rrugën e tejkalimit nga dallimi konceptual në të dalluarit me vepër e më pas me norma ndaj vetes dhe ndërmjet njëri-tjetrit. Përgjegjësia më e madhe për të këqijat bie mbi këtë kategori njerëzish, sepse ata shfaqin indiferentizëm ndaj çështjeve që i kuptojnë se qëndrojnë gabim, kështu, harrojnë ta përhapin këtë kuptim edhe tek ata që nuk e njohin këtë dallim, e nga ana tjetër lënë pasojat e të keqes të vërshojnë në jetën e shumë njerëzve duke i dëmtuar. Pikërisht këta njerëz duhet të përkujtohen më së shumti se na duhet jo vetëm të ekzistojmë, por edhe të jetojmë, madje me gjallëri që buron nga drejtësia me vetveten dhe ndaj të tjerëve./nskaj