Janë të paktë personat që kanë probleme me dëgjimin dhe që kryejnë fakultet. Sipas Lidhjes nacionale të të shurdhërve, numërohen vetëm pesë persona që kanë kryer fakultet vitin e fundit, edhe atë me ndihmën e shoqëruesve
Delvina KËRLUKU
Shkup, 7 tetor – Kërkesat e Lidhjes Nacionale të Shurdhmemecëve për hapjen e çerdheve dhe zgjerimin e shkollave ekszistuese, si fillore ashtu edhe të mesme në tërë territorin e Maqedonisë, për aftësimin e nxënësve më të meta në të folur dhe të dëgjuar, ka rënë në vesh të shurdhër nga ana e institucioneve shtetërore. Ligji për përdorimin e gjuhës së shenjave, e cila u miratua në vitin 2009, nuk praktikohet në jetën e përditshme. Pak televizione në ekranet e tyre kanë “përkthyes” për shurdhmemecët, shkruan gazeta KOHA.
Nga Lidhja nacionale e personave të shurdhër thonë se problemet janë të natyrave të ndryshme të kësaj kategorie të njerëzve. “Personat e shurdhër, si fillim, ndihmën sociale që e pranojnë, është e pamjaftueshme dhe nuk është ajo që duhet dhe që e parashikon rregullativa ligjore. Ata janë të diskriminuar për dallim nga personat e tjerë me aftësi të kufizuara, siç janë të verbrit ose me pengesa trupore, ku këta të fundit përfitojnë 7000 denarë, ndërsa personat me problem në dëgjim, marrin 4000 denarë! Këtu ashiqare shihet se ka dallime”, thotë për gazetën KOHA, Liza Velkovska nga Lidhja nacionale e personave të shurdhër. Edhe kjo kategori, si të gjithë të tjerët, kanë nevojë për arsimim. Megjithatë, kushtet aktuale në shkolla nuk janë adekuate për këtë kategori nxënësish.
“Ministria e Arsimit ka planifikuar të përfshihen këta fëmijë në shkolla të rregullta për t’u socializuar, por është shumë e vështirë inkuadrimi i tyre, sepse ata kërkojnë një vëmendje më të veçantë. Po ashtu, nuk ka në dispozicion mësues të gjuhës me shenja. Është vërtet e vështirë edhe për faktin se nuk janë në të njëjtin nivel me fëmijët e tjerë”, thotë Velkovska, duke shtuar se në Maqedoni, ekzistojnë vetëm dy shkolla për këtë kategori të njerëzve – shkolla fillore në Manastir “Koço Racin” dhe shkolla e mesme në Shkup, “Partenie Zografski”.
“Unë kam një fëmijë me problem në të dëgjuar dhe në vendin tonë nuk ka edhe çerdhe për këta fëmijë. Mendoj se parashkollorja është shumë e vlefshme për këta fëmijë që të avancohen për shkollë fillore dhe të mesme. Këta fëmijë nisen në shkollën fillore në Manastir, pa dijeninë e ngjarjeve, numrave, pra gjërave bazike. Ata nuk kanë arsimim deri në moshën 6-vjeçare”, thotë më tej Velkovska, e cila informon se nevoja për hapje të klasave edhe në disa shkolla, por edhe çerdheve, është më shumë se urgjente. Gjithashtu, janë të paktë personat që kanë probleme me dëgjimin dhe që kryejnë fakultet. Sipas Lidhjes nacionale të të shurdhërve, numërohen vetëm pesë persona që kanë kryer fakultet vitin e fundit, edhe atë me ndihmën e shoqëruesve.
Ruzha Misheva është shurdhmemece që në moshën 4-vjeçare, si pasojë e meningitisit, ajo përherë është e shoqëruar me kushërirën e saj, Sllavica, ku flasin me gjuhën e shenjave. Në jetë ka dashur të jetë gazetare, por pamundësia e shkollimit e ka kufizuar ëndrrën e saj. Ka punuar në një shtypshkronjë në Strugë, ndërsa tani është pensioniste për tetëmbëdhjetë vite me radhë.
“Mua më shumë më intereson televizioni, lajmet, meqë kam ëndërruar të jem gazetare në jetë. Mirëpo, për shkak se jam me invaliditet, më duhet që në ekran të ketë një person që gjatë transmetimit të lajmeve, të flet me gjuhën e shenjave. Nuk i pëlqej filmat e sinkronizuar, sepse nuk ka titra që të mund të lexoj e të kuptoj çfarë flasin personazhet e filmave. Është shumë e vështirë të kuptohemi me mediat, sepse gazetarët duhet lehtë dhe qartë të shkruajnë, sepse gjuha e shurdhmemecëve është shumë e varfër në fjalor, ndërsa në gazetë ka shumë fjalë të komplikuara dhe unë kam vetëm 13 vjet shkollë, pra shkollën fillore dhe të mesme. Në kohën time, para 40 viteve, nuk ekzistonte shkollim i mëtutjeshëm, ndërsa edhe sot këto barriera i hasin shurdhmemecët”, thotë për KOHA, Misheva.
Në ndërkohë, Ministria e Arsimit konfirmon se mungojnë kushtet për këtë kategori njerëzish, megjithatë thonë se mësimin – fëmijët me probleme në dëgjim mund ta ndjekin në shkollat speciale të mes, ose të jenë pjesë e klasave të veçanta për nxënësit me dëmtime dëgjimi në shkollat fillore të rregullta. Arsimi i mesëm për këtë kategori të nxënësve, thonë në MASH, zakonisht vazhdohet në shkollën shtetërore për edukimin dhe rehabilitimin “Partenie Zografski”, e cila është e vendosur në Shkup dhe ku ka staf të përgatitur dhe programe edukative-adekuate, si dhe konvikt për nxënësit. (koha.mk)