Forca të Ushtrisë shqiptare janë përfshirë sot në një konflikt qytetarësh ku kishte ndërhyrë policia dhe më tej ushtarë të saj kanë hapur zjarr me plumba në ajër, pasi thotë se u sulmua me gurë nga personat e përfshirë në aktet e dhunshme, fillimisht mes njëri-tjetrit. Ky sherr me pjesëmarrjen e disa personave ka ndodhur sot paradite në periferi të Tiranës.
Ngjarja u lokalizua në Shish Tufinë, tek Qendra Tranzitore e Emergjencave, ku policia konfirmoi se pati një konflikt midis disa shtetasve, rreth orës 09:30. Pas telefonatës që u krye në sallën operative, janë nisur shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4. Në këtë aksion policor, ka ndërhyrë edhe ushtria. Këtë e konfirmon drejtoria e Policisë së Tiranës e cila tha se “policët janë ndihmuar edhe nga ushtarët e vendrojës së laboratorit të Ushtrisë”. Sipas komunikatës zyrtare, ata synonin normalizimin e situatës dhe shoqërimin e personave të përshirë në konflikt. Komunikata thekson faktin se qytetarët e përfshirë ishin romë. Pasi kanë ndërhyrë, forcat e policisë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Por pak pas largimit të shërbimeve të Policisë, të afërmit e të shoqëruarve kanë filluar të sulmojnë me gurë shërbimin e vendrojës së ushtrisë, transmeton KP. Një ushtar ka ngritur armën e zjarrit dhe ka lëshuar plumba në ajër. Policia e cila mori përsipër të informojë edhe mbi këtë pjesë të ngjarjes së sotme, tha se ushtari është detyruar të bëjë qitje në ajër, për t’iu shmangur sulmit të romëve, deri në afrimin e shërbimeve të policisë. Shërbimet e Policisë bënë shoqërimin e personave të cilët dyshohen të kanë qëlluar me gurë. Policia tha se po kryhen veprime për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ajo që mbetet për t’u qartësuar në këtë ngjarje është se pse ushtria u përfshi në aksionin policor për neutralizimin e konfliktit të disa qytetarëve. Mbetet të qartësohet edhe nëse ishte kërkesë e forcave policore apo ndërhyrje e pakërkuar prej bluve, ajo e forcave të Ushtrisë në konfliktin ku ishin përfshirë civilë dhe policia.