Delvina KËRLUKU
Hasan Jashari, është profesor në UEJL. Është punëtor shumëvjeçar i arsimit dhe pionier i lëvizjeve antikomuniste dhe demokratike të viteve 1989-1991 në media dhe jetën politike të atëhershme. Ka studiuar dhe ka marrë titujt shkencor ne Universitetin e Shkupit. Ka specializuar Community Planning ne Illinoi State University në Bloomington Normal. Është autor i sloganeve të para të PPD-së dhe programit të saj zgjedhor dhe të organizimit politik të shqiptarëve në vitin 1990: “Me laps në Evropë”, “Të barabartë në mes të barabartëve, të lirë në mes të lirëve”. Në vitin 2008 ka nënshkruar kërkesën ndërkombëtare të 265 intelektualëve botërorë për respektimin e votës së lirë në zgjedhjet e fundit presidenciale në Iran. Peticionin e kanë nënshkruar edhe intelektual siç që janë Orhan Pamuk, Nadin Godimmer, Mario Ëargas Llosa, Naom Chomski, Marta Nussbaum, etj. Ka botuar shumë libra dhe në revista shkencore ndërkombëtare. Në vitin 2015 në Varna të Bullgarisë në ‘SGEM Confernce’, ka marrë çmimin prestigjioz si prezantues i hulumtimit më të mirë. Ka marrë pjesë dhe aktualisht udhëheq në disa projekte shkencore lokale dhe ndërkombëtare. Ndër të tjera, është ligjërues i lëndës Filozofia politike, Sociologjia e arsimit, Metodat e kërkimit shkencor etj.
KOHA: I nderuar z. Jashari, ju keni qenë pjesë e strukturave arsimore që në vitet e më hershme, duke zënë vend të rëndësishëm edhe në Ministrinë e Arsimit dhe aktualisht jeni profesor universitar. A ishte kjo një rrugë e mundimshme?
JASHARI: Në prill të viti 1993 kam filluar punën në Ministri të Arsimit, si zëvendësministër. Unë isha shqiptari i vetëm në ministri. Pas 6 muajve bëra ekip të fuqishëm të funksionarëve dhe administratorëve shqiptarë. Që ditën e parë të punës filluan që të vijnë njerëz hallexhinj që kishin bërë kërkesa me vite për çështje të ndryshme dhe nuk kanë marrë përgjigje. I dërgoja deri te sektorët kurse, nëpunësit i përzinin dhe duhej që unë t’i dërgoja deri te zyra dhe të marrë në shënim kush e ka lëndën dhe të kërkoj që të më lajmëron kur ta zgjidh lëndën. Kjo funksionoi. Që atëherë iu rrekëm konsolidimit – hapjes të shkollave të mesme, në gjuhën shqipe dhe kërkimit të ngritjes të arsimit sipëror, njëherë kërkonim Fakultet Pedagogjik e pastaj shkuam më tej, në Universitet. Për hapjen paraleleve në shkollën e mjekësisë dhe ekonomike në Shkup, mund të bëhet një film shumë interesant viza-vi sfidave dhe vështirësive që kemi hasur. Ligji për Fakultetin Pedagogjik më 1997 ishte në esencë ideja për legalizimin e UT. Por, shërbimet e sigurisë paralajmëruan se “do të derdhet gjaku”. Andaj u bë ky ligj që krijoi një situatë ku në ministri me muaj hynim me sigurim policor. Emrat e shkollave i vendosnim ne, në Ministri, në bashkëpunim me kolegët tanë në Entin Pedagogjik dhe drejtorët e shkollave. I nënshkruaja unë .Rrugë mjaft e mundimshme, por jam krenarë për këtë punë.
KOHA: Arsimi i Lartë në Maqedoni, ashtu si në vendet e zhvilluara, konsiderohet një shërbim publik dhe e mirë publike. Për rrjedhojë, një nga qëllimet kryesore është që reforma të ruajë parimet bazë të arsimit, të tilla si: cilësi, mundësi të barabarta, pa diskriminim dhe mbështetje për shtresat në nevojë; konkurrencë e lirë mes institucioneve të arsimit të lartë, personelit akademik dhe studentëve, etj. Si e shihni arsimin tonë në këto drejtime?
JASHARI: Do ta filloj me thënien e Hanna Arendt – “arsimi e shpëtoi qytetërimin nga shkatërrimi”. Dhe vërtet është kështu sepse, po të mos ishte arsimi bota do të mbytej në primitivizëm dhe injorancë. Koncepti i arsimit bashkëkohor nënkupton një organizatë ku dominon dija, niveli i lartë i arsimit të nxënësve, studentëve dhe arsimtarëve. Arsimi projekton të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Asnjë shtet, i cili tenton të ndërtojë një qytetërim të ri dhe asnjë komb, nuk mund ta ruajnë dhe ta zhvillojë kulturën dhe traditën e tyre, pa një arsimim të mirëfilltë dhe cilësor. Reformat arsimore janë gjithnjë e më të nevojshme për modernizimin e shkollës, kërkojnë përsosje të sistemit arsimorë, arsimit profesional, të kuadrit mësimorë ose thënë ndryshe kërkojnë aftësimin e kuadrit në pajtim me nevojat për realizimin e kërkesave, për një kualitet më të madh dhe efikasitet më të lartë në arsim. Problemi i sigurimit të kualitetit në arsimin e lartë nuk imponohet vetëm nga shtetet, por ai iniciohet nga vetë mësuesit, profesorët, studentët etj. I tërë procesi i transformimit të arsimit sipëror do të ketë kuptimin e vet nëse të diplomuarit janë inventivë, fitojnë shkathtësi. Nga këtu, nuk duhet të pritet që arsimi sipëror t’i përgatisë të diplomuarit e ardhshëm të kërkojnë punë nga shteti, por ata vetë duhet të gjejnë, të krijojnë punë për veten dhe të tjerët.
Zaten aftësimi për vetëgjetje dhe vetë zhvillim është kualiteti i arsimit sipëror në Perëndim dhe impuls i ri i pas-modernizmit. Obligim i shtetit është vetëm që të krijojë zgjidhje alternative maksimale dhe shtigje të lira. Pra, të krijojë rrafsh të barabartë, shtet juridik dhe hapësirë për studim, kërkim shkencor dhe biznes. A duhet të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tonë, ne arsimtarët dhe rrethi jonë shoqëror dhe politik. Pyetja e radhës është se kemi seleksionim negativ këtu në Maqedoni edhe në shkolla edhe në postet udhëheqëse në shoqëri edhe në punësimet në administratën publike dhe shtetërore. A duhet të krijojmë kushte që dija të jetë vlerë qendrore morale? Të gjithë e dimë se shtytës të kualitetit në një fakultet dhe universitet janë njerëzit; mësimdhënësit, asistentët, administratorët, dekanët. Universiteti mund të ketë emër që bie në sy mirëpo, nëse ka njerëz që nuk u punon as e-maili, automatikisht janë të varur që të tjerët t’u shkruajnë diçka, atëherë kualiteti i atyre kuadrove është i vogël. Në Evropë dhe Amerikë që më herët është legjitim vetëm kualiteti i shërbimit ndaj klientit. Shtetet ekonomikisht të zhvilluara ndajnë shumë më shumë se Maqedonia nga buxheti për të gjitha shkollat. Arsimi i lartë nuk është si arsimi fillorë dhe ai i mesëm. Ai duhet t’i kënaq disa standarde të veçanta, të cilat janë në përputhje me përvojat dhe praktikat më të mira të shteteve të zhvilluara perëndimore. Kualiteti i arsimit të lartë prodhon njëkohësisht kualitetin e kuadrit që përgatitet për nevojat e shërbimeve publike dhe shoqërore; ndërmarrjeve, spitaleve, shkollave, institucioneve për punë hulumtuese-shkencore, ushtrisë, policisë etj. Kualiteti shihet në efikasitetin e institucionit, nivelin e arsimimit të popullatës, numri dhe shkallët e të diplomuarve, pozita e të diplomuarve në tregun e punës, mirënjohjet shkencore të mësimdhënësve. Kualitet paraqet puna shkencore e një standardi të lartë dhe numri i madh i të diplomuarve. Ata posedojnë shkathtësi intelektuale që mund t’i materializojnë si resurse dhe ajo paraqet fuqi, thotë Maks Veberi. Këta intelektual ose ” teknikë të dijes”, siç i quan Jean Paul Sartre, e paraqesin palcën e progresit shoqërorë. Në Republikën e Maqedonisë kërkesa për diploma është në rritje. Mirëpo, është fakt se numri më i madh i tyre gjejnë punësim jashtë vendit. Sot, njohja e teknologjisë informatike, gjuhëve të huaja, natyrisht edhe diploma, janë argumente më të sigurta për vizë dhe për të siguruar punë në Perëndim. Peter Drucker ( 1995) thotë se sot dija bëhet resurs dominant ekonomik. Në realitet dija paraqitet si resurs i vetëm i kuptimtë. Resurset tradicionale si toka, resurset natyrore fuqia punëtore, kapitali nuk do të zhduken por ata e humbin rëndësinë e tyre- ata bëhen sekondar. Ndonjëherë e gjithë kjo përmblidhet në një term si post-modernizëm.
Termi pas-industriale është përdorur nga Daniel Bell në SHBA due Alain Touraine në Francë . Por, sot postmodernizmi po ia lëshon vendin Revulucionit. Revolucioni i parë industrial përdorte fuqinë e ujit dhe avullit për të mekanizuar prodhimin. Elektrikciteteu u paraqit si fuqia e dytë për të krijuar prodhim masiv. Fuqia e tretë ishte elektronika dhe teknologjia e informacionit për të automatizuar prodhimin. Tani një Revolucion i Katërt dixhital karakterizohet nga një shkrirje e teknologjive që bashkojnë linjat midis sferave fizike, digjitale dhe biologjike. Ky është robotizimi i operacioneve punuese. Por kjo më është shoqëria e të ardhmes, shoqëria digjitale due e mikroprocesorëve. Mënyra e prodhimit të mirave materiale e bazuar në fabrikat, makinat, angazhimin fizik po zhvendoset në atë drejtim due mënyrë ku informacioni, shërbimi bëhet bazë e prodhimit.( Drucker,P.1995) Ndryshon edhe mënyra e jetës. Daniel Bell në veprën “Ardhja e Shoqërisë pas-industriale” thotë se rendi pas-industrial dallon nga ai industrial. Në rendin e mëparshëm sundon prodhimi në atë pas-industrial shërbimi. Punëtori i prodhimit, ne raport, ne fabrikë nuk është më kryesori më i madh në numër. Por në kushte te zhvillimeve 4,0 punëtori zëvendësohet në masë të madhe nga robotët. Shpërndarësit, grupet sociale të reja të kësaj strategjie zhvillimore si edhe zbatuesit do të jenë shkencëtarët, informaticientë, ekonomistët dhe specialistët e të gjitha llojeve. Edhe etika e punës do të ndryshon sipas asaj që njerëzit në jetën e tyre të jenë më të lirë të krijojnë vlera të reja.
KOHA: Si e vlerësoni veprimtarinë kërkimore-shkencore në vend, zhvillimin dhe përsosjen e vazhdueshme të legjislacionit për shkencën drejt modeleve bashkëkohore të organizimit, bashkëpunimit nëpërmjet aplikimit në projekte kombëtare e ndërkombëtare, me synim final integrimin në hapësirën e kërkimit shkencor Evropian?
JASHARI: Është botërisht e njohur dhe kërkimet shkencore e kanë dëshmuar se Universitetet duhet të plotësojnë disa kritere të veçanta që janë të verifikuar dhe u nënshtrohen standardeve ndërkombëtare. Specifika e arsimit sipëror përbëhet nga fakti se këtu përgatiten kuadro të një interesi vital për zhvillimin dhe ardhmërinë e bashkësisë; mjekë, udhëheqës, inxhinier, jurist, ekonomistë, informatikanë… Asnjë teori shkencore nuk është e përsosur dhe e plotë. Andaj vetëm hulumtimi shkencor vazhdimisht e plotëson njohjen e fshehtësive të natyrës, njeriut dhe shoqërisë me njohuri të reja. Në botë si qendër më e njohur hulumtuese shkencore është Silicon Valley, afër San Francisco. Qendër e teknologjisë bashkëkohore globale ku janë të përqendruara: Apple, Facebook and Google etj. Pastaj qendra hulumtues pranë Stanford University etj.
Në Maqedoni dhe Ballkan puna hulumtuese- shkencore e nde nuk e ka vendin e duhur në shoqëri kurse kryesisht mbijeton ne sajë të Projekteve Tempus, më parë dhe tani Erazmus. Si rrjedhim i hulumtimit shkencor ne në treg vazhdimisht kemi teknologji dhe mallra të reja. Mund të na bëni një dallim me të sotmen nga vitet e tranzicionit shoqëror dhe ekonomik, ku arsimi i lartë, në Maqedoni, ka pësuar një masivizim të jashtëzakonshëm për kapacitetet që ka dhe mundësitë që ofron? Ky masivizim, ndoshta i rëndësishëm si politikë arsimore! Dallimi mes të sotmes dhe viteve të tranzicionit në sferën shoqëroro ekonomike është i madh. Jetojmë në kohën e transformimeve të mëdha. Tani “Panta Rei” e Heraklitit vjen në shprehje në kuptimin e plotë të fjalës. Mundësitë janë më të mëdha në aspektin e ekonomik. Por ka edhe pakuptimshmëri; njerëz që ankohen se nuk kanë punë në mjediset shqiptare pinë cigare Malboro dhe nuk ecin në këmbë as 500 metra, shfrytëzojnë veturën. Kjo është më së tepërmi dukuri te të rinjtë. Në sferën e arsimit në vitin 1992, pjesëmarrja e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të studentëve të regjistruar në Universitetin e Shkupit ishte vetëm 2,7 %, kurse në arsimin e mesëm 6,2% e kurse në arsimin fillor, që ishte i detyrueshëm, ishte 38 %. Tani kemi masivizim të arsimit të lartë që solli edhe rrënje të kualitetit dhe në kushte kur për shkak të rënies të natalitetit dhe ikjes të të rinjve jashtë bie numri i studentëve , ne bëjmë një hap të pamenduar mirë, hapim e dhe një universitet të ri.
KOHA: Pas vitit 1981 vijon periudha më e errët në historinë e arsimit shqiptar, në Maqedoni. Por, edhe në vitet kur keni qenë pjesë e Ministrisë së Arsimit, vite këto ku u legalizua Universiteti i Tetovës. A ia ka vlejtur që shqiptari të jetë në ministri, në atë kohë?
JASHARI: Pas vitit 1981 ishte një periudhë ndjekjesh të arsimtarëve, intelektualëve, nxënësve, studentëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Koha kur mblidheshin dhe digjeshin librat, dënoheshin njerëzit për shkak të emrave të fëmijëve, prishja e rrethojave dhe dyerve të oborreve… Arsimi i mesëm në gjuhën shqipe u çrregullua me paralelet e përziera të cilat kishin për qëllim vetëm të mbylleshin shkollat në gjuhën shqipe. Në gjuhën shqipe mbet vetëm Gjimnazi i Tetovës, Gostivarit, Dibrës dhe Zef Lush Marku, por me pak klasë.
KOHA: Vitet e fundit ne kemi pasur në krye të ministrisë kuadër shqiptar, të cilët kanë punuar, por kanë lënë mangët, të paktën në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhë shqipe. Me gjithë pritjet e shumta, nuk u dha zgjidhje as për problemet politikisht të pastra, sikurse janë largimi i librave që ofendojnë shqiptarët, zyrtarizmi i emrave shqip të shkollave në Çair, Dibër dhe Vrapçishtë, apo legalizim i paraleleve shqipe në Podgorcë të Strugës. Kaq pengesë ka ministri shqiptar?
JASHARI: Dekadën e fundit arsimin në gjuhën shqipe e kanë udhëhequr shqiptarët, por ministrat shqiptarë në punën e tyre kanë pasur një qasje të nëpunësit shtetëror e jo të një koalicioni politik që ka interesa specifike. Un nuk kam dëgjuar prej tyre në Parlament dhe ne prononcimet publike të flasin për librat, për kushtet e punës, për shkollat në gjuhën shqipe që janë pa ujë, ngrohje, rryme…Ministrat shqiptarë kanë pasur një grup parlamentar dhe një parti shterpe pas vetes, parti qe mundohet te jetojë nga puna e kaluar dhe nga këngët me çifteli.
KOHA: Ju ballafaqoheni çdo ditë me brezin e ri, çfarë thonë ata për Maqedoninë dhe cila është këshilla juaj?
JASHARI: Brezi i ri është një brez me kushte më të mira jetësore çdo ditë e më tepër. Ata janë më të mirë se ne, kur ishim të rinj. Ne të vjetrit nuk kemi punuar sa duhet që ata të rijnë këtu, mos shpërngulen. Paramendoni se sa ‘Shkupi 2014’ e ka hëngër ardhmërinë e tyre për plot 10 vite dhe me afër një miliard euro e spitalet nuk kanë inkubatorë për fëmijët e porsalindur. Këshilla ime për të rinjtë është që potencialin e tyre ta japin këtu në Maqedoni. Nëse ata thonë se ja këtu nuk jetohet do të ikim jashtë ata vetëm dorëzohen dhe nuk bëjnë luftë që të ndryshojnë gjërat. Kam biseduar me studentë të shkencave politike në këtë temë dhe shpesh më paraqitet e njëjta përshtypje. Në pyetjen se a angazhohen ata aktivisht në politikë ata pra, 2/3 e tyre, thonë se nuk u intereson politika, “nuk merrem me politikë”. Përgjigja e ime është se nëse ne nuk jemi pjesëmarrës, nuk imponohemi atëherë politika do të merret me neve. Ashtu siç edhe ka ndodhë decenien e fundit. Tjetër kush do të na e shkruan fatin tonë.
KOHA: Shoqëria shqiptare një dekadë e më shumë ka ecur përpara, por shpesh ndeshet me traditën e saj. Si e shihni këtë zhvillim të komunitetit shqiptar në Maqedoni, në sfera të ndryshme?
JASHARI: Tradita është pjesë e kulturës njerëzore. Popujt që nuk e rruajnë traditën zhduken. Më dhemb ajo kur ne po prishim çdo gjë të vjetër: murre, shtëpi, mullinj…Inovacioni më i madh në shoqëri është ta ruajmë të vjetrën. Perëndimi ec përpara me hapa gjigand por për ta tradita dhe gjërat e vjetra janë të shenjta. Ne për pak gjëra e prishim shtëpinë e babait, të gjyshit dhe ndërtojmë një të re, në perëndim ajo çmohet si traditë, si pasuri dhe vetëm rinovohet.
KOHA: Profesor, si studente e juaja na keni mësuar se në familjen patriarkale pushtetin e ka burri dhe nga ai varen anëtarët e familjes. Maqedoninë kush e udhëheq?
JASHARI: Që në vite 1996/97 arritëm që në shkollat e mesme numri i femrave të regjistruara të arrijë atë të meshkujve. Sot numri i femrave të diplomuara në fakultete e tejkalon numrin e meshkujve. Në shkollat fillore mësueset janë dominante. Kjo është arritur edhe në arsimin e mesëm dhe në mjekësi dhe shërbimet sociale. Por te shqiptarët ende ka meshkuj që janë feudal në sjellje në shtëpinë e tyre dhe jashtë sajë. Ose burra që dalin vazhdimisht me shokë dhe asnjëherë nuk i nxjerrin fëmijët dhe familjarët, së paku, për një akullore diku. Kjo është primitivizëm dhe patriarkalizëm tipik. Maqedoninë e udhëheqin ende burrat. Tre postet kryesore shtetërore dhe në të gjitha vendet ku ka vendimmarrje janë meshkuj. Më mirë në këtë drejtim janë shtetet skandinave ku nëse kryeministri është mashkull kryetari i shtetit duhet të jetë femër, ose numri i ministrave është i barabartë në aspektin gjinor. Edi Rama në Shqipëri është në rrugë që të fuqizon femrat dhe në masë të madhe ia ka arritur.
KOHA: Nëse bëni një krahasim të përkushtimit ndaj shkencës dhe familjes, si qëndron kjo?
JASHARI: Duhet të bëhet një balancë. Në kohën në të cilën jetojmë, koha është para edhe tek shqiptarët. Të gjithë jetojmë në një rrëmujë dhe vrap me prioritetet tona jetësore dhe kemi pak kohë të lirë. Por, familja është organizata më e rëndësishme shoqërore – baza e shoqërisë. Duhet të gjithë të ndajmë kohë për dreka e darka familjare. Ai që është prind, bashkëshort, qytetarë i mirë duhet të jetë i tillë edhe në shkencë dhe profesion. Unë jam shumë falënderues njëherë prindërve të mi, pastaj Habibes, Florentit, Rinës, Ganes, që kanë qenë tërë kohën me mua, me shëndet të mirë dhe unë kam pasur fushën e lirë për karrierë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.