Në politikën gjermane po debatohet me zjarr për shpëtimin e migrantëve të rrezikuar në Mesdhe. Edhe nga radhët e qeverisë federale sinjalet janë kontradiktore
Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk e konsideron të arsyeshme një mision të ri shpëtimi në Mesdhe, për aq kohë sa nuk është sqaruar çështja e pranimit dhe shpërndarjes së migrantëve ndër vendet e BE-së. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të drejtuar nga partia socialdemokrate në koalicionin qeverisës, pranoi, se “ka një boshllëk në shpëtimin në det”, por ai nënvizoi, se “ky boshllëk mund të mbyllet, nëse pas shpëtimit në det gjendet një port, ku mund të ankorohen anijet”.
Në të kundërt ministri i Zhvillimit i partisë kristiansociale, Gerd Müller kërkoi një mision ndërkombëtar shpëtimi. “Është e nevojshme një nismë e përbashkët humanitare mes Europës dhe OKB-së për shpëtimin e refugjatëve në tokën libiane”, tha ministri për gazetën “Neue Osnabrücker Zeitung”. Ai thekson se duhet të ketë marrëveshje për shpëtimin e të rrezikuarve në det. Gerd Müller tërhoqi vëmendjen për gjendjen e dëshpëruar të refugjatëve në strehimoret në Libi. “Njerëzit në strehimoret në gjendje të mjerueshmë atje mund të vdesin prej dhunës ose urisë, ata mund të humbasin jetën gjatë kthimit në shkretëtirë ose mund të mbyten në Mesdhe në përpjekje për t’u larguar”. Komisioni i ri i BE-së duhet “menjëherë” të veprojë dhe të nisë një “iniciativë të re”, për të mbështetur vendet përgjatë brigjeve të Mesdheut, tha Müller.
Kurse zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se rreziku në det nuk prek vetëm vendet përgjatë Mesdheut dhe dy tre shtete në mes të Europës, por është një çështje e solidaritetit europian. BE në mars e ndërpreu misionin e shpëtimit të migrantëve të rrezikuar në det të hapur. Sfond është grindja me Italinë për pranimin e refugjatëve. Qëllimi i operacionit “Sophia” ishte edhe luftimi i aferave të kontrabandistëve, të cilët përmes transportit ilegal të migrantëve marrin shumë para. Ministri i Brendshëm kristiansocial, Horst Seehofer nuk i ka humbur shpresat se mund të arrihet në një zgjidhje europiane. “Ne vazhdojmë të insistojmë intensivisht, që të gjendet një mekanizëm shpërndarjeje, në mënyrë që anijet të mund të ankorojnë në portin më të afërt të sigurt”, tha një zëdhënësi i ministrisë së tij.
Ministria e Brendshme vuri në dukje se që nga fillimi i vitit, Gjermania ka pranuar 276 migrantë, që janë përzgjedhur nga UNHCR-ja në strehimoret në Libi. Këta të ashtuquajtur refugjatë kontingjenti u dërguan fillimisht në Niger dhe më pas u sollën në Gjermani. Sivjet, sipas të dhënave, do të vijnë në Gjermani edhe 312 migrantë të tjerë. Të dielën në mbrëmje u lejuan të zbarkojnë në tokë në Maltë 123 refugjatë nga dy anije shpëtimi. Ndër ta ishin edhe 65 refugjatë, të cilët ishin shpëtuar në det prej anijes gjermane “Alan Kurdi”. 94 veta tani me kërkesë të Maltës do të shpërndahen në shtetet e tjera. Gjermania do të pranojë deri në 40 vetë.