“Migjeni” dhe “Ndre Mjedja”, janë dy libra të rëndësishëm nga studiuesi i njohur Rinush Idrizi (1938-2008) të hedhura në treg nga shtëpia botuese “Onufri”. Duke e parë Migjenin si përfaqësuesin më të çmuar të dinjitetit shqiptar, ai sjell një biografi ndryshe të tij. Ka shumë arsye që një biograf i kthehet e i rikthehet jetës së një figure të madhe, edhe pasi e ka botuar veprën biografike. Vështrimi në të shkuarën, me dëshirën për t’iu afruar së vërtetës, duke shpresuar që të kthjellojmë e ndreqim sa më shumë nga keqkuptimet e keqinterpretimet e informacionit dhe studimeve gjatë disa dekadave dramatike të heshtjes apo tjetërsimit politik e ideologjik të imponuar në botimet tona, është një detyrim ndaj kulturës së keqtrajtuar shqiptare nga pikëpamja historike, filozofike, etiko-morale dhe artistike. “Shumë materiale dhe dokumente, që i kisha mbledhur për shumë vite me durim, ende rrinin të heshtura në skedat e mia, pasi nuk m’u lejua t’i fusja në botimin e parë. Përpos këtij detyrimi, një shqetësim i brendshëm më shtynte ta ripunoja biografinë e Migjenit. Marrëdhënia ime shpirtërore dhe intelektuale me këtë poet të shquar kishte mbetur pezull… Kisha ende shumë për të thënë për jetën e tij 27-vjeçare, por kisha edhe më shumë për të thënë për Migjenin si përfaqësuesin më të shquar të ndërgjegjes së re qytetare shqiptare, për frymën dhe vizionin e tij krejt të ri në letërsinë dhe kulturën tonë, për kuptimin e mesazhit të tij sot, 70 vjet pas ikjes së tij. Për të gjitha këto arsye i hyra punës nga e para dhe i bëra një ripunim shumë të thellë botimit të mëparshëm, duke e pasuruar atë me fakte, komente e interpretime të reja dhe duke përpunuar më thellë anën kompozicionale të biografisë”, shkruan Idrizi. Ndërsa Ndre Mjedën e ka adhuruar që në moshë të re.
“E kam adhuruar aq shumë gjuhën e tij poetike sa edhe poezitë e mia të rinisë së parë i shkruaja gegërisht. Ndjeva një mirënjohje të madhe për profesorin tim të nderuar, Mark Gurakuqi, kur në përfundim të studimeve të mia universitare më lejoi ta mbroja diplomën me studimin mbi krijimtarinë e këtij poeti dhe më ndihmoi si udhëheqësi im. Pas shumë vjetësh e ndieja se duhej t’i rikthehesha Mjedjes, sepse nuk e kisha mbaruar punën siç e meritonte poeti. Kisha ende shumë për të thënë, ose për t’i thënë ndryshe, më mirë, sepse poetë si Mjedja nuk kanë nevojë për ne. Ne kemi nevojë për ata”, shkruan ai. Kjo biografi, krejtësisht e ripunuar, është një rikthim te ky poet dhe njeri i madh, i cili është një urë e fuqishme lidhëse e kulturës së autorëve të vjetër me letërsinë e re shqiptare… është një rikthim i çliruar nga gjithë pengesat objektive dhe subjektive për një personalitet të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare, që mbeti me shpirt të lirë deri në fund të jetës së tij.