Drejtësia në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë selektive, nuk mbron viktimën, por xhelatin, mbron të fortin ndaj të dobëtit… Ky është konstatim i të gjithëve, pushtetit, opozitës, sektorit civil, qytetarëve. Për rastin e Almirit të vogël, por edhe për të kaluarën e tij, opozita shqiptare dhe shoqëria civile kërkon shkarkimin e kryeprokurorit Jovevski. Në BDI përmendin vetingun, por jo edhe ndonjë iniciativë për shkarkimin e kryeprokurorit
Destan JONUZI
Shkup, 25 qershor – Rasti i Almirit është rasti më eklatant që dëshmon se drejtësia është selektive. Duke u marrë si shkas ky rast, por jo vetëm – edhe disa raste tjera ku gjyqësia ka dështuar në ndarjen e drejtësi në mënyrë profesionale, disa herë është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit Ljubomir Jovevski, shkruan gazeta KOHA. Madje, edhe gjatë emërimit të tij në këtë pozitë ka qenë i kontestuar për të kaluarën e tij, jo vetëm se nga opozita shqiptare, por edhe nga opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Edhe krahas kundërshtimeve, Parlamenti më 25 dhjetor të vitit 2017 e votoi emërimin e tij në pozitën e kryeprokurorit. Pas dy tentimeve të pasuksesshme për të siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve, në tentimit e tretë shumica parlamentare me 61 vota pro dhe 1 të përmbajtur arriti që të zgjedh kryeprokurorin e kontestuar.
Nga iniciativa “Drejtësi për Almirin”, të cilët të parët kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Jovevski nga detyra në protestat masive para Qeverisë, thonë se ashtu edhe siç pritej, me rastin e Almirit gjyqësia në Maqedoninë e Veriut vrau atë për herë të dytë, ndërsa sistemi tregoi se ende është i kalbur dhe larg BE-së.
“Drejtësia këtu vazhdon të jetë selektive, nuk mbron viktimën, por xhelatin, mbron të fortin ndaj të dobëtit. Mashtrimi ‘Një shoqëri për të gjithë’ i ka këmbët e shkurtra. Gjithmonë kur të na flasin për këtë parullë, ne do ua tregojmë fotografinë e Almirit. Kontrabanduesi kryesor i drejtësisë për Almirin është kryeprokurori Ljubomir Joveski bashkë me prokuroren Suzana Kusigerska dhe gjykatësen Maja Denkoska. Ne, si gjatë protestave para Qeverisë vitin e kaluar edhe tash kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të kryeprokurorit në përfshirjen e këtij fermani të turpshëm. Me këtë drejtësi ky shtet nuk meriton anëtarësimin në BE”, deklaruan për gazetën KOHA nga iniciativa “Drejtësi për Almirin”.
BDI KËRKON VETING, OPOZITA SHKARKIMIN E JOVESVKIT
Ndryshe nga iniciativa “Drejtësi për Almirin”, e cila kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Jovesvkit, partia shqiptare në pushtet – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk është e drejtpërdrejt për sa i përket kërkesës për shkarkimin e kryeprokurorit, por kërkon Veting të menjëhershëm për të ndërprerë praktikën e gjyqësisë selektive, edhe pse nuk përjashton mundësinë e mbështetjes për shkarkimin e Jovevskit, nëse iniciativa vjen në Parlament.
“Vendim skandaloz i gjykatës në rastin e Almirit dëshmon aplikimin e drejtësisë selektive në vend në vazhdimësi. Drejtësia selektive është e papranueshme dhe prandaj nevojitet veting i menjëhershëm për ta ndërprerë këtë praktikë diskriminuese dhe selektive në gjykata”, thonë nga BDI-ja, por pa precizuar nëse do të iniciojnë shkarkimin e Jovevskit, kur dihet se bashkë me partitë shqiptare dhe votat e VMRO-së, mund ta shkarkojnë kryeprokurorin. Në ndërkohë, lidhur me iniciativën e BDI-së për formimin e Komisionit Anketues për rastin e Almirit, para një vitin, deputeti Artan Grubi fajin për mos formimin e deritanishëm e hedh te opozita shqiptare, deputeti i së cilës udhëheq me Komisionin për Lirit dhe të drejtat e Njeriut.
“Komisioni Anketues për rastin e Almirit nuk u themelua, për shkak se deputeti Fadil Zendeli, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentare për të drejtat e njeriut, nuk thërret mbledhje të Komisionit për arsye të panjohura. Të gjitha dokumentacionet rreth kësaj iniciative grupi parlamentar i BDI-së i ka hartuar dhe ia ka adresuar komisionit për të drejtat e njeriut me kohë, por ende nuk është thirr mbledhja. Dy herë kemi tentuar të themelohet Komisioni Anketues, por ja që Fadil Zendeli për arsye të tij dhe partisë së tij nuk po e thërret Komisionin. Së fundmi, e kemi angazhuar deputeten Shpresa Hadri të merret me këtë iniciativë që të formohet Komisioni Anketues”, deklaroi për gazetën KOHA, deputeti Artan Grubi.
Ndaj kësaj deklarate të deputetit Grubi kanë reaguar nga Lëvizja BESA, duke theksuar se BDI dhe Artan Grubi kanë shumicë në Parlament dhe mund ta shkarkojnë kryeprokurorin Jovesvki.
“Rasti i Almirit është rast i një montimi gjyqësor dhe nuk duhet trajtuar si rast i shkeljes së të drejtave të njeriut. BDI dhe Artan Grubi kanë shumicën në Parlament dhe mund të kërkojnë shkarkimin e Joveskit, ashtu siç e votuan duke shprehur fjalë të mëdha në momentin kur deputetët tonë nxorën informatat se pikërisht Jovevski ka qenë një nga skenaristët e aferës së armëve e ku padrejtësisht u dënuan shumë shqiptarë”, deklaroi për gazetën KOHA, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi. Nga kjo parti shprehen se nuk do mend se janë të gatshëm të mbështesin çdo iniciativë që është në dobi të rrënimit të praktikës së gjyqësisë selektive, duke përfshirë edhe shkarkimin e Jovesvkit. Pro shkarkimit të Jovevskit është edhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës. Deputeti i kësaj partie, Syrija Rashidi, potencon se ato edhe gjatë emërimit kanë qenë kundër Jovesvkit.
“Rasti i Almirit është rasti më eklatant ku dëshmohet se drejtësia është selektive. Po ashtu, e dini edhe rastin me ato djemtë për sulmin ndaj ish-tifozit të grupit ‘Komitët’, çfarë kriteri pati drejtësia, e çfarë për rastin e Almirit. Edhe gjatë emërimit të Jovevskit, ne ishim kundër, për shkak të kaluarës së tij në këtë sistem gjyqësor i cili ka qenë gjithmonë selektiv”, deklaroi për gazetën KOHA, Syrija Rashidi, deputet. Sipas tij, iniciativa e BDI-së për formimin e Komisionit Anketues, kishte për qëllim që ti heshtë protestat.
PËRPLASEN VMRO DHE LSDM-ja PËR POZITËN E KRYEPROKURORIT
Ish-kryeministri, tani deputet i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev thotë se është gabim që pas ndryshimit të pushtetit, pozita e parë që pëson ndryshime të jetë ajo e Prokurorit Publik, që nuk është funksion politik, por është profesionale dhe duhet të merret me atë për të cilën e obligon ligji.
“Dëshira për ta ndryshuar kryeprokurorin publik menjëherë pas marrjes së pushtetit jep të drejtën që të konstatoni se kërkohet ndikim në këtë institucion, i cili duhet të veprojë në bazë të profesionalizimit dhe argumenteve. Jo vetëm për Jovevskin, por edhe për të gjithë kryeprokurorët të cilët kanë qenë para tij, por edhe ata që do vijnë pas tij, duhet që të jenë mbipartiak. Duhet të ndërtojmë institucione që do të kenë kredibilitet dhe të besueshme, në të kundërtën e vë në dyshim kredibilitetin e institucioneve. Duhet të ndërtojmë sistem, i cili nuk do të lejojë ndikim të politikës, posaçërisht në prokurori dhe gjyqësor për arsye se këtu preken të drejtat dhe lirit e njeriut”, deklaroi për gazetën KOHA, Dimitriev. Ai kujton se një nga premtimet kryesore të Qeverisë së re para se të vinte në pushtet ishte se kryeprokurori publik do të propozohet nga ana e opozitës, si një balancë ndaj institucioneve që janë nën kontroll direkt nga pushteti ekzekutiv. Por edhe opozita duhet të jep zgjidhje që do të kenë integritet. “Për arsye të panjohura, LSDM ik nga ky premtim dhe tanimë e tre vjet që e praktikojnë pushtetin këtë premtim të tyre nuk e përmbushin”, thekson Dimitriev.
Por, nga LSDM-ja thonë se janë të gatshëm ti qëndrojnë prapa këtij premtimi, por se sipas tyre ende nuk janë pjekur kushtet. “Gjithsesi se qëndrojmë pas premtimeve tona, por ende nuk janë pjekur kushtet për këtë. Nuk mund ti japësh të drejtën të propozojë kryeprokurorin një tufe kriminelësh, të cilët ende nuk janë distancuar nga kriminalët e ish-pushteti dhe ish kryeministrit. Paramendoni çfarë mund të ndodhë nëse kriminelëve u jep të drejtën të zgjedhin kryeprokurorin”, deklaroi për gazetën KOHA, zëdhënësi i LSDM-së, Konstatin Konstadinov .
Përndryshe, vendimi i fundit i Gjykatës së Kumanovës vetëm se ripërsëriti vendimin e mëparshëm për dënimin e vrasësit të Boban Iliçit me vetëm gjashtë vite burg. Kjo shkaku se lënda është kualifikuar si “aksident rrugor me pasojë vdekjen”, e jo siç ishte më parë – “vrasje”. U dënuan edhe tre familjarët e Almirit. Babai i Almirit mori dënim me gjashtë muaj burg, ndërsa dy të tjerët, në mesin e të cilëve edhe xhaxhai i Almirit, u dënuan me nga 9 muaj burg.
NASERI NË VETËMBROJTJE U DËNUA ME 14 VITE BURG
Se drejtësia në Maqedoni është selektive flet edhe rasti i Naserit. Në vitin 2014 në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup në vetëmbrojtje, Naser Eshtrefi vrau të riun maqedonas Angel Petkovskin. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Naseri pohonte se thika me të cilën e ka kryer vrasjen ka qenë e të ndjerit Petkovski, i cili i pari e ka sulmuar. Megjithatë, si Gjykata Penale e Shkupit, por edhe ajo e Apelit nuk patën fare mirëkuptim për versionin e Naserit, dhe kështu atë e dënua me 14 vite heqje lirie, edhe pse thika asnjëherë nuk u gjet.
Gjyqësori dhe prokuroria e politizuar dhe selektive, sidomos e padrejtë kur bëhet fjalë për të akuzuar apo dëmtuar shqiptar, u tregua edhe në këtë rast. Si rezultat i kësaj ngjarje të pakëndshme ku humbi jetën një maturant shumë biznese dhe prona të shqiptarëve në lagjen Gjorçe Petrov u shkrumbuan dhe djegën deri në themel. Por, si shumë herë deri më tani, autorët e vërtetë të këtyre ngjarjeve fare nuk u zbuluan. Pse ndodhi kjo u tregua edhe në përgjimet jashtëligjshme ku opinioni pati rasti të dëgjoj se si ish-ministrja Gordana Jankullovksa pranon një telefon nga ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, që disa të arrestuar në këto protesta të trajtohen mirë dhe të lihen të lirë.
38 VITE BURG PËR BELËN DHE DEMIRIN
Mungesa e një sistemi gjyqësor të barabartë dhe korrekt në Maqedoninë e Veriut ekziston edhe tash kur vendi ynë ka një Qeveri e cila veten e llogaritë si reformuese. Edhe përkundër paralajmërimeve dhe ndryshimeve në sistemin e drejtësisë në vend, muaj më parë, dy të rinj shqiptarë, Besir Bela dhe Skender Demiri, u dënuan me 38 vite burg për veprën penale “vrasje mizore”, e cila gjatë rrjedhës së procesit gjyqësor, asnjëherë nuk u vërtetua si e tillë. Prokuroria e Shkupit në këtë rast përleshjen e zakontë mes Beles dhe Demirit nga njëra anë dhe të ndjerit Nikolla Sazdovski, nga ana tjetër, të cilën fillimisht e hetoni si “dhunë”, nga presioni publik dhe politik i palës maqedonas e rikualifikoi në vepër më të rëndë penale – “vrasje mizore”.
Ashtu si shumë herë kur janë në pyetje shqiptarët, edhe kësaj herë gjykata nuk i përfilli deklaratat e të akuzuarve se e gjitha ngjarja ka ndodhur spontanisht dhe se nuk mund të ketë vrasje mizore brenda një minute e disa sekonda. Aktakuza e shkallës së parë ende nuk është vërtetuar nga Gjykata e Apelit. (koha.mk)