Të shëruarve nga korona ju mjafton vetëm një dozë e vaksinës!

34

Rezultatet e dy studimeve të reja janë në përputhje me gjetjet e dy të tjerëve të botuara gjatë javëve të fundit. Të marra së bashku, hulumtimet sugjerojnë se njerëzit që kanë kaluar COVID-19 duhet gjithashtu të imunizohen – por me një dozë të vetme të vaksinës, e cila mund të jetë e mjaftueshme

Deri më tani rreth 11 milionë njerëz në mbarë botën, ani pse shifra zyrtare mund të jetë edhe më e lartë si pasojë e rasteve të padiagnostikuara, janë prekur nga sëmundja COVID-19 e shkaktuar nga koronavirusi i ri. Një hise e madhe e tyre veçse janë shëruar, duke e ngritur pyetjen nëse kjo shtresë e personave duhet t’i nënshtrohet procesit të vaksinimit. Dy studime të reja i japin kësaj pyetjeje një përgjigjen të prerë “po”. Në të vërtetë studimet kanë sugjeruar se mes personave të shëruar nga infeksioni natyral mund të jetë e mjaftueshme vetëm një dozë e vaksinës për të ngritur nivelin e antitrupave dhe për ta shkatërruar përfundimisht koronavirusin, madje edhe në rastet e varianteve më të rrezikshme, ka shkruar e përditshmja prestigjioze amerikane “The New York Times”.

Rezultatet e këtyre studimeve të reja janë në përputhje me gjetjet e dy të tjerëve të botuara gjatë javëve të fundit. Të marra së bashku, hulumtimet sugjerojnë se njerëzit që kanë kaluar COVID-19 duhet gjithashtu të imunizohen – por me një dozë të vetme të vaksinës, e cila mund të jetë e mjaftueshme. “Mendoj se është një arsyetim vërtet i fortë pse njerëzit që ishin infektuar më parë me koronavirus duhet të merrnin vaksinën”, ka thënë Jennifer Gommerman, një imunologe në Universitetin e Torontos, e cila nuk ishte përfshirë në kërkimin e ri. Përgjigjja imunitare e një personi ndaj një infeksioni natyror është shumë e ndryshueshme. Shumica e njerëzve prodhojnë sasi të shumta të antitrupave, të cilat mbijetojnë për muaj të tërë. Por tek disa të tjerë, kryesisht ata që kishin simptoma të lehta ose që ishin asimptomatikë, prodhimi i antitrupave është i paktë dhe që shumë shpejt bien në nivele të pazbulueshme.

Një studim i fundit në Britani të Madhe, i cili ende nuk është botuar në ndonjë revistë shkencore, ka analizuar mostrat e gjakut nga personat që kanë tejkaluar sëmundjen COVID-19. Gjetjet kanë sugjeruar se sistemet e tyre imuntare do të përballeshin me vështirësi për t’u mbrojtur nga B.1.351, një variant ky i ri i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Por një e dozë e vetme e vaksinës së kompanive partnere “Pfizer”-“BioNTech” apo asaj “Moderna” ka ndryshuar ndjeshëm mendimet. “Vaksinat kanë amplifikuar sasinë e antitrupave në gjakun e tyre për një mijë herë, një rritje përtej masives”, ka thënë Andrew T. McGuire, imunolog nga qendra “Fred Hutchinson” për kërkime të kancerit në Seattle. McGuire ishte drejtuesi kryesori i studimit të kësaj qendre. Ai ka thënë se në fakt antitrupat dukej të kishin performancë më të mirë sesa ato të gjeneruara tek personat që nuk e kishin kaluar kurrë COVID-19 dhe kishin marrë dy doza të vaksinës. Studime të shumta kanë sugjeruar që vaksinat “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Moderna” janë rreth pesë herë më pak të efektshme ndaj variantit nga Afrika e Jugut.

Për këtë qëllim studiuesit kanë mbledhur mostrat e gjakut nga dhjetë vullnetarët e paraqitur për studimin e “Seohor Covid Cohort”, të cilët u vaksinuan disa muaj pasi që kishin rënë në kontakt me koronavirusin. Shtatë prej këtyre pjesëmarrësve u ishte dhënë vaksina e “Pfizer”-“BioNTech” ndërsa tre të tjerëve ajo e “Modernas”. Gjaku i marrë rreth dy ose tri javë pas vaksinimit ka shpërfaqur një rritje të theksueshme të sasisë së antitrupave, krahasuar me mostrat e mbledhura para vaksinimit.

“Studiuesit ende nuk e dinë për sa kohë do të vazhdojë sasia e rritur e antitrupave, por shpresojmë që të zgjasin shumë”, ka thënë McGuire. “Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu rritje të qelizave imunitare që e mbajnë mend dhe e luftojnë virusin”, ka shtuar ai. “Duket shumë qartë që jemi duke e rritur imunitetin e tyre paraekzistues”. Në një tjetër studim, hulumtues të Universitetit të New Yorkut zbuluan se një dozë e dytë e vaksinës nuk e rriste aspak përfitimin për personat që më parë kanë qenë të sëmurë me COVID-19 – një fenomen ky që është vërejtur edhe me vaksinat për viruse të tjera. Në këtë studim shumica e pjesëmarrësve ishin infektuar me koronavirus tetë apo nëntë muaj më parë. Pas vaksinimit, mes këtyre personave është vërejtur se sasia e antitrupave është rritur njëqindfish, në momentin kur u është dhënë doza e parë e një vaksine. Megjithatë, pas dozës së dytë niveli i antitrupave nuk është rritur më tej.