Të rrënojmë Gostivarin

Pengmarrja e arsimit, që është dhe atentati më i fundit që ju bë Gostivarit, është një masakër e radhës, pasi arsimi i dobët sjellë pasoja të tmerrshme, disa prej të cilave po i vuajmë të gjithë në kurriz. Dhe për në fund, pasi jam optimist që kjo punë do të rregullohet, i bëj thirrje shtetit, do ja bëj dhe miqve të mi ndërkombëtarë, që: hiqni dorë nga agravimi i jetës mësimorë në qytet!

 

Nga Arben TARAVARI

Nën emrin e ministrisë së Arsimit, Gostivarit i ka riardhur vendimi për marrjen e kompetencave në arsim. Sigurisht që na u duk shaka e hidhur, menduam se ndoshta të shtyrë nga forca e zakonit për të torturuar Gostivarin do kishin bërë ndonjë gabim.

Advertisements

Por jo! Çuditërisht nuk ishte ashtu. Ishte vendim serioz, i mirëmenduar nga ministri i Arsimit por i imponuar nga hije që fshihen pas tij, hije të së kaluarës që vrasin të tashmen për të mos pasur të ardhme! Hijet qëndrojnë gati gjithnjë, ato nuk pyesin edhe nëse gjithë Gostivari varroset, nuk pyesin as nëse e turpërojnë moralisht një ministër para një qyteti, jo, ato janë hije-hijena që janë larg humanizmit!

Tash të përqendrohemi te ligji dhe tek vendimi!

Më shumë se kanë ardhur inspektorë nga qeveria në qytetin tonë, nuk besoj se ka ndonjë qytet tjetër! Po të mundej qeveria dhe sidomos ndonjë merakli që e do Gostivarin të shuar, do shpikte edhe Inspektorë për mënyrën si ecin, si hanë, si pinë, si…rijnë! Po! Do ishin gati të gjykonin edhe lëvizjen e neuroneve tona sikur injoranca e tyre në neurologji mos t’ja ndalonte! Gostivari është kthyer si një vend pelegrinazhi për inspektorët, madje mendojmë që jemi qyteti i vetëm që atë pak turizëm që e kemi, e kemi kryesisht të bazuar tek numri i inspektorëve! Madje kot punësimi i tyre de juro është në Shkup sepse de facto ata jetojnë në Gostivar. Tash në çdo tre kalimtarë në qytetin tonë, njërin e ke me s’bën inspektor. Njohin të gjithë të punësuarit tanë, madje kanë filluar të krijojnë deri miqësi, e nuk po mungojnë rastet që kanë filluar të jenë të ftuar në dasma e sebepe familjare nga gostivarasit, që pavarësisht misionit që kanë miqtë dinë t’i mirëpresin! Thonë se dikush madje po përgatitet të hapë një lokal të ri me emrin “Inspektorët”. Kështu dhe këta të Arsimit nuk do të mund të mungonin! Aq shpesh na kanë vizituar sa kur nuk na vijnë, na marr malli për to, na janë bërë si të familjes! Direkt shqetësohemi se mos ju ka ndodhur ndonjë gjë, se mos ndoshta “shefat” e tyre i kanë pushuar nga puna pa fryte e tyre në Gostivar.

Se të jemi të qartë, detyra e tyre duket se nuk është inspektimi, por dënimi! Imagjinoj që ndoshta kanë edhe rritje rroge kush gjen parregullsi në Gostivar. Pra jemi kthyer në një atdhe të vogël për Inspektorët! Gjithsesi, loja demoniake e kompetencave në Arsim, pati edicionin e tij të parë: si asnjë qytet tjetër në Maqedoni, Gostivarit ju hoqën kompetencat. S’kaluan shumë kohë dhe shkollat u kthyen në arena boksi, pasi disa individë të caktuar të cilëve gabimisht ju ishte shpjeguar se mund ta konsideronin institucionin e ahkollës si pronë të private, si trashëgimi hyjnore, nisën të ndjeheshin të kërcënuar nga energjia e një qyteti të lirë. Kështu pushteti Qendror pasi i kishte marrë kompetencat krejt për arsye qesharake, dhe pasi reaguan ambasadat dhe vet qyteti ndaj këtij vendimi amator, i ktheu prapë!

Shkollat dhe misioni i tyre filloi sërish të frymonte. Mirëpo inati i pashpjeguar ndaj Gostivarit i zhvilluar në formën e një obsesioni klinik tashmë, ngriti kokë prapë. Dhe pas shumë përpjekjesh, e kishte gjetur pikërisht një nga ditët më të zeza, për të bërë një akt kryekëput politik, duke marrë ingerencat e Arsimit. Ditën që na ikën 15 veta dhe disa të tjerë po i presim me ankth të jetojnë, atë ditë përveçse njerëzve, na hoqën dhe ato pak të drejta që ka i shkreti qytet! Për këtë vendim të padrejtë mund të shkoja në gjykatë, por nuk prirem t’i besoj fort kësaj gjykate pa zgjidhur çështje që kanë tronditur opinionin, dhe gjykata ka heshtur…i jap prezumimin e Pafajësisë, por gjykata vet duhet të bëj gjyqin e saj para popullit njëherë! Ndaj i vetmi vend ku mund të kërkoj drejtësi për Gostivarin janë ambasadat, me pak fjalë Bota, dhe ashtu si koha ka dëshmuar shumë më shumë e dashkan ndërkombëtarët Gostivarin se sa Maqedonia! Çudi e madhe! Kanë filluar të reagojnë prapë pas raundit të dytë: Të rrënojmë Gostivarin!

Tani që shkruaj këto rreshta, nuk e di nëse ministri i Arsimit do të marrë ndonjë masë për anulimin e këtij vendimi të padrejtë! Pengmarrja e arsimit, që është dhe atentati më i fundit që ju bë Gostivarit, është një masakër e radhës, pasi arsimi i dobët sjellë pasoja të tmerrshme, disa prej të cilave po i vuajmë të gjithë në kurriz. Dhe për në fund, pasi jam optimist që kjo punë do të rregullohet, i bëj thirrje shtetit, do ja bëj dhe miqve të mi ndërkombëtarë, që: hiqni dorë nga agravimi i jetës mësimorë në qytet! Mos na i merrni në qafë fëmijët se nuk jemi aspak të negociueshëm kur vjen puna tek ta dhe shkurt e qartë: NUK DO JU LEJOJMË! Dhe me të njëjtën urgjencë që erdhët dhe morët kompetencat e Arsimit në Gostivar, me të njëjtën hetoni rastin e aksidentit të Llakarcës. Faleminderit për vëmendjen ndaj Gostivarit, vetëm duhet të kuptoni që gjeografikisht i përkasim këtij vendi dhe mos na trajtoni si të ishim qyteti i përndjekur!

Gostivari, pavarësisht që doni ta shikoni të rrënuar e poshtëruar do e kalojë me durim e mençuri dhe këtë situatë, ne e duam shumë njëri-tjetrin dhe nuk mposhtemi lehtë, më saktë nuk dimë të mposhtemi, nuk e njohim si gjendje! Të fala nga Gostivari!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)