Barcelona është një nga ekipet më të fuqishme të botës. Për këtë nuk ka dyshime: e tregojnë titujt e fituar gjatë kësaj kohe dhe lojtarët kampionë që aktivizohen aty. Këtë vit, ata që janë në fushë duan të bëjnë tripletë, ndërsa ata që drejtojnë klubin po kërkojnë të afrojnë sa më shumë talente për të ardhmen. Ky është objektivi kryesor i Bartomeut përpara se të largohet nga drejtimi i skuadrës. Kërkon të gjejë zëvendësuesit e duhur për lojtarët që kanë një moshë të caktuar dhe u duhet të pushojnë në momente të caktuara të sezonit.
MESI PA ZËVENDËSUES– Ekziston një futbollist që nuk mund t’i gjejnë pasues, madje as nuk pretendojnë. Nuk ka tjetër Leo Mesi. Abidal dhe skuadra e tij që punon për merkaton mendon t’ia rinovojnë sërish kontratën, e cila përfundon në vitin 2021. Gjithashtu janë duke kërkuar zëvendësues për Ter Shtegenin, pasi Silesen mund të largohet. Onana i Ajaksit është një alternativë e mirë. Barcelona deri tani ka arritur të mbyllë marrëveshjet me De Jongun, Todibonë dhe Emersonin, por ka në listë disa objektiva të qarta si: De Ligt, Joviç dhe Mendi.
PIKE-DE LIGT- Mbrojtësi katalanas ka luajtur 2.880 minuta në këtë sezon dhe është lojtari me më shumë ndeshje në kampionat. Po kalon një sezon të shkëlqyer, por është 32 vjeç. Pasuesi i tij ideal shihet De Ligt, i cili ka mahnitur gjithë Europën me performancat e tij.
VERMALEN-TODIBO– Belgu është 33 vjeç dhe aventura e tij te Barcelona është shoqëruar nga dëmtimet e shumta. Në qershor me shumë mundësi do të largohet. Todibo u transferua në “Kamp Nou” në merkaton e janarit dhe ka firmosur një kontratë deri në vitin 2023.
ALBA-MENDI– Mbrojtësi i majtë nuk ka një zëvendësues në skuadrën e parë dhe alternativat e ardhura nga akademia nuk e kanë bindur trajnerin Valverde. Është 29 vjeç dhe ka kontratë deri në vitin 2020. Mendi është lojtar i Lionit dhe në moshën 24-vjeçare kërkohet nga shumë skuadra të tjera të mëdha në Europë. Katalanasit janë të parët.
ROBERTO-EMERSON- Serxhi Roberto është i ri dhe ka si zëvendësues Semedon, por plani i drejtuesve është që ta kalojnë në mesfushë. Barcelona ka siguruar shërbimet e mbrojtësit brazilian Emerson, i cili aktivizohet te Betisi.
RAKITIÇ-BUSKES, DE JONG-RABIO- Dy lojtarët e parë janë nga më të rëndësishmit në kampin katalanas, por vitet kalojnë. Për më tepër, kroati nuk ka asgjë të sigurt. Barcelona ka zyrtarizuar De Jongun, ndërsa Rabio i krisur me PSG-në është shumë pranë arritjes së marrëveshjes.
SUAREZ-JOVIÇ– Uruguaiani është 31 vjeç dhe e pret me qetësi faktin se do të zëvendësohet në të ardhmen. Madje e ka kërkuar vetë diçka të tillë. Sulmuesi serb që mund të transferohet te spanjollët është 21 vjeç dhe goleador në kampionatin gjerman.