Gjatë vitit 2017 u evidentuan gjithsej 70 vepra nga urrejtja. Në numrin më të madh të rasteve bëhet fjalë për grup më të madh të të miturve që sulmon një apo më shumë viktima pa provokim, rrahje grupore, sulm apo rrahje në autobus apo në stacion të autobusëve, gjatë apo pas ndonjë ngjarje sportive
Shkup, 5 prill – Viktima më të shpeshta të krimit nga urrejtja janë personat e mitur meshkuj, ndërsa incidentet ndodhin në fqinjësitë e përziera etnike dhe shkolla, në linja të autobusëve që i shfrytëzojnë pjesëtarët e bashkësive të ndryshme etnike, në vende ku vepra nga urrejtja ka ndodhur nga e kaluara.
Në numrin më të madh të rasteve bëhet fjalë për grup më të madh të të miturve që sulmon një apo më shumë viktima pa provokim, rrahje grupore, sulm apo rrahje në autobus apo në stacion të autobusëve, gjatë apo pas ndonjë ngjarje sportive. Analizat e bëra nga Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut në kuadër të projektit që vazhdimisht zbatohet në pesë vitet e fundit në bashkëpunim dhe me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Shkup tregojnë se në periudhën e krizës së refugjatëve në vitin 2015, duke pasur parasysh valën e madhe të refugjatëve, pothuajse 50 për qind e viktimave i takonin kategorisë së refugjatëve dhe emigrantëve.
“Gjatë vitit 2017 u evidentuan gjithsej 70 vepra nga urrejtja, me ç’rast duhet të shënohet se këto vepra evidentohen në bazë të ekzistimit të indikatorëve adekuatë të anshmërisë, siç janë perceptimi i viktimës dhe kryesit, dallimi mes viktimës dhe kryesit në bazë etnike, komentet e dhëna në vend të ngjarjes, formulari dhe frekuentimi i kryerjes së veprave të caktuara, lloji i dhunës, si dhe koha dhe vendi i kryerjes së krimit nga urrejtja”, thotë Urania Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Republikën e Maqedonisë. Numri i saktë i viktimave të krimit nga urrejtja në vitin 2017, siç shton, ende është në fazë të përpunimit, me ç’rast është e dukshme se shumica e viktimave ishin persona të mitur meshkuj.
PËRKATËSIA POLITIKE APO ETNIKE-MOTIVET MË TË SHPESHTA PËR KRIMIN NGA URREJTJA
Vitin e kaluar është rritur numri i veprave nga urrejtja të cilat janë bërë për shkak të përkatësisë politike apo etnike të autorit ose viktimës. “Sipas të dhënave statistikore të cilat kanë të bëjnë me vitin 2017, ndërsa të cilat bazohen ndaj veprave të paraqitura dhe të regjistruara të urrejtjes në kuadër të platformës http://www.zlostorstvaodomraza.com/ , ajo që veçanërisht shqetëson është numri i rritur i rasteve nga urrejtja të cilat janë bërë për shkak të përkatësisë politike të autorit/viktimës. Domethënë, nga gjithsej numri i incidenteve të paraqitura në vitin 2017 deri 50 për qind bien mbi këtë bazë, gjegjësisht motivi krim i kryer nga urrejtja”, thotë Pirovska. Më tej, në 43 për qind të rasteve si motiv për këtë lloj të krimit paraqitet përkatësia etnike, me çfarë këto dy motive mbesin dominuese për kryerjen e akteve të urrejtjes. Kur bëhet fjalë për përkatësi të ndryshme etnike si motivim për kryerjen e veprave, siç thekson Pirovska, pothuajse pa përjashtim bëhet fjalë për persona qoftë me përkatësi etnike maqedonase ose shqiptare. Veprat e tjera nga urrejtja janë kryer duke i pasur parasysh përkatësinë fetare – tre për qind, gjegjësisht për shkak të ndonjë motivi tjetër në katër për qind të rasteve. Ndryshe, si në vitet e kaluara 2015 dhe 2016 nuk është evidentuar asnjë rast në të cilin është kryer krimi duke pasur parasysh orientimin seksual apo identitetin gjinor të autorit/viktimës. “Kjo në asnjë mënyrë nuk domethënë se shoqëria nuk është bërë më tolerante ndaj pjesëtarëve të kësaj kategorie vunerabile të personave, dhe pavarësisht vullnetit pozitiv politik të shprehur për të përmirësuar trajtimin e tyre në periudhën e kaluar”, theksoi Pirovska.
SI MUND TË PARANDALOHET KRIMI NGA URREJTJA?
Parandalimi i krimit nga urrejtja është i domosdoshëm për shkak të pengimit gjegjësisht uljes së numrit të incidenteve të cilët në prapavijën e tyre kanë ndonjë nga motivimet që anojnë, në qoftë se ky fenomen nuk mundet në tërësi të çrrënjoset dhe të eliminohet. Kjo domosdoshmërish kërkon qasje sistematike nga ana e të gjithë faktorëve kompetentë relevantë, duke i përfshirë organizatat joqeveritare, policinë, vetëqeverisjet lokale, qendrat për punë sociale, por edhe institucionet arsimore.
Është e domosdoshme, siç thekson Pirovska, përforcimi i vetëdijes publike për efektet negative nga këto dukuri për shoqërinë dhe kohezionin social, para së gjithash me inkuadrim të kuadrit arsimor në konceptimin dhe implementimin e aktiviteteve adekuate projektuese në kuadër të shkollave fillore dhe të mesme në mjedise të përziera etnike, por edhe me iniciativa të pushtetit lokal. Sipas saj, mediat, gjithashtu, mund të luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e krimit nga urrejtja përmes organizimit të mbajtjes së debateve publike dhe tribunave në të cilat në mënyrë të hapur dhe në mënyrë të zëshme do të adresohet kjo problematikë. “Jo më pak i rëndësishëm është roli i prokurorive dhe gjykatave penale të cilat përmes njohjes së rregullt, procesuimit dhe ndëshkimit të veprave nga urrejtja duhet të kontribuojnë drejt dhënies fund të mosndëshkimit dhe në mënyrë indirekte të ndikojnë mbi procesin e parandalimit”, thotë Pirovska. Përfundimisht, siç thekson, edhe politikanët përmes gjuhës së balancuar në të cilën nuk janë përfshira elemente të gjuhës së urrejtjes, si dhe liderët fetarë në disa mjedise multi-konfeksionale mund të luajnë rol kyç në shkatërrimin e krimit nga urrejtja. (koha.mk)