Të rinjtë shqiptarë, korrigjues të pamjaftueshëm!

31

Fenomeni i heshtjes tek rinia dhe studentët shqiptarë kërkon analiza më të thella dhe do të ishte padrejtësi e madhe të akuzohen vetëm studentët për këtë mungesë kurajoje publike.  Mbi të gjitha, morfologjia e protestës qytetare tek ne është më komplekse dhe lidhet gjithsesi me fenomene të nduarduarta sociologjike

Nga Emin AZEMI

Studentët janë pjesërisht të kënaqur me mësimin digjital dhe më tepër preferojnë mënyrën tradicionale.
Këto janë gjetjet e një hulumtimi të studentëve të informatikës në Shkup, si pjesë e projektit “Mësimi digjital”, në kuadër të lëndës “Mediat dhe komunikimi”.
Edhe pa këtë hulumtim, ka qenë e lehtë të merret vesh se cilat kanë qenë hendikepet që ndoqën mësimin online tek studentët gjatë kohës së pandemisë. Ka pasur jo pak ankesa në media të adresuara nga studentët, të cilët mënyrën e re të të mësuarit e kanë konsideruar inovative dhe kreative, por jo sa duhet efektive për nevojat e tyre.
Vërejtjet e njëjta kanë qenë edhe sa i përket mënyrës së re të mbajtjes së provimeve në formë digjitale. Shumica e studentëve pajtohen se vlerësimi i dijeve të studentëve nuk ka qenë në nivelin e duhur, për shkak se notimi në distancë i ka hendikepet e veta, ku gjithsesi studenti është më së paku fajtor.
I gjithë ky debat zhvillohet në suaza të një kulture që studentët manifestojnë gjatë shqiptimit të pakënaqësive të tyre kundrejt masave të imponuar gjatë pandemisë.
Por, sa kjo kulturë debati është prezente edhe tek studentët shqiptarë? Këta të fundit mund edhe të kenë pakënaqësi dhe vërejtje, por ato rrallë thuhen publikisht. Arsyet e këtij fenomeni janë të natyrave të ndryshme dhe nuk ka të bëjë vetëm situatën momentale. Fenomeni i heshtjes tek studentët shqiptarë kërkon analiza më të thella dhe do të ishte padrejtësi e madhe të akuzohen vetëm studentët për këtë mungesë kurajoje publike.
Mbi të gjitha, morfologjia e protestës qytetare tek ne është më komplekse dhe lidhet gjithsesi me fenomene të nduarduarta sociologjike. Në të kaluarën në Maqedoni populizmi shitej si demokraci, ndërkaq “ndodhja e popullit” rrugëve e shesheve ishte një instalim i çoroditur i turmës në hapësirën publike. Komunkimi normal midis qytetarëve po zëvendësohej me tiraninë semantike të parullave të cilat dhunojnë lirinë  shprehjes publike. Qytetari brenda natës bëhej komit, i veshur me petkat guerile të matrapazit urban, që për një senduiç e dorëzon veten lirë në paradhomat e politikës së ditës. Ishte koha kur Maqedonia po bëhej megafon i zërave që përvetësonin dhunshëm kuptimin e protestës qytetare. Gjithmonë, diktatorët, popullin e kanë përdorur për të fshehur vogëlsinë e tyre mjerane para gjyqeve që mund t’i bëj po ai popull.
Braktisja e platformave demokratike dhe rrëshqitja në hendeqe të paudhësive retrograde, mund ta shndërrojnë nj; shoqëri në arenë të pakuptimtë përplasjesh, ku të inkriminuarit e djeshëm bëhen shpëtimtarë të sotëm.
Sido që të jetë, Maqedonia me elegancë arriti të mos bëhet një vagon i shkëputur në rrugëtimin e gabuar drejt  proceseve euro-atlantike, ndërkohë që  shqiptarët në gjithë këtë rrugëtim ishin dëshmitarë të vendndalesave të çuditshme, por ata nuk dolën  për asnjë çast nga “treni” euro-atlantik, sepse vetëm kështu itinerari i tyre kishte kuptim civilizues.
Por sa ky dikurs publik po arrin të bëhet pjesë e vetëdijes qytetare të studentëve dhe rinisë shqiptare këtu te ne?
Nëse i referohemi hulumtimit të mësipërm, del që studentët dhe rinia shqiptare është më pasive në raport me zërin e munguar qytetar. Ky është vetëm një konstatim që pamjaftueshëm ndikon në korrigjimin e situatës. Korrigjuesit e vërtetë teksa duhet të vinë. (koha.mk)

Comments are closed.