Nxënësit nga shkolla fillore dhe e mesme nuk kanë mjaftueshëm njohuri për këto drejtime, ndërkohë që vetë fjalët pylltari dhe bujqësi kanë pasur kontekst negativ ndër vite dhe të rinjtë nuk i dinë aspektet pozitive dhe mundësitë e punësimit të cilat i ofron ky drejtim
Remzije BILALLI
Shkup, 22 shtator – Në Fakultetin e Shkencave Pyjore (FSHP) në Shkup këtë vit janë regjistruar vetëm 18 studentë në tre drejtime, kurse numri që mund të pranoheshin ishte gjithsej 120. Në mënyre elektronike janë paraqitur edhe tetë persona, mirëpo ata nuk e kishin kaluar provimin shtetëror dhe në bazë të ligjit për arsim ata nuk mund të pranohen në këtë fakultet. Sa i përket Fakulteti i Universitetit të Tetovës (UT) dhe fakultet e tjera në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk e kanë në listën e tyre këtë drejtim.
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë në Tetovë, Alirami Saliji për gazetën KOHA u shpreh se kanë tentuar ta themelojnë drejtimin e Pylltarisë, sepse është i përafërt me Bujqësinë, mirëpo ka mungesë jo vetëm të studentëve por edhe të kuadrit profesional, ndërsa tregu i punës dhe institucionet kanë nevojë për profesionist. “Fatkeqësisht nuk kemi kuadër të mjaftueshëm jo vetëm në Pylltari por edhe në Bujqësi. Interesimi për këto drejtime është mjaft i ulët. Vitin e kaluar kishim gjithsej 20 studentët në Bujqësi ndërsa këtë vit kemi 15, besoj se njëra nga arsyet është se nxënësit nga shkolla fillore dhe e mesme nuk kanë mjaftueshëm njohuri për këto drejtimi”, tha Saliji. Si rezultat i mungesës së agronomëve dhe profesionistëve në pylltari, sipas tij, institucionet punësojnë njerëz jo adekuat, ndërkohë që kuadrot e tilla janë mjaft të nevojshëm sepse kualiteti i kulturave bimore dhe pyjeve ndikon në jetën tonë. Dekani i FSHP në Shkup, Kiril Sotirovski, theksoi se ka shumë arsye pse studentët nuk interesohen në këtë drejtim, e njëra ndër to është se ky drejtim po e humbet qëndrueshmërinë ekonomike. “Mendimi im personal është se vetë fjala pylltari ka pasur kontekst negativ ndër vite dhe të rinjtë nuk i dinë aspektet pozitive dhe mundësitë e punësimit të cilat i ofron ky drejtim, jo vetëm në Maqedoni po edhe më gjerë”, tha Sotirovski.
Ai beson se MASH gjithashtu duhet të merret me këtë drejtim që të takoj të diplomuarit dhe të ndihmojë Fakultetin përkatës si dhe maturantët, gjithashtu të krijojë edhe mundësi dhe kushte për pranimin e studentëve te cilët nuk e kanë kaluar provimin e maturës. Sotirovski njofton se së shpejti FSHP edhe zyrtarisht do të riemërohet në Fakultetin e Shkencave Pyjore, Arkitekturën e Peizazhit dhe Eko-Inxhinierisë “Hans Em” për nder të Hans Em, një ndër profesorët e parë në këtë fakultet me qëllim që të rritet interesimi dhe popullariteti tek studentët dhe publiku, të cilët do të njoftohen se çka më saktë mësohet dhe çfarë është mësuar me vite të tëra në këtë drejtim. Sipas profesionistëve te kësaj fushe duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut 40 për qind është sipërfaqe pyjore duhet të kuptohet rëndësia e dhe anët pozitive të zhvillimit të pylltarisë. Ajo që është për tu habitur ky fakultet ka gati dhjetë vite që funksionon pa asnjë asistent. Ky viti akademik 2019/2020 ka shënuar numër rekord të numrit të ulët të studentëve të regjistruar. (koha.mk)