Të rinjtë me biletë njëdrejtimëshe!

Mungesa e perspektivës, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira për punë, janë arsyet kryesore që shumë njerëz po ikin nga Maqedonia e Veriut

Besa IBRAIMI
Shkup, 3 tetor Hulumtimet e fundit tregojnë se prej vitit 2011-2019, afro  700.000 qytetarë të Maqedonisë kanë ikur drejt vendeve të BE-së, kurse trendet aktuale tregojnë se kjo dukuri nuk po ndalon, por po vazhdon me intensitet të pa zvogëluar, kështu që parashikimet nuk janë aspak optimiste. Mosbesimi në institucionet e shtetit është arsyeja kyçe që të rinjtë po ikin  nga vendi drejt Evropës. Bie në sy se në shtet me vite vendet e punës po mbushen me kuadrot partiake, në vend që të krijohet hapësirë që ato vende të mbushen me kuadro të kualifikuara, të punësuar sipas sistemit të meritave. Pa eksperienca, pa aftësia si dhe patrizimi, bëjnë që institucionet shtetërore më shumë të funksionojnë si institucione partiake se sa si servis i qytetarëve. Ndër vite kjo dukuri është bërë akoma e më shumë aktuale që po e gërryen akoma më shumë besimin në institucione. Hulumtimet tregojnë se ka disa arsye por që ajo kryesore është mosbesimi në shtet.

Si arsye për shpërngulje janë edhe korrupsioni i lartë, gjendja jostabile e politikës, dëshira për një jetë më të mirë, problemet në arsim, shëndetësi, si dhe mungesa e perspektivës për fëmijët. Më shqetësuese është se po ikin të ri me arsim të lartë, duke e lënë vendin pa perspektivë të të ardhmes. Sociologu Ilija Acevski vë në dukje se problemi me shpërnguljen është i mëparshëm, por që tani po merr përmasa shqetësuese pasi vendin po e lëshojnë të rinj të kualifikuar të cilët në vend që të rrinë këtu dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit ata po ikin jashtë vendit. “Problemi në Maqedoni është i kahershëm nuk është prej dje. Ne kemi hyrë në atë proces të globalizimit, të rinjtë janë mirë të informuar për gjithçka, kështu që është normale të duan të punojnë në vende ku më shumë paguhen. Sot të gjithë mund të ulen në avion dhe për dy orë janë në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër evropian dhe të fitoj pesëfishin e asaj që e fiton këtu. Ky është ai këndvështrimi socioantropologjik i pranishëm tek të rinjtë tanë. Çdokush që ka kryer një universitet dhe është i sigurt në dijen e tij dhe e di që vlen diçka, në një moment e pyet veten që duhet të rri këtu e të punoj për 300,400, apo 500 euro, dhe të shoh se si njerëz të paditur dhe pa kompetenca urdhërojnë, apo të shkoj jashtë vendit ku mundi i tij vlerësohet në të vërtet. Nga 10 persona, 8 prej tyre mendojnë në këtë mënyrë, për atë shkak po rritet numri i të shpërngulurve çdo ditë e më shumë”, potencoi Ilija Acevski sociolog. Sipas tij shteti duhet të ndërmerr masa që të ndryshoj perceptimin e të rinjve, të kuptojnë që në këtë shtet dikush qëndron pas tyre, dhe se duhet të ndërpritet praktika e mbushjes së institucioneve me kuadro etnike, balancues të ndryshëm, por të punojnë vetëm ata që janë më të mirë në një funksion të caktuar, pa dallime etnike.

Advertisements

Zëvendëskryeministri për çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, javë e kaluar tha se në Agjencinë e Punësimit, përqindja e të papunëve është ende e lartë, por, sipas tij, mbi 93 për qind e të papunëve janë analfabetë funksionalë, apo se aftësitë e tyre nuk përputhen me tregun e punës. “Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë të kuptojmë se duhet të ndryshojmë dhe të jemi palë aktive në tregun e punës, të gjithë mundemi dhe duhet të kontribuojnë sa më shumë, dhe kjo do të thotë rikualifikim dhe ndryshim i shprehive të punës”, ka deklaruar Bytyçi. Sipas tij, ka punë, por politikat e gabuara në 30 vjetët e fundit nuk kanë dhënë rezultate, ose kanë prodhuar fuqi punëtore që nuk përputhej me tregun e punës. (koha.mk)