Të rinjtë dëshirojnë të shpërngulen, nuk po zbatohet strategjia nacionale për parandalim të ikjes së inteligjencës

14

Shkup, 21 tetor – Nuk janë vetëm puna më e mirë dhe paratë shkak për shpërngulje të të rinjve nga shteti. Trendet për braktisje në vitet e fundit janë edhe për shkaqe joekonomike – u pengon ndotja, politika, korrupsioni, ndërsa në kohë të botës së hapur dhe kur nuk ka barriera për migrimet, të rinjtë shkojnë lehtë pa u hamendur.

Edhe pse kemi Strategji nacionale për bashkëpunim dhe parandalim të ikjes së kuadrove të reja dhe me cilësi të lartë 2013-2020, ajo nuk po zbatohet, tregon analiza e Rrjetit për parandalim të ikjes së inteligjencës – e përbërë nga shtatë organizata qytetare të cilat punojnë në sfera të ndryshme lidhur me zhvillimin e të rinjve, politikat rinore dhe të drejtat e informimit të të rinjve.

Sipas analizës së Rrjetit, që u prezantua sot në konferencë, strategjia është implementuar vetëm 11 për qind dhe konkludim kryesor është se institucionet duhet t’i qasen problemit esencialisht dhe ai të jetë prioritar për zgjidhje.

Zgjidhjet priten nga institucionet kompetente, para së gjithash, nga ministritë e Arsimit dhe Shkencës dhe Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa në analizë janë definuar sferat të cilat janë prioritare sipas të rinjve – arsimi, ekonomia, sundimi i së drejtës dhe administrata shtetërore.

Marjan Icoski nga Rrjeti për parandalim të ikjes së inteligjencës theksoi se të rinjtë janë të pakënaqur nga arsimi dhe kërkojnë reforma urgjente sepse konsiderojnë se kjo në njëfarë mënyre është eksperiment të cilin shteti e bën tërë këto vite. Nevojitet digjitalizim i arsimit, qendra të karrierës dhe qendra për inovacion në vetë universitetet.

Kumtoi se grupe të punës në konferencën e sotme do të krijojnë udhëzime për strategji të re në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet kompetente dhe me përfshije të sektorit qytetar, e cila do të jetë, siç tha, më reale dhe financiarisht e zbatueshme dhe do t’i pasqyrojë trendet kryesore që po ndodhin tani. Pret që kompetentët do të jenë të hapur dhe kooperues.

Për numrin e të shpërngulurve nga shteti nuk ka statistikë, por numra të supozuar dhe prandaj u potencua rëndësia e regjistrimit i cili nuk është organizuar që nga viti 2002. Sipas Bankës botërore, në dhjetë vitet e fundit gjysmë milioni qytetarë janë shpërngulur nga vendi, prej të cilëve pjesa më e madhe janë të rinj, theksuan nga Rrjeti. Sipas të dhënës së vitit 2010, ndërkaq, 29 për qind e të rinjve me arsim të lartë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Në analizën e tyre për Strategjinë nacionale, si dhe nga tryezat e rrumbullakëta që i kanë pasur me të rinj, kanë konstatuar përqindje shumë të vogël, përkatësisht 8 për qind nga 1200 të anketuar, të cilët kanë dashur të mbeten në vendin tonë, ndërsa sipas hulumtimit të fondacionit “Fridrih Ebert”, dy të tretat e të rinjve dëshirojnë të shpërngulen nga vendi.

Problemin me ikjen e inteligjencës e kanë shumë shtete, posaçërisht ato në zhvillim siç është i yni, e të cilat janë afër Evropës dhe vlerave evropiane. Ato vende kanë politika për t’i tërhequr të shpërngulurit prapa. Si shembull të suksesshëm u cek Estonia e cila është tërësisht e digjitalizuar dhe ka vizione dhe benefite për të rinjtë në industrinë TI për të hapur kompani. Irlanda tashmë 20 vite punon në tërheqjen e investimeve nga jashtë brenda dhe për t’i përmirësuar kushtet për jetë…

Organizuesit e konferencës e theksuan këtë trend në vende sipas hyrjes së tyre në BE, si Kroacia, Çekia, Polonia, Estonia, të cilat kishin përvojë me ikje më të madhe të inteligjencës nga e kaluara sepse nuk ekzistojnë barriera për shpërngulje të të rinjve, me rekomandim që kjo të parashihet edhe tek ne dhe të reagohet me kohë.