Zejnulla VESELI
Shkup, 25 prill – Zgjidhja e vetme që Maqedonia të del nga kriza e thellë politike, është formimi i shpejtë i qeverisë së re dhe çdo përpjekje tjetër, siç janë zgjedhje të reja të parakohshme ose takim liderësh, do të thellonte edhe më shumë krizën politike në vend. Ky ishte konstatimi i përbashkët i ambasadorit slloven, holandez dhe suedez në Maqedoni, në debatin e mbajtur të martën në temë “Krijimi dhe rikonceptimi i shteteve të vogla dhe të mesme, organizuar nga Klubi i Diplomatëve në Maqedoni.
Sipas tyre, nuk duhet të prolongohet afati i formimit të qeverisë, por të implementohet vullneti i votuesve të zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet lokale dhe vendi të fillojë të del nga kriza politike. Kjo do të ishte zgjidhja me e mire edhe për ekonominë e vendit. “Zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin fer dhe demokratike, prandaj nuk shoh arsye se pse duhet të organizohen zgjedhje të reja të parakohshme në Maqedoni. Çdo iniciativë tjetër, si organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare vetëm se do ta prolongonte dhe do ta thellonte edhe më shumë krizën politike, e cila edhe ashtu po zgjat shumë në Maqedoni. Për një shtet që pretendon të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së, edhe pas 4 muajve pas përfundimit të zgjedhjeve nuk është në gjendje të formojë qeverinë e re, kjo bën me dije se Maqedonia gjithnjë e më shumë largohet nga integrimi në familjen e vendeve të BE-së dhe të NATO”, deklaroi Milan Jazbec, ambasadori i Sllovenisë në Maqedoni. Ndërkaq, sa i përket konceptit të qasjes së politikës së jashtme të shteteve të vogla dhe të mesme, gjithmonë shtrohet pyetja e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik. “Të jesh pjesë e BE-së dhe NATO-së, çdo shtet duhet të gjejë ritmin e zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet fqinje. Pa një dialog konstant me shtetet fqinje, shtetet e vogla janë të dënuar të mbeten jashtë BE-së dhe të mos kenë asfare zhvillimi ekonomik. Anëtarësimi në BE nuk është qëllimi i vetëm, por integrimi është i rëndësisë së veçantë që do t’ju bëjë lojtar të mirë në ekip. Zgjerimi i BE- është alternative e vetme për shtetet e vogla që të arrijnë paqen dhe zhvillimin ekonomik“, deklaroi ambasadori slloven në Maqedoni, Milan Jazbec. Ambasadori i Holandës, Valter Plomb, u shpreh se BE-ja dhe NATO janë bashkësi më vlera dhe se vetëm reformat e vërteta janë receta e vetme që edhe më tej dyert e BE-së dhe NATO-së të jenë të hapura për Maqedoninë. “Mendoj se një punë është tepër e qartë për partitë politike në Maqedoni. Siguria është elementi kyç për pozicionim e jashtëm të një shteti. Zhvillimi i fqinjësisë së mirë me shtetet fqinje, është mundësia e vetme që një shtet të këtë siguri politike dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Valter Plom, ambasadori i Holandës. Edhe ambasadori i Suedisë në Maqedoni, Mats Stafansson, zgjidhjen e vetme të krizës politike në vend e sheh në formimin e qeverisë së re dhe, sipas tij, duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. “Katër muaj pa qeveri është shumë për Maqedoninë. Dikush formimin e qeverisë e sheh si tërmet politik, por megjithatë duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Kjo që po ndodhë për momentin, vetëm se e zbeh imazhin e një shtetit të mirë. Disa mendojnë se pa vendet e Ballkanit, BE-ja nuk do të jetë e kompletuara. Pajtohem më ketë, mirëpo për të qenë pjesë e BE-së, duhet të punohet shumë në sigurinë e vendit dhe zhvillimi si dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet fqinje. Zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin të lira dhe demokratike. Të mendohet për zgjedhje të reja është vetëm zgjatje e krizës politike ndërsa sa i përket takim të ri të liderëve partiak mendoj se procesi i Përzhinos mori shumë kohë sa i përket gjetjes së zgjidhjes së krizës politike. Është absurde të flitet për Përzhino 3 kur ende nuk i shohim rezultatet e Përzhinos që dolën pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit”, deklaroi Mats Stafansson, ambasadori i Suedisë në Maqedoni.