Shkup, 18 shtator – Skuadra e Renova përkundër pretendimeve dhe paraqitjes shumë të mirë, nuk arriti të befasojë gjigantin kroat Hajduk Split. Në ndeshjen e zhvilluar në “Petar Milloshevski”, skuadra tetovare ka pësuar humbje minimale 0-1. Mysafirët nga Kroacia realizuan herët golin e fitores, pasi në minutën e katërt shënoi mesfushori Caktas. Vendasit tentuan deri në fund të ndeshjes të barazonin rezultatin për ta dërguar ndeshjen në kohën shtesë, por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Pavarësisht nga kjo humbje dhe eliminimi nga garat e Liga Evropës, nga klubi tetovar thonë se janë krenar me këtë ekip.
“Krenarë me këtë ekip. U eliminuam si burrat edhe pse filluam ndeshjen keq dhe pësuam gol, lojtarët tanë gjetën forcë dhe zhvilluan një pjesë të dytë fantastike ku mungoi vetëm goli. I tillë është futbolli dhe tani i kthehemi kampionatit vendor me të gjitha forcat”, thonë nga klubi bardhekaltër.
Gjithsesi klubi tetovar largohet nga gara e dytë më e madhe evropiane për klube me paraqitje dinjitoze, ndërsa vëmendjen tani do ta përqendrojë në Ligën e parë, ku të dielën e pret përballja me FC Shkupin në stadiumin në Çair. (koha)