Jam i qartë se netët mondane janë të rralla për një pjesë të madhe të popullsisë tonë, se ata janë të rrëmbyer nga varfëria. Por do të ishte e tmerrshme që të rrëmbehen edhe varfëria e mendjes, të cilën e reflekton struktura të caktuara, e shisnin si normalitet dhe këtë e bënin veç për përfitim personale. Se ja tani, veç për pak kohë, e veç të rastësishëm në salla operash e kinemaje, janë gjithë kostume e kollare
Nga Nazim RASHIDI
Në një restorant, në qendër të Shkupit, në atë pjesë që nuk konsiderohet tipike shqiptare (diçka që asnjëherë se kam pranuar), në të gjitha tavolinat flitej shqip. Asgjë e pazakontë, do thoshte dikush, dhe ashtu duhet të jetë. Por në realitetit, këtu, nuk ndodh shpesh që të shihet kjo pamje. Në të gjitha tavolinat kishte çifte, apo grupe nga 5-6 veta, të gjithë të veshur me elegancë, vajza e gra me flokë të krehur me kujdes, me grim elegant, djem e burra me xhaketa të gjithë të shoqëruar nga vera, kush e bardhë e kush e kuqe dhe pjata të vogla, po ashtu elegante, me djathë apo sallata të lehta.
Mondnitet total, e gjitha pas një mbrëmje po aq mondane ku tenori shqiptar Ramë Lahaj interpretoi bashkë me miqtë e tij, në kuadër të festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”. Ta merr mendja që pamje dhe ambiente të tilla mund të konsiderohen të zakonshme në Tiranë e Prishtinë, por në Shkup marrin një peshë tjetër. Arsyeja është sepse ende në narrativen publike gjenden figura që shprehin dilema nëse shqiptarët do të duhej të duken dhe sillen me mondanitet të tillë. Kjo dilemë as që duhet të eksitojë, por ironia e kësaj mbrëmjeje ishte edhe për faktin se në mesin e publikut elegant, kryesisht shqiptar të festivalit kishte dhe të tillë të “rastësishëm” të cilët i kishte sjellë në sallë posti apo postet. E di, krejt është OK. Sepse të gjithë do të duhet të zbulojnë edhe dimensione të reja e të tjera në jetë, kjo është rruga. Por çështja me këta të rastësishëm është se kanë refuzuar, madje kanë punuar kundër zhvillimit të këtij realiteti. Më kujtohen ca fytyra e figura, realisht të rastësishëm, që vorbulla e politikës i përplasi në brigjet tona, siç ndodh me baltën pas rrebeshesh, që çkishin e çmundeshin bënë që të nxinë imazhin e këtij realiteti mondan. Madje krijuan dhe psikozën se të jesh progresiv është dhe e dëmshme. Por sot jo vetëm që tentojnë të jenë pjesë, por edhe krekosen në sipërfaqe. Sigurisht që ishte momentale kjo dalldisje, dhe as thelbësore por duhet kujtuar që mos mendojnë se na e hodhën. Jo, s’kemi harruar!
Krekosja e tyre ngjan lloj si me qenë në krye të odës ku këndohet tallava, por sërish dallimi është tualeti i vajzave, eleganca e flokëve, dhe kostumet dhe papjonët e djemve, që s’jam i sigurt se u rrinë rehat të rastësishmëve. Por sërish, është pjesë e procesit gjithçka. OK po e le këtë pjesë mbase më personale, por në kontekst shoqëror e politik, është ironike që atë që ke luftuar, atë stil jetese, apo dhe të menduari, sot ta praktikosh.
Një mike më tha, të paktën janë kthyer nga ana e duhur e botës. OK, OK po e lë me kaq këtë pjesë. Por gjithmonë duhet pasur parasysh ama se postet dhe pozicionet me pushtet krijojnë modele, dhe modelet duhet të jenë progresive, për veten një herë e pastaj edhe përtej.
Prandaj për shembull, përbënte habi dhe bombardohesha me email-e nga kinematë e qytetit për suksesin e filmit “Dy gisht mjaltë” ku aktorë kryesor të filmit janë Ermal Mamaqi dhe Elvana Gjata. Sigurisht pak filma shqiptar bëhen dhe aq më pak shfaqen edhe në repertorët e rregullta të kinemave. Por shitja rekord e biletave kishte habitur të gjithë e sidomos menaxherët maqedonas të kinemave. Normal se ata nuk e njohin Ermal Mamaqin e Elvana Gjatën, por për mua numri masovik i shikuesve tregon prirjen dhe mendësinë që reflekton publiku. Filmi në vetvete, një komedi e lehtë, që nuk hyn në shijet e mia parësore, mund të diskutohet, por ama humori, kënga, apo dhe vetë atë që përfaqësojnë aktorët e filmit, tregon se çfarë ndiqet e kush janë modelet e brezit. E gjithë kjo ishte në kundërshtim me mendësinë e ca të rastësishmëve, që sërish gjendeshin në radhët e para. Dhe sërish shumë mirë, le të shohin realitetin dhe le të ndërtojnë vizione politike e shoqërore që janë në përputhje me zhvillimin dhe mendësinë më progresive se sa ajo që e “shisnin” ata vetë.
Pamje të ngjashme u shfaqën, jashtë ekranit të madh, edhe gjatë premierës së filmit shqip, por të prodhuar në Maqedoninë e Veriut “Pranverë e paharruar në fshatin e harrur”. Sërish thuajse në radhët e para kishte të tillë të rastësishëm, që jo vetëm që na kishin lodhur me ofertat e tyre për shoqërinë dhe zhvillimin dhe në ç’drejtim duhej të shkonte, por edhe kishin urryer dhe nënçmuar ata që tregonin progres dhe që e kishin proklamuar këtë si artistët, shfaqjet, muzika e arti në përgjithësi, mediat, profesorët, etj. Por tani? Hop, të ulur me pompë e po shfaqen në evente sepse kështu e kërkon kostumi. Ky film tentonte të bëjë kritikë të një realiteti të moralizimeve fals. Një arritje filmike deri diku për mua, pak problematik me mesazhin se hoxha është e vetmja normale dhe nivel morali në shoqëri, megjithatë filmi i sillte një shuplakë gjithë atyre që hiqen plot rregulla ditën, e kurvërojnë natën, madje me aq pasion, sa siç shfaqet edhe në film, edhe e mbrojnë.
Mbase kjo skenë e filmit mund të ishte edhe ajo shuplaka këtyre të rastësishme, që edhe ashtu në karrigen e kinemasë i kishte sjellë posti, por sërish që ta shohin se një shumicë e madhe rreth tyre, reflekton më ndryshe, pavarësisht se kjo “ndryshe” mund të mos jetë aq e zëshme, sa është zhurma e rrebesheve. Por pse i përmend këto gjëra? Sepse sipas meje të rëndësishme janë këto narativa dhe vrojtime tonat, sepse sjelljet dhe veprimet e mëparshme të të rastësishëmve kanë krijuar imazhin tipik për shqiptarin në Maqedoninë e Veriut, i cili sipas realitetit të tyre, që pastaj bëhet dhe paragjykim nga të tjerët nuk e shohin shqiptarin prezent ose nuk duhet të jetë pjesë e sallave mondane, por ai duhet parë si tregtar ilegal, që s’felt mirë maqedonisht, që është tezgaxhi, që bën veç dallavere, që jeton me modesti, që gjithmonë ha byrek e groshë… dhe ky imazh i ndihmuar dhe i reklamuar edhe nga ca të rastësishëm, thuajse i plotë del edhe në një prej spoteve elektorale të kandidates për president të VMRO DPMNE-së, spoti i quatur “Butik”.
Ja ky është efekti shoqëror që krijohet nga sjelljet dhe veprimet e të gjithë atyre që janë në vëmendjen e publikut.
Në betejën tonë, të brendshme mes vete, për të shkuar përpara, për të pasur të aftë, të shkolluar dhe përparimtarë në krye, por edhe të përballur në vazhdimësi me garën etnike, konkurrencën etnike e gjuhësore, kur dilnin dhe të rastësishmit që e “luftonin” progresin dhe modernizmin, por dhe synimin e mondanitetit, ata ndihmonin edhe më shumë në pllakosjen e paragjykimeve që të tjerët e kanë për ne. Në pllakosjen e imazhit se shqiptari se ka vendin as në restorante me verë, as në opera e as në filma. Por realitetet janë më shumë se sa ajo që shohim për para vetes ca nga ne. Dhe ata që dalin në krye këtë përherë duhet ta kenë parasysh.
Jam i qartë se netët mondane janë të rralla për një pjesë të madhe të popullsisë tonë, se ata janë të rrëmbyer nga varfëria. Se ikin. Ikin të aftët ikin nevojtarët. Por do të ishte e tmerrshme që të rrëmbehen edhe nga varfëria e mendjes, të cilën e reflektonte një strukturë e caktuar, (po e ve këtë në kohë të shkuar, se kështu uroj) e shisnin si normalitet dhe këtë e bënin veç për përfitime personale. Se ja tani, veç për pak kohë, e veç të rastësishëm në salla operash e kinemaje, janë gjithë kostume e kollare. Epo të nderuar, këtë do të duhet ta synojnë të gjithë. Të gjithë duhet të kenë dinjitet në jetët e tyre dhe mbi të gjitha të drejtë të ndjekin ëndrrën dhe synimin për komoditet. Por modeli që duhet të ndiqet duhet të jetë mbi bazat e meritës dhe dijes, jo mbi baza rastësie që mund të sjellin rrebesh politik.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)