TË PRIVUAR DHE TË PAKËNAQUR! Mbyllet java evropiane e të rinjve

Të pakënaqur me punën, financat, jetën në përgjithësi, grupmosha 16-19 vjeç kënaqësinë e vetme e gjen tek marrëdhëniet personale. Sipas të dhënave të Eurostat vërehet se të rinjtë në Maqedoni, por edhe në vendet e rajonit, krahasuar me pjesën tjetër të Evropës tregojnë nivele të ulëta të kënaqësisë në thuajse të gjitha aspektet, me përjashtim marrëdhëniet personale që vlerësohen më shumë prej tyre

 

Evis HALILI

Shkup, 13 gusht – Dita Evropiane e të Rinjve – 12 gushti, ka sjellë në vëmendje më të rinjtë. Një sërë aktivitetesh janë organizuar gjatë javës 8-12 gusht nga institucione shtetërore, organizata të ndryshme, ndërsa në fund të këtij viti u paralajmërua edhe promovimi i Strategjisë nacionale për të rinjtë e cila supozohet se do të ndjekë nevojat reale dhe do t’i japë përgjigje kërkesave të tyre. Si ndihen të rinjtë? Të pakënaqur me punën, financat, jetën në përgjithësi, grupmosha 16-19 vjeç kënaqësinë e vetme e gjen tek marrëdhëniet personale. Të dhënat nga Eurostat janë publikuar me rastin e shënimit të 12 Gushtit – Ditës Evropiane të të rinjve. Sipas tyre vërehet se të rinjtë në Maqedoni, por edhe në vendet e rajonit, krahasuar me pjesën tjetër të Evropës tregojnë nivele të ulëta të kënaqësisë në thuajse të gjitha aspektet, me përjashtim marrëdhëniet personale që vlerësohen më shumë prej tyre. Nga ana tjetër, të rrezikuar nga varfëria, apo përjashtimi social figurojnë rreth 34 për qind e të rinjve në Maqedoni, e cila renditet e katërta në Evropë për normat e ulëta pas Shqipërisë e Malit të Zi.

Advertisements

“Në vitin 2020, vendet anëtare të BE-së me nivelet më të larta të të rinjve (mosha 15-29 vjeç) të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social ishin Rumania (37,6 %), Greqia (32,8 %) dhe Bullgaria (32,3 %), ndërsa normat më të ulëta u gjetën në Sllovaki (12,8 %), Slloveni (12,2 %) dhe Çeki (10,7 %). Ndër vendet joanëtare, norma të larta u regjistruan edhe në Shqipëri (48,2 %), Mali i Zi (39,0 %), Turqia (36,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (33,8 %)”, thuhet në publikimin e Eurostat.
Gjatë dy viteve të fundit, në periudhën e pandemisë, situata u përkeqësua. Sipas Agjencisë për të rinj dhe sport vërehet se pas sfidave me të cilat u përball sistemi arsimor, si digjitalizimi i përshpejtuar u thellua edhe hendeku i dallimeve sociale, ndërsa izolimi social la gjurmë në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve. Me strategjinë për të rinjtë që po hartohet për pesë vitet e ardhshme 2023-2027, ARS në bashkëpunim me UNDP ritet që të trajtohen aspekte të ndryshme të jetës së të rinjve, si punësimi, shëndetësia, arsimi, kultura, cilësia e jetës etj. “Dokumenti do të përfshijë edhe fusha të tjera, për të pasqyruar nevojat reale të të rinjve. Procesi i krijimit të Strategjisë Kombëtare do të jetë i hapur për pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, duke respektuar plotësisht parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes”, sqarojnë nga ARS. (koha.mk)