Banorët e prekur nga tërmeti dhe përmbytjet e shtatorit, të cilëve iu janë shkatërruar shtëpitë, po vuajnë urinë në këto shtëpi pushimi.
Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët konsumojnë në mëngjes vetëm 3 biskota, çerek racioni me djathë dhe një filxhan çaj.
Në drekë kanë përditë fasule dhe në darkë supë të hollë makaronash. Kjo është menyja e përditshme, e cila pakësohet çdo ditë që kalon.
Pas tërmetit të 21 shtatorit, 14 vende të Bashkimit Evropian dhe Turqia dhe Kosova, afruan ndihmë në ushqime, veshmbathje dhe vlerë monetare. Ndryshe nga sa u trumbetua nga pushteti lokal dhe qendror se do u vijnë në ndihmë çdo familje, realiteti është krejt ndryshe. Rreth 80 banorë që janë strehuar te shtëpitë e pushimit në Durrës, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, kanë mungesa të theksuara në ushqime.
“Jemi rreth 80 vetë në Kavalishencë. Jemi strehuar se nuk kemi ku të shkojmë. Shtëpitë na janë shkatërruar dhe kemi frikë të jetojmë në to. Nuk kemi ku të vemi tjetër. Kemi dëgjuar që vijnë ndihma për të prekurit nga tërmeti, po ku shkojnë? Në Kavalishencë ka fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë. Nga dita në ditë po na pakësohet ushqimi. Ankohemi, por na thonë këto kemi” thotë qytetarja, ndërsa pohon se një njeri nuk mund të jetojë me këto ushqime.
Fiks Fare u interesua pranë Emergjencave Civile, të cilat thanë se shtëpia e pushimit e ushtarakëve shërben vetëm si fjetore. Sipas tyre, këta banorë transportohen në mëngjes, drekë dhe darkë drejt mencës së Kavalishencës së policisë.
Pas ankesës, bashkëpunëtorët e Fiks Fare filmuan se çfarë konsumojnë këto familje në mensën e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme. Në mëngjes atyre iu serviren vetëm 3 biskota, çerek racioni me djathë dhe 1 filxhan çaj. Familjet që jetojnë në Kavalishencë u ankuan te punonjësit e mensës, të cilët thanë se vetëm këto kanë.
“Nuk kemi ç’të sjellim, këto kemi” thana ata. Ndërkohë, banorët i pyetën se përse po iu hiqet ushqimi, ndërsa marrin si përgjigje se “mos dëgjoni ato që thonë ata lart”. Një qytetare që qëndron në Kavalishencë thotë se “na kanë hequr edhe qumështin për fëmijët”.
Ndërkohë, personat që shërbejnë ushqimin thonë se “neve ça na japim, u sjellim. Në mëngjes 3 biskota, në drekë vetëm groshë do keni. Të na mbarojnë dhe këto dhe do u themi vetëm flini”. Një banor i drejtohet punonjësve se kanë dëgjuar për ndihma në televizor.
“Lëre mo, akoma me llafet e atyre ju”, i përgjigjet punonjësi, ndërsa thotë se “për vete e kam marrë bukën nga shtëpia. Po nuk qau fëmija, nuk i jep ajo. Dhe ju, po nuk u qatë nuk ju jep njeri!”.
Nënat me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe të sëmurët nisen drejt drejtorisë për tu ankuar. Kërkojnë takim me drejtuesit e Kavalishencës, por një punonjës policie i thotë se ata që janë strehuar te ushtria duhet të shkojnë atje, se atje do u zgjidhet problemi. Një pjesë e të strehuarve nisen drejt fjetoreve të ushtrisë dhe një pjesë qëndrojnë te fjetoret e policisë.
“Gjejeni te ai drejtori i ushtrisë” u thonë punonjësit e policisë. Pas shumë sorollatjesh, një pjesë e banorëve takon nëndrejtorin e shtëpisë së pushimit të ushtrisë. Ai i thotë se nuk kanë ushqim, as mensë dhe as kuzhinë.
“Nuk është përgjegjësia jonë” i thotë ai, ndërsa shton se po të ketë urdhër do veprojë.
Nëndrejtori i thotë se kanë urdhër nga Tirana që ti çojnë tek menca e policisë. Një punonjës tjetër i thotë se ushqimi është pjesa e Ministrisë së Rendit.
“Ikni te Prefekti, te Shtabi i Emergjencave, s’kam as gatim dhe as soba. Kam vetëm dhoma” i thotë banorëve.
Fiks Fare komunikoi me Prefektin e Durrësit, z.Roland Nasto, se përse të strehuarve në shtëpitë e pushimit iu është përgjysmuar ushqimi.
“Ushqimi është në bazë të normativës, me të gjitha. Ne në fillim patëm ndihmesë shumë nga donatorët dhe u dhamë çik më shumë. Tani kemi ardhur në atë të normës” thotë ai. Por, a janë 3 biskota dhe çerek racioni djathë norma e ushqimit?
“Ne kemi marrë shumë donatorë, kemi dhënë ushqime plot dhe ndihma u kemi dhënë. Megjithatë e shohim dhe nesër prapë, po të kemi mundësi do ta shohim prapë” thotë ai.
Vetëm pas interesimit nga Fiks Fare, Prefekti tha në fund se “do interesohem unë, faleminderit prej jush”.