“Të përfundoj stinorin tim në këtë mënyrë është ëndërr”

0

Karen Khachanov ka shkaktuar një prej befasive më të mëdha të tenisit këtë vit, duke triumfuar ndaj Novak Gjokoviqit të dielën me 2:0 në sete (7:5, 6:4) në finalen e turneut Masters të Parisit dhe njëkohësisht duke i dhënë fund serisë së fitoreve të tenistit serb.

Rusi 22-vjeçar ka kohë që po vlerësohet si një prej talenteve të mëdha të tenisit, por pak persona kanë mundur të parashikonin një fitore aq bindëse të tij ndaj serbit Gjokoviq, që ishte në një seri prej 22 fitoreve rresht, seri që ka zgjatur tre muaj, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Gjokoviq ishte pritur të festonte rikthimin e tij në pozitën numër një në botë, të hënën, me një fitore të pestë rekorde në turneun Masters në Paris. Mirëpo, ai pësoi për një orë e 37 minuta lojë.

“Të përfundoj stinorin tim në këtë mënyrë është ëndërr”, ka thënë Khachanov.

Khachanov i gjatë 198 centimetra, njihet për goditje të fuqishme dhe ai shfrytëzoi edhe faktin se Gjokoviq nuk ishte në formën më të mirë pasi për një javë po vuante nga gripi.

Mirëpo ndonëse Gjokoviq pranoi se nuk ndihej në formën më të mirë të dielën, pas një fitoreje epike pas tri orëve lojë ndaj Roger Federerit në gjysmëfinale të shtunën, ai prapë përgëzoi lojën ofensive të Khachanovit.

“Përgëzime Karenit, ai ka bërë një punë fenomenale sot. Ai e meriton trofeun”, ka deklaruar Gjokoviq.

Comments are closed.