Barazimi i pagave të funksionarëve me të ardhura mujore prej më shumë se 60 mijë denarë , me të punësuarit që marrin 17 mijë denarë, jo vetëm që nuk është solidare, por është edhe e pakrahasueshme, thonë sindikatat
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 mars – Lidhja Social Demokrate javën e kaluar ka dalë me qëndrimin se pritet të mungojnë 2.2 miliardë euro në buxhetin e shtetit si rrjedhojë e dëmtimit të ekonomisë nga ana e korona virusit. Andaj kërkojnë që shteti të sigurojë nga kursimet një miliardë euro , ndërsa një miliardë euro pritet të sigurohen nga borxhet e reja. Nga LSDM kanë propozuar uljen e pagave për të gjithë funksionarët, por edhe për të punësuarit në sektorin publik në nivelin e pagës minimale prej 14.500 denarë për muaji prill dhe maj. Në këtë masë nuk pritet të përfshihen të punësuarit në mjekësi, MPB-në dhe ministrinë e Mbrojtjes dhe ata që janë të angazhuar në luftën kundër koronavirusit, shkruan gazeta KOHA. Nga ana e Sindikatës së administratës dhe organeve gjyqësore, thonë se nuk është solidare që barrën e krizës ta mbajnë edhe ato me pagat më të ulëta që në kushte normale mezi e kalojnë muajin, me borxhe të kredive me të cilat mbijetojnë dhe sigurojnë ekzistencën për familjet e tyre.
Nga kjo Sindikatë vlerësojnë se masat e tilla janë të përshpejtuara, populiste dhe jo të qëndrueshme, për shkak se vlerësohet se kursimi total për pagesën e pagës minimale për administratën dhe sektorin publik është 30 milionë euro.
Për ne nuk është e kuptueshme se pse vetëm në shtetin tonë po insistohet për shkurtimin e pagave në nivelin e pagës minimale, dhe atë nga ato më dobët të paguar, edhe pse në gati të gjitha shtetet në rajon dhe më gjerë, me masat e ndërmarra aspak apo vetëm me përqindje po i zvogëlojnë pagat e të punësuarve, shtojnë më tej nga kjo sindikatë. “Barazimi i pagave të funksionarëve me të ardhura mujore prej më shumë se 60 mijë denarë, me të punësuarit që marrin 17 mijë denarë, jo vetëm që nuk është solidare, por është edhe e pakrahasueshme. Kjo sidomos kur merret parasysh fakti se më shumë se gjysma e ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues kanë bizneset e tyre. Ndërsa edhe nëse nuk i kanë, vetëm me pagat që ju jep shteti janë të mjaftueshme për kursime me të cilat jo vetëm që munden të qëndrojmë më shumë se dy muaj, por edhe pas përfundimit të krizës me pagesat e bonuseve dhe mëditjeve, do tu kthehen më shumë se dyfish shumat e zvogëluara”, shtojnë më tej nga Sindikata e administratës dhe organeve gjyqësore.
Nëse megjithatë pagat e administratës janë patjetër të shkurtohen, atëherë kjo duhet të vlejë vetëm për ato që kanë paga më të larta se paga mesatare, dhe atë për të punësuarit e kategorisë A(sekretarë), sipas ligjit për nëpunës administrativ, shkurtimi të jetë prej 30 për qind, për të punësuarit në kategorinë B (udhëheqës), shkurtimi të jetë prej 20 për qind, dhe për të punësuarit në kategorinë B, apo B1 dhe B2 ulja e pagës të jetë 10 për qind. Në ndërkohë nga Konfederata e Sindikatave të Lira kanë theksuar se në mënyrë energjike do të kundërshtojnë idenë për uljen e pagave në sektorin publik në 14.500 denarë, ndërsa nga qeveria kërkohet që të përgatisë strategji për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e kësaj krize ku do të ketë humbje në minimum të vendeve të punës, pa uljen e pagave të punësuarve në sektorin publik.
Nga ekzekutivi kërkohet edhe që të dalin me qëndrimeve më të sakta duke miratuar edhe dekret për anulimin e vendimeve ekzekutive të përmbaruesve. Gjithashtu nga kjo sindikatë kërkojnë që bankat sa më shpejt të dalin me qëndrim për këstet e kredive dhe ti dërgojnë me mesazhe apo të informojnë qytetarët përmes postës elektronike. “Propozojmë që qeveria në këtë periudhë të hyjë në huazim dhe të fillojë me një dinamikë të shpejtë të realizojë projektet ekzistuese kapitale, por edhe të bëjë plan për fillimin e projekteve të reja. Bindja jonë është se në këtë periudhë të krizës ekonomike, një nga mënyrat më të suksesshme të dilet nga ajo, është investimi në projekte kapitale, duke angazhuar sa më shumë punëtorë dhe kompanive, duke i dhënë në këtë rast, prioritet biznesit vendor”, thonë nga Konfederata e Sindikatave të Lira ku bëjnë pjesë më shumë sindikata si ajo e arsimit, e punëtorëve në xehetari dhe energjetikë, e transportit, bujqësisë, mbrojtjes, bujqësisë, etj.
Në ndërkohë ekspertët ekonomik thonë se barrën financiare të krizës duhet ta ndajnë të gjithë në bazë të mundësisë.“ Po barrën financiare të krizës duhet ta ndajmë të gjithë, megjithatë kjo nuk nënkupton se tërë faturën duhet ta paguajnë punëtorët dhe të varfrit, ndërsa oligarkët biznesmenët , të pasurit dhe kompanitë e mëdha sërish të kursehen. Solidariteti nënkupton se ngarkesa më e madhe e krizës duhet të bie pikërisht mbi më të pasurit, që janë pasuruar në vitet e kaluara kur nuk kishim krizë, për shkak se ata sërish do të pasurohen pas përfundimit të krizës”, thotë eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq. Sipas tij, solidariteti nënkupton ndalesë për lëshimin nga puna të punëtorë dhe uljen e pagave përderisa zgjat kriza për të gjitha bizneset.. Ai shton më tej se ato 200 euro ndihmë për të punësuar apo 120 milion euro nuk duhet të jenë dhuratë e shtetit për bizneset por firmat duhet të kenë obligim ti kthejnë këto mjete pas përfundimit të krizës me qëllim shteti nesër sërish tu ndihmojë , por edhe që të ketë të holla për investime në shëndetësi, arsim etj.
Ai shton se si një porosi simbolike, pagat në sektorin publik , edhe mund të ulen por jo në nivel të pagës minimale , por me përqindje në varësi të lartësisë së pagës, duke filluar për shembull me pesë për qind për pagat deri 30 mijë denarë, me dhjetë për qind për pagat prej 30-50 mijë denarë e kështu me radhë. Nga ana tjetër, ekonomistët e tjerë thonë se nuk duhet bërë panik lidhur me mungesën e të hollave në arkën e shtetit. “Nuk është aq alarmante puna e buxhetit, sa e bëjnë krerët e vendit, mendoj se qëllimi është të mos ndiqen vendet e regjionit në masat për përkrahjen e drejtëpërdrejt të ekonomisë. Republika e Maqedonisë së Veriut, ka të planifikuara të realizon të hyra 3.614 milionë euro për vitin 2020. Në muajin e parë dhe të dytë, të hyrat janë realizuar shumë mirë edhe atë në muajin Janar janë realizuar 253.6 milionë euro, kurse në muajin e dytë 255.7 milionë euro që do të thotë afër 15 për qind apo Republika e Maqedonisë së Veriut, deri në fillimin e krizës të hyrat i ka realizuar shumë mirë”, vlerëson në Fejsbuk, profesori universitetar, Izet Zeqiri. Ai ka shtuar më tej se nuk prêt një ulje më të madhe të arkëtimeve në arkën e shtetit edhe përgjatë këtij muaji që e lëmë pas si rrjedhojë e krizës shëndetësore dhe ekonomike.“ Unë nuk besoj se të hyrat do të pësojnë rënie drastike nën 180 milionë euro edhe në muajin Mars si skenarin më të keq. Këto matematika paushalle rreth krizës, do të mungojnë kaq apo aq miliona euro në buxhet, krijojnë panik të qëllimshme dhe po bëhen me qëllim që qeveria të arsyetohet para presionit të biznesit “, shton më tej Zeqiri.
Në ndërkohë afaristi dhe një nga themeluesit e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Venko Gligorov, i sugjeron qeverisë që të analizojë masat dhe të ndihmojë biznesin në mënyrë të përgjithshme apo integrale për shkak se sipas tij të gjithë janë të goditur nga kriza si në mënyrë direkte ashtu edhe indirekte. Gligorov vlerëson se me ndarjen e vetëm disa sektorëve dhe ndihmës së tyre ekskluzive do të shënohet padrejtësi dhe përçarje në ekonomi. Bile mundet edhe lehtë të kemi një ortek të pakënaqësive që më vonë vështirë do të kontrollohet. “Nëse për shembull i ndihmohet një restorantit që nuk punon, duke i mbuluar harxhimet për të punësuarit, çka do të ndodhë me palët kontraktuese që i mbajnë kontabilitetin, i përgatisin softuerin, e sigurojnë, me firmat borxhli etj. Restoranti përmes ndihmës ka obligim të paguajë edhe një pjesë të obligimeve të tilla.”, thekson më tej Gligorov. Ai mbetet me shpresë se po mendohet edhe asketet e këtilla të zhvillimit të biznesit. (koha.mk)