Sado që janë imperativ të tejkalohen disa situata në realcionin bullgaro-maqedonas (e para kësaj edhe ai greko-maqedonas, për përvetësim të historisë antike), mbi të gjitha, Maqedonia duhet të krijojë një konsensus të brendshëm para së gjithash shqiptaro-maqedonas. Maqedonasit më së paku janë kontestar nga shqiptarët, ose të jemi më të saktë, shqiptarët kanë qenë më korrektë ndaj ndjeshmërive identitare maqedonase dhe nuk meritojnë që dikush t’ua mohojë origjinën dhe t’i paraqesin në dritë të shtrembëruar
Nga Daut DAUTI
Në një libër të botuar vitin e kaluar (“Tema të rënda”), midis shumë teksteve analitike, kisha futur edhe disa polemika që kam pasur ndër vite pikërisht me atë soj shkruesish, të cilët kanë bërë çmos që të paraqesin një percepcion të gabuar për shqiptarët në publikun maqedonas. Them në publikun maqedonas, sepse të tilla punime ku mohohet identiteti dhe historia shqiptare, mund të pijnë ujë vetëm këtu, sepse askush në qarqet shkencore ndërkombëtare ato nuk i merr me seriozitet.
SA LEHTË TË RRËZOSH ARGUMENTET JOSHKENCORE!
Njëri ndër ata me të cilin pata polemizuar është edhe redaktori “i famshëm” të Enciklopedisë së AMSHA-s, tash i ndjerë, akademik Bllazhe Ristovski, për diçka që edhe një laik(si unë psh.!) mund ndihet superior ndaj akademikut me nam. Polemika ishte bërë rreth një formulimi që nuk ka qenë i rrallë te autorë të ndryshëm maqedonas, lidhur me “përkthimin në shqip të toponimisë maqedonase” dhe konkretisht me akademik Bllazhe Ristovskin, ishim kapur rreth toponimit Shkup, sepse ai kishte shkruar se atë shqiptarët e kanë përkthyer nga Skopje?! E tash, paramendoni kur një akademik që duhet shumë më mirë se një gazetar ta zotërojë fjalorin dhe terminologjinë shkencore, të thotë Skopje është përkthyer në Shkup! Mund të përkthehet “zdravo” në “tungjatjeta”, “leb” në “bukë”, “voda” në ujë… dhe anasjelltas, sepse kanë një kuptim, por si mund të përkthehet toponimi”Skopje”, i cili nuk ka kurrfarë kuptimi në maqedonisht? Por, në atë polemikë, në të cilën, pa modesti, ia bëra të njohur akademikut se rmti i Shkupit shumë më lehtë vjen nga Skupi antik dhe madje dhe sipas autorëve që ai i preferon (serbë), lidhet me kuptime të përafërta me gjuhën shqipe…Me një autor tjetër maqedonas u kapëm për autoktoninë, një temësa e preferuar për ta ushtruar animozitetin për prezencën e shqiptarëve në Maqedoni, sepse ata preferojnë një tjetër Maqedoni, çfarë në realitet asnjëherë në histori! Sepse, edhe në kohën kur sipas tyre “nuk ka pasur shqiptarë”, Maqedonia nuk ka qenë Maqedoni!Një i vetëquajtur historian, pa dëshirën time,u fut në polemikë për rrënjët etnike të Nënë Terezës. Ai gjithë kohën ishte kapur për argumentin, (paramendoni, “argument”?!) se Nënë Tereza nuk është shqiptare sepse babai i saj quhet Nikolla! Për këtë autor, me titull doktor shkence, nuk mjaftonte që Nënë Tereza dhe familja e saj janë deklaruar vetë se janë shqiptarë, se kanë folur shqip, se kanë qenë katolikë, se Nënë Tereza ka lënë edhe poezi të shkruara në gjuhën shqipe, se edhe në shtypin e kohës ajo është përmendur si një murgeshë shqiptare…Por, jo, gjithë kjo për doktorin e shkencave ishte e parëndësishme, për të argument valid ishte pohimi se meqë babai është quajtur Nikolla, s’mund të jetë shqiptare! U desh t’ia jap disa dhjetëra shembuj emrash shqiptarësh katolikë e ortodoksë, madje krahasuar me emra me rrënjë të ngjashme edhe në gjuhë angleze, serbe, maqedonas që mund të jenë të ngjashëm për shkak të përkatësisë fetare… A i flet murit, aq atij…Ai dhe ata si ai, bëjnë shkencë me gjysmë të vërteta e gjysmë fakte, dhe me shumë urrejtje. Kështu, një autor që kishte shkruar mijëra faqe me të cilat “dëshmon” se Skënderbeu ka qenë maqedonas, me të cilin poashtu në gazetën Dnevnik pata polemizuar për tezën(shihni zbulimin!) se shqiptarët janë popull kriminogjen! Në të vërtetë, origjinaliteti i tij shkonte paksa më thellë në marrëzinë e tij, duke bërë një dallim midis toskëve dhe gegëve, sipas të cilit gegët janë “popull kriminogjen”! Nuk e kishim ditur se ka “popull gegë”…Dhe duke u nisur nga qasje të këtilla, autorët gjeografisë së vitit të dytë për shkollat e mesme dhe të disa librave tjerë shkollorë, e kemi tezën dominuese se shqiptarët janë ardhacakë nga fundi i shekullit 18-të dhe se shqiptarët kanë jetuar kryesisht në male, kurse kanë qenë të njohur për bandat kaçake ose gegët kaçakë që kanë plaçkitur dhe terrorizuar maqedonasit… Pikërisht këto ditë vdiq Branko Sinadinovski, një ortodoks shqiptar nga Reka e Epërme i vetëdijesuar dhe i deklaruar së voni, i cili shkroi mes tjerash një libër për Josif Bagerin, që për rastësi, më ra në dorë për redaktim. Në këtë libër, hidhet dritë për veprën e Grigor Përliçevit, “O armatollos” (“Serdari”). Siç e dimë nga literatura shkollore, kryepersonazhi i poemës është Kuzman Kapidan, një tagrambledhës i pushtetit, maqedonas, të cilin e vrasin kaçakët gegë. Po kjo është klisheja që ka hyrë në lekturën shkollore, por Branko Sinadinovski rikonfirmon atë që unë më herët kisha lexuar nga autorë gjermanë dhe nga Gane Todorovski se në versionin origjinal(kini kujdes, versionin origjinal të veprës), edhe Kuzman Kapidani është shqiptar nga Reka e Epërmse, sikundër që janë shqiptarë edhe vrasësit e tij. Pra, nga versioni i dytë i pomës është nxjerrë klisheu se shqiptarët gegë kanë vrarë një banor maqedonas të Rekës së Epërme, dhe së këndejmi, dukurisë së kaçakëve autorë të tjerë i japin dimension etnik, ndërkaq vetë autori, Përliçevi në versionin origjinal, nuk i ka dhënë dimension ndëretnik, por intraetnik (shqiptar). Është një rast i rrallë që ky autor ka qenë i fascinuar nga historia shqiptare dhe është autor edhe i poemës kushtuar Skënderbeut, në dallim nga shumë autorë të sotëm maqedonas që të mohojnë origjinën dhe figurat e mira të shqiptarëve (Skënderbeun, Nënë Terezën…) t’i përvetësojnë si vlera të veta! Ajo që na shtyn t’i kushtojmë vëmendje vdekjes së Branko Sinadinovskit, është rishfaqja e një të vërtete pikërisht të shtrembëruar për shqiptarët ortodoksë, sepse autorët maqedonas as që i përmendin si shqiptarë, po si “shkretë” si pjesë të popullit maqedonas! Po të hysh në polemikë me ta, sigurisht do të thonë se ata janë maqedonas!
A DËSHTOI (PSE) BASHKËPUNIMI NDËRAKADEMIK SHQIPTARO-MAQEDONAS PËR ENCIKLOPEDINË E RE?
Kur në vitin 2013 u problematizua Enciklopedia e famshme, nën presionin të opinionin publik shqiptar, ishte marrë një masë e pashembullt: tërheqja nga shitja. E pashembullt, sepse ndalimet e veprave në shekullin 21 nuk janë ndonjë masë për t’u lëvduar. Mirëpo, ajo qe tërhequr me qëllim të përpunimit ose riredaktimit të pjesëve kontestuese. Ishte ndërruar kryeredaktori i botimit, akademik Bllazhe Ristovski dhe qe vënë një tjetër, akademik Mitko Manxhukov. Por çka ndodhi? Në fillim u duk se pati një lëvizje pozitive qoftë në qasje, qoftë në qëllimin final, të paktën në deklarime. Qëllimi ishte të korrigjohen gabimet, se vërtetë e kishin nxjerrë dhallin mbi përshesh, madje pati kritika edhe nga autorë maqedonas, kurse qasja ishte e re: nëse në botimin “e ndaluar” të Enciklopedisë ishin lënë anësh autorët shqiptarë, tash Akademia dhe redaktori i ri vunë kontakte me Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, që në botimin e ri sadopak të respektohen autorët dhe burimet shqiptare, e jo të serviren në mënyrë të njëanshme, siç ishte Enciklopedia. Por, çka ndodhi realisht pas kësaj? Një a dy takime në Shkup e Tiranë…dhe kaq. Për më tepër, redaktori kryesor vite më pas, pati disa paraqitje publike të ngjashme si kolegu i tij para tij! Enciklopedi të re s’ka se s’ka, dhe askush nuk mund të thotë se ajo probematikja nuk është shpërndarë!
Në të vërtetë, është koha që dikush të kërkojë llogari rreth kësaj iniciative që mbeti në gjysmë rruge. Sepse, ishte një hap i duhur në parim, por i pamjaftueshëm nëse ai ka mbetur në gjysmë rruge.
Por, nisma për bashkëpunim me akademinë shqiptare në të vërtetë është diçka që tash duhet të aktualizohet më shumë se kurrë. Pse? Sepse, nëse me Marrëveshjen e Prespës, me një “kiretazh” politik-diplomatik Maqedonia heq dorë nga pretendimet e të kaluarës antike(duhet thënë, një nebulozë origjinale për të ikur nga realiteti!), nëse me Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit (…) me Bullgarinë hapet kapitulli i një retushimi të historisë, kundrejt fqinjëve grekë dhe bullgarë, pse të mos ketë diçka të ngjashme në realcionet shqiptare-maqedonase, aq më tepër kur autorët maqedonas vetë i krijojnë problemet?! Nëse në vazhdimin e kaluar dhe në këtë ka aq shembuj ekzemplarë të ndërhyrjes së autorëve maqedonas në historinë shqiptare, atëherë korrektësia e deritashme e moskontestimit duhet të pushojë nga pala shqiptare. Nuk jam për këtë lloj kontestimi që i bëhen nga Sofja duke i vënë pengesë për eurotintegrimet, por për një lloj bashkëpunimi shkencor dhe në atë që është imperativ për librat shkollorë që të hiqet gjuha e urrejtjes. Nëse Maqedonia përmes atij komisionit të përbashkët merren me origjinë veprimtarësh “të përbashkët” maqedono-bullgarë, ose zbusin terminologjinë se a kanë qenë bullgarët pushtues, okupatorë, administratorë apo fashistë në Luftën e Dytë Botërore, gjithsesi kundrejt shqiptarëve ka shumë më shumë mëkate. Sepse, nëse e zbusin kualifikimin për pushtuesit bullgarë, që kanë qenë një trup i huaj në një kohë historike, atëherë të njëjtën gjë do të duhet ta bëjnë edhe për ballistët, UÇK-në(të cilën në enciklopedi ishte quajtur organizatë terroriste), e të mos flasim për origjinën e shtrembëruar dhe dyndjet që paraqiten në mënyrë selektive (merret si fakt i kryer shpërngulja ose popullzimi në kohën e perandorisë osmane kur nuk ka pasur Maqedoni, duke mos dashur të pranojnë faktin se shqiptarët në Ballkan kanë qenë shumë më herët të pranishëm, si një nga popujt më të lashtë.
Për t’iu kthyer polemikave që kam pasur, dua ta rikujtoj vetëm porosinë kyç që ua pata dhënë autorëve mohues të qenësisë shqiptare: ju keni për obligim që të merreni me historinë e popullit tuaj, keni shumë tema e vrima që duhet t’i plotësoni, e jo t’ua shkruani historinë shqiptarëve dhe popujve të tjerë! Se kam pasur shumë të drejtë, tregon fakti që vërtet Maqedonisë kjo qasje iu kthye si bumerang me Bullgarinë, sepse sikur duhet të lahen pikërisht gjynahet ndaj shqiptarëve! Sado që janë imperativ të tejkalohen disa situata në relacionin bullgaro-maqedonas(e para kësaj edhe ai greko-maqedonas, për përvetësim të historisë antike), mbi të gjitha, Maqedonia duhet të krijojë një konsensus të brendshëm para së gjithash shqiptaro-maqedonas. Maqedonasit më së paku janë kontestar nga shqiptarët, ose të jemi më të saktë, shqiptarët kanë qenë më korrektë ndaj ndjeshmërive identitare maqedonase dhe nuk meritojnë që dikush t’ua mohojë origjinën dhe t’i paraqesin në dritë të shtrembëruar ata të cilët kanë qenë më korrektë ndaj ndjeshmërie identitare maqedonase, qoftë nga Tirana ose Prishtina shkencore, qoftë nga shqiptarët e Maqedonisë.
Nëpër mend më sillet një tekst i Arbër Xhaferit, të cilit i kam dhënë të drejtë kohë pas kohe, saherë që kam dashur të hyj në diskursin revanshist ndaj atyre që pa kurrfarë turpi mundohen t’ua shkruajnë shqiptarëve historinë! Më kujtohet ai tekst, të cilin dua ta parafrazoj vetëm një pjesë, pa dashur që me këtë të lëndoj ndjenjat e bashkëqytetarëve tanë, të cilët në këtë periudhë janë duke pësuar mëkatet e mendjeshkurtërve. Problem i atij shkrimi është se ngapak afrohet në pozitat bullgare rreth identitetit maqedonas, duke u shprehur pakashumë në stilin “merr pak prej këtu, merr pak prej aty, merr pak nga një popull, merr pak nga një tjetër”! Këtë tezë (të parafrazuar, sepse nuk arrita ta gjej atë tekst) e kujtoj vetëm si një lloj kontrateze ndaj atyre që me dekada janë munduar të merren me historinë shqiptare, të cilët duhet ta pastrojnë “bërllok” e oborrit të tyre, e jo të krijojnë bërllok në oborr të fqinjëve të vet!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)